Ekskluzive / Rasti i rrallë në futbollin shqiptar, ja si paguhet Bakaj te Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2017 | 9:56

Ekskluzive / Rasti i rrallë në futbollin shqiptar, ja si paguhet Bakaj te Kukësi

Kukësi ishte një nga klubet më aktive në merkaton e verës, për shkak edhe të largimit të plot 5 lojtarëve titullarë, mes tyre emra të mëdhenj si, Pero Pejic e Izair Emini, të cilët së bashku mbajtën peshën më të madhe të ekipit, sa u përket golave. Plot 36 gola në kampionat, 28 Pejiç dhe 8 Emini. Mbas largimit të tyre, Kukësi afroi Rauf Alijev, ish-futbollistin e Kombëtares së Azerbajxhanit dhe Elis Bakaj.

elis bakaj

BAKAJ

Nëse për Alijev, presidenti Gjici ra dakord për një rrogë fikse për të, nuk ka qenë kështu për fantazistin shqiptar, Elis Bakaj. Në fakt, është Bakaj lideri i këtij Kukësi, jo vetëm për shkak të golave, por edhe të lojës së tij. Gazeta zbulon ekskluzivisht një fakt mjaft interesant të marrëdhënies kontraktuale të Bakaj me Kukësin. 30-vjeçari nuk e ka përfitimin e madh financiar të tij nga rroga te Kukësi.

Ai ka një kontratë që përdoret shumë rrallë në kampionatin shqiptar. Bakaj paguhet në bazë të golave të shënuar, ku 1 gol i kushton 2 mijë euro. Ai ka një rrogë prej 300 eurosh në muaj dhe për çdo gol që shënon, përfiton dy mijë euro. Një gjetje mjaft interesante e palëve, ku Bakaj në këtë rast ka preferuar të tregojë veten se sa vlen dhe nuk paguhet artificialisht.

Golat nuk janë të rëndësishëm ku i shënon, në kampionat apo në kupë, mjafton që të realizohen në ndeshje zyrtare. Bakaj erdhi si një prurje shumë e rëndësishme te Kukësi, por jo me statusin e liderit ose të shpëtimtarit, por thjesht të një futbollisti të njohur. Besimi ndaj tij nuk ishte në shkallën sipërore, por ajo çka Bakaj pranoi të nënshkruante dhe ajo çka po tregon në fushë, është fantastike.

Fantazisti ka shënuar deri tani 7 gola në 9 ndeshje në Superiore dhe ka marrë shpeshherë Kukësin për dore. Gjithashtu, futbollisti nëse kalon shifrën e 20 golave, do të përfitojë një bonus të majmë. Gjithashtu, nëse Kukësi fiton titullin ose Kupën e Shqipërisë, Bakaj do shpërblehet.

Kujtojmë që edhe ish-sulmuesi italian, Kristian Vieri, kur ishte në fund të karrierës, në 2008-2009, vendosi të luante me Atalantën dhe pranoi një pagë modeste mujore prej 1500 eurosh dhe bonus 1000 mijë euro për çdo gol. Atë sezon, sulmuesi shënoi dy gola. E njëjta gjë ndodhi te Partizani dy vite më parë me Xhevahir Sukaj. Sulmuesi, përveç pagës mujore, përfitonte edhe 2 mijë euro për çdo gol të shënuar.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"