EKSKLUZIVE/ “Tirana me mbrojtje naive, por Dinamon e thyen”, Bedri Omuri: Derbi si çelës, bardheblutë nuk do ta rrezikojnë katërshen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2024 | 22:17

EKSKLUZIVE/ “Tirana me mbrojtje naive, por Dinamon e thyen”, Bedri Omuri: Derbi si çelës, bardheblutë nuk do ta rrezikojnë katërshen

Bedri Omuri beson se Tirana mund ta fi tojë titullin. Ama sipas tij, skuadra në fillim duhet të ndryshojë disa gjëra, duke filluar nga mbrojtja, të cilën ish-kampioni e vlerëson si naive. Në intervistën për “Panorama Sport”, Bedri Omuri pranoi se trajnerit Fagu i duhet kohë, ndërsa nga ana tjetër konfirmoi se Tiranës i ka hapur probleme largimi i lojtarëve. Omuri vlerësoi se edhe skuadrat e tjera të Superiores kanë oshilacione.

bedri omuri

Zoti Omuri, si e keni parë Tiranën gjatë këtyre tri fazave të kampionatit?

E kam parë jo mirë dhe nuk jam i kënaqur me paraqitjen e saj. Thjesht nuk po tregon asgjë nga ato që ka treguar në fazat apo kampionatet e shkuara. Në fushë shoh një mbrojtje shumë naive, duke treguar paraqitje shumë të dobëta. Nëse nuk gaboj, është nga mbrojtjet më të këqija të kampionatit. Fjalët në këtë rast do të ishin të tepërta për bardheblutë.

Ju jeni një ish-futbollist dhe trajner, ku mendoni se është problemi te mbrojtësit apo mënyra sesi mbron Tirana?

Në këto momente nuk jam as në brendësi të problemeve që mund të ketë Tirana. Këta lojtarë ka pasur edhe vjet dhe ishte pothuajse kampione. Gjithsesi, këtë vit me një ndryshim të vogël, pëson shumë gola. Tej të tjerave, këtë punë e dinë më mirë drejtuesit dhe trajneri që ka skuadrën. Mënyra sesi skuadra pëson golat është naive, e lehtë. Tirana ka qenë e shquar për mbrojtjen, për djem të fortë dhe korrektë ndaj kundërshtarëve, tani e ka pikë të dobët. Nga ana tjetër, neglizhenca vjen nga të gjithë, sepse nuk mbron vetëm prapavija, por i gjithë grupi. Pra, janë shumë faktorë që ndikojnë në këtë paraqitje dhe mbarëvajtjen e lojës.

Sa ndikon fakti që te Tirana po drejton trajneri i tretë brenda 27 javëve?

Teorikisht dhe praktikisht ndikon, edhe pse Bimi (Erbim Fagu) ka qenë te Tirana, ka dalë nga bardheblutë, po bën të vetën, por sërish riparimi i ekipit nuk bëhet kaq shpejt. Nuk prish një mur dhe e ribën shpejt pasi ke probleme. Futbolli është ndryshe.

Me largimin e gjashtë titullarëve në janar, skuadra është mangët në numra. A ndikon tek ajo që shohim në fushë?

Mesa kam parë sigurisht që patjetër ikjet kanë ndikuar. Për mua është një problem kryesor, sepse janë shitur shumë lojtarë dhe nuk e di përse, cilët ishin faktorët dhe çfarë ka pasur në mes. Mesa kam dëgjuar është çështje ekonomike, por kjo është me të dëgjuar dhe nuk e di nëse janë informacione të sigurta.

Tirana nuk fiton prej të patën 5 takimesh në kampionat. A mund të dalë në “Final 4” kjo skuadër?

Realisht mendoj që shkon, paçka se nuk i parashikoj dot ndeshjet e fundit që ka, por që e ka të vështirë, kjo nuk diskutohet. Në ndeshjen kundër Dinamos, një fitore ndaj saj e ngjit lart. Për më tepër që e ka mundur më parë dy herë. Besoj dhe shpresoj që Tirana të dalë kampione.

Nëse llogaritim që Tirana shkon në “Final 4”, a mund të shpallet ky ekip kampion?

Nëse arrin objektivin e parë, në “Final 4”, një ndeshje është për të kapur finalen. Sforcoja është e përqendruar në 180 minuta. Unë them se Tirana i ka mundësitë të dalë kampione dhe të mundë çdo skuadër në këtë kampionat. Duhet një impenjim më i madh nga lojtarët dhe nëse e bëjnë do të ishte fantastike. Them se Tirana mund t’ia dalë të ngrejë trofeun.

Po skuadrat e tjera, si i ke parë?

Të gjitha skuadrat janë aty-aty. Më duket se Vlaznia ka bërë një hap më të mirë sesa të tjerat, sidomos në ndeshjet e fundit, konkretisht me Tiranën, Skënderbeun. Shkodranët kanë rritje dhe vazhdimësi. Të gjitha skuadrat në përgjithësi kanë oshilacione. Të shohim në vazhdim. Problemet janë nga më të ndryshmet. Partizani, Tirana, Vllaznia kanë ndryshuar trajnerët.

Për të mos folur për ekipet e tjera. Nëse ti ndryshon lojtarë dhe trajnerë këto probleme do të kesh, pasi për të rikuperuar duhet kohë, siç e shpjegova edhe në rastin e Tiranës, gjërat nuk bëhen me buton. Futbolli është aq i bukur dhe aq i paparashikueshëm. Marrim rastin e Interit në Champios. Një gjë e vogël e ndau eliminimin. Askush nuk e mendonte kualifikimin e Atletikos.

Keni një këshillë për Erbim Fagun, një ish lojtarin tuaj?

Këshilla nuk mund t’i jap, pasi jam i jashtëm. Ai është në brendësi dhe e bën vetë llogarinë. Në mbrojtje ai ka djem me eksperiencë dhe problemet duhet t’i zgjidhë brenda grupit.

Tirana, a fiton me Dinamon?

Them se po. Nëse e bën do të rritet në pikë. Edhe nga ana psikologjike do të rritet dhe do të venisë gjendjen psikologjike që kanë nga rezultatet e fundit në të cilat kanë lënë pikë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"