EKSKLUZIVE/ Në Shkodër për historinë, Tetova i jep zemër Egnatias: Jemi me meritë këtu, i shkojmë deri në fund Kupës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 26, 2023 | 8:32

EKSKLUZIVE/ Në Shkodër për historinë, Tetova i jep zemër Egnatias: Jemi me meritë këtu, i shkojmë deri në fund Kupës

Egnatia do të kërkojë sot në Shkodër një re zultat sa më të mirë, në mënyrë që në ndeshjen e kthimit në Rrogozhinë, të menaxhojë situatën në favorin e vet. Tetova

Ndeshja e sotme është historike për skuadrën e drejtuar nga Edlir Tetova, për vetë faktin se e ka për herë të parë që luan në turin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri durrsak i rrogozhinasve flet me optimizëm në prag të ndeshjes me Vllazninë, ndërsa nuk e fsheh keqardhjen për mungesën e detyruar për shkak dëmtimi të sulmuesit Redi Kasa, i cili po kalonte një formë të shkëlqyer.

Edlir, sot luani të parën gjysmëfinale në historinë e Egnatias. Si e prisni ndeshjen në Shkodër?

Jemi për herë të parë në gjysmëfinale dhe duam ta shijojmë në fushë këtë gjë. Paraprakisht dua t’ia dedikoj këtë sukses mbështetjes së pakursyer të presidentit Agim Demrozi. Skuadra është gati të bëjë më të mirën, për t’i shkuar deri në fund këtij kompeticioni.

Ju shqetëson ndonjë gjë në prag të kësaj ndeshjeje të parë ndaj Vllaznisë?

Djemtë janë të gjithë të gatshëm, përveç sulmuesit Redi Kasa, që duhet pranuar se po kalonte një formë shumë të mirë. Ai ka një kontraktim muskulor, që nuk e lejon të luajë në Shkodër për Kupën, por shpresoj se do ta kalojë shpejt për të qenë gati në ndeshjet e radhës në kampionat. Gati do të kemi sulmuesin Paulauskas, i cili është një tjetër lojtar potent në repartin ofensiv për skuadrën tonë.

Kupa ka specifikë tjetër, sa besoni se Egnatia do të arrijë finalen pas dy përballjeve me shkodranët?

Kemi ardhur deri këtu me meritë dhe shpresoj se djemtë do ta shijojnë këtë gjysmëfinale të parë, që për ne është me përmasa historike. Dëshira jonë tashmë dihet, duam të kualifikohemi dhe të vazhdojmë më tej sukseset tona. Kjo është shumë e rëndësishme për këtë skuadër, pasi investohet përditë e më shumë për të pasur ecuri pozitive.

Do të luani me Vllazninë në Shkodër brenda katër ditësh dy ndeshje. Çfarë ka diçka të veçantë për t’i përgatitur si ndeshje?

Ne do t’i shikojmë ndeshjet ndaj shkodranëve sipas radhës, pa bërë ndarje Kupë apo kampionat. Fillimisht do të përpiqemi të bëjmë maksimumin tonë te kjo ndeshje e parë e Kupës. Pas kësaj, do të mendojmë për të njëjtën gjë sa i përket kampionatit.

Në Shkodër luhet me tifozë dhe ky është momenti të merrni emocione edhe prej tyre. Keni një apel për ta?

Ndeshja me tifozë të jep shumë adrenalinë. Do të dëshiroja që sa më shumë tifozë të Egnatias t’i kishim sot në stadiumin e Shkodrës, që ta shijonin ndeshjen nga ky tempull vlerash, historie e tradite të madhe që përfaqëson Vllaznia.

Me një organikë cilësore lojtarësh që ka Egnatia, sa afër objektivit final, që është Europë, duket skuadra juaj?

Egnatia ndodhet tani vetëm 8 ndeshje larg Europës. Kaq mund të them, pasi për të tjerat do ta tregojë fusha.

FATMIR EFICA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"