EKSKLUZIVE/ “Partizani ishte eksperiencë e keqe”, sulmuesi i larguar nga të kuqtë: Për paratë e kontratës sime di t’ju them që… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2022 | 17:36

EKSKLUZIVE/ “Partizani ishte eksperiencë e keqe”, sulmuesi i larguar nga të kuqtë: Për paratë e kontratës sime di t’ju them që… (E PLOTË)

Matej Cvetanoski erdhi te Partizani me petkun e një prej sulmuesve më të mirë të viteve në fundit në kampionatin fqinj të Maqedonisë së Veriut, por në asnjë moment nuk mundi të ngrihet në lartësinë që klubi dhe ai vetë prisnin. Pas vetëm 5 muajsh si “dem”, klubi njoftoi ndarjen me sulmuesin, i cili nuk arriti të luajë rregullisht. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Cvetanoski tregon arsyen që sipas tij, e pengoi të japë më të mirën dhe shton se klubi nuk besoi tek aftësitë e tij. 25-vjeçari i hap derën Tiranës.

CVETANOVSKI 2

Matej, si ishte për ju kjo eksperiencë te Partizani?

Aventura ime te Partizani nuk shkoi siç unë dëshiroja, por janë gjëra që ndodhin në futboll dhe të gjithë ne duhet t’i pranojmë.

Çfarë shkoi keq që nuk arritët të tregonit më të mirën tuaj?

Mendoj se unë nuk arrita të tregoj maksimumin tim, sepse nuk luajta dot në pozicionin tim ideal që është si sulmues i majtë, ku kam luajtur gjatë gjithë karrierës sime si futbollist. Por formacioni nuk ndërtohej në formën që unë të isha në pozicionin tim ideal dhe të mund të ndihmoja skuadrën.

Do të donit të kishit më shumë mundësi për të luajtur për Partizanin?

Po, mendoj se nuk m’u dha mjaftueshëm shans për të treguar veten dhe klubi nuk besoi tek unë.

Kush e kërkoi ndarjen pas vetëm pak muajsh nga firma?

Të dyja palët e kërkuam largimin, sepse mendonim që kjo do të ishte gjëja më e mirë për të gjithë. Unë gjej një klub ku kanë nevojë për mua, ndërsa klubi sheh strategjitë e veta.

A keni ndonjë pakënaqësi për këtë aventurë te Partizani?

Nuk mund të them se kam pakënaqësi me klubin në tërësi, por vetëm me disa nga njerëzit që punojnë atje.

I keni marrë të gjitha paratë e kontratës suaj?

Mendoj se këto janë gjëra private mes meje e klubit dhe nuk është nevoja të bëhen publike e të shkruhen në gazetë.

A mendoni se Partizani mund ta fitojë titullin këtë sezon?

Po, mendoj se ata kanë shanse, sepse kanë në organikë lojtarë të mirë. I uroj sa më shumë fat në pjesën e mbetur të sezonit.

Nëse një tjetër klub shqiptar do të interesohej për ju, do ta konsideronit si transferim?

Po, përse jo. Unë mendoj se kjo te Partizani ishte thjesht një eksperiencë e keqe.

Në të shkuarën Tirana është interesuar për ju. Ka ndonjë shans që të visheni bardheblu?

Nuk e përjashtoj këtë. Tirana është një klub i madh gjithashtu, kanë lojtarë shumë të mirë dhe po luftojnë për titullin kampion gjithashtu.

Çfarë mendoni rreth futbollit shqiptar? Cila është skuadra më e mirë e Kategorisë Superiore?

Mendoj se futbolli shqiptar po bën përpara, sepse këtu është një infrastrukturë e mirë. Në lidhje me skuadrat më të mira mund të them Partizani dhe Tirana, por gjithashtu Egnatia më ka krijuar përshtypje shumë të mira.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"