EKSKLUZIVE/ “Tirana e ndarë në klane”, Moçka “kunj” bardhebluve: Më dogjën një vit, atje e bëjnë ligjin… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2019 | 23:27

EKSKLUZIVE/ “Tirana e ndarë në klane”, Moçka “kunj” bardhebluve: Më dogjën një vit, atje e bëjnë ligjin… (E PLOTË)

Shpëtim Moçka rikthe het pas një viti në ak tivitet të plotë. Portieri vlonjat akuzon klanet brenda Tiranës se e kanë penguar të aktivizohet.

mocka1

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, portieri Moçka thotë se e ka merituar të jetë në formacion, si te Tirana ashtu edhe te Bylisi, madje përpara edhe portierëve që aktivizoheshin në këto ekipe, por klanet në kryeqytet i kanë bërë bllokadë. Moçka ndihet i lumtur që rikthehet në Vlorë pas pesë vitesh dhe premton të japë maksimumin e tij.

Është i bindur se Flamurtari do të rikthehet më i fortë se kurrë, ndërsa thekson se këto rezultate ishin të pritshme, për shkak të nisjes me shumë vonesë të ndërtimit të ekipit. Gardiani artikulon labçe edhe një mesazh për skuadrën: “Një për të gjithë dhe të gjithë për një”.

mocka1

Moçka, një vit pa luajtur. E keni vuajtur shumë këtë periudhë?

Po, është e vërtetë. E kam vuajtur shumë këtë vit që nuk u aktivizova.

Çfarë ndodhi? Pse nuk keni luajtur?

Nuk e di. Jam stërvitur shumë dhe e kam merituar që të luaj, si te Tirana ashtu edhe te Bylisi. Doja që të tregoja vlerat e mia. Jam i bindur se e kam merituar të luaj përpara atyre që ishin portierë në këto ekipe.

Kush ju pengonte që të mos aktivizoheshit?

Mendoj se klanet që janë te Tirana nuk më lanë. Për këtë arsye edhe nuk jam aktivizuar.

mocka

Cilat janë këto klane? A mund të na flisni me emra?

Ata që janë nga një kohë e gjatë aty. Nuk na nevojë të flas me emra unë, dihen dhe njihen se kush janë.

Si e shikoni Tiranën në këtë sezon?

Mendoj se ka bërë merkaton më të mirë nga të gjitha vitet e shkuara. Uroj që ta lënë klanet që ka brenda që të ecë përpara.

Në këtë rikthim tuajin te Flamurtari, si e keni gjetur ambientin? Çfarë ka ndryshuar?

Normal që rikthimi mbas pesë vitesh në shtëpi është një emocion i veçantë, por duhet të punoj dita-ditës për ta mbrojtur portën e Flamurtarit në mënyrën më të mirë të mundshme.

Si ndiheni që në këto ndeshje keni mbajtur shiritin e kapitenit?

Shiriti i kapitenit është një përgjegjësi shumë e madhe. Kjo më angazhon që të punoj më shumë dhe të jap më të mirën, ashtu sikundër kam bërë gjithmonë. Kam besim te grupi që do të rikthehemi më të fortë se kurrë. Jam shumë i bindur për këtë

Një nisje jo e mirë e kampionatit, tri humbje në tri ndeshje. Çfarë nuk shkon?

Po, është e vërtetë që nuk e kemi nisur siç duhet sezonin. Por, në fakt, edhe pritej kjo gjë, se ekipi është grumbulluar veç një javë para fillimit të kampionatit. Mendoj se faza e pushimit do të na rikthejë më të fortë edhe me më shumë stërvitje për të gjithë djemtë.

Mendoni se do të bëhet kthesa në ndeshjen e radhës me Luftëtarin?

Në Gjirokastër përballë Luftëtarit ne duhet të shkojmë me vetëbesim. Duhet të besojmë në forcat tona dhe të luajmë në grup, një për të gjithë dhe të gjithë për një. Nëse e realizojmë këtë, atëherë do të bëjmë mirë në këtë ndeshje dhe gjithçka do të dalë në favorin tonë. Jam shumë i bindur për këtë. Kemi mjaft kohë në dispozicion për ta përgatitur ndeshjen dhe do të punojmë në mënyrën më të mirë për të arritur një rezultat pozitiv në këtë takim.

Deri ku mund të shkojë Flamurtari, për mbijetesë apo edhe diçka me shumë?

Mendoj se një ekip i madh si Flamurtari nuk do ta diskutojë mbijetesën. Duhet të renditemi në pesë ekipet e para të klasifikimit. I kemi të gjitha mundësitë për ta arritur këtë gjë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"