EKSKLUZIVE/ “Lavdrim Gjici tentoi të më thyente telefonin”, akuzon Zivkoviç: Drejtori më goditi me grusht (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2022 | 20:58

EKSKLUZIVE/ “Lavdrim Gjici tentoi të më thyente telefonin”, akuzon Zivkoviç: Drejtori më goditi me grusht (E PLOTË)

Ante Zivkoviç largohet i tronditur nga Shqipëria dhe nga klubi i Kukësit, aventurë e cila zgjati vetëm pak muaj, edhe pse kishte kontratë deri në vitin 2024.

zivkovic

Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, sulmuesi kroat tregon çfarë i ka ndodhur të premten në ambientet e klubit, nga ku është ndier i kërcënuar për jetën dhe është detyruar të firmosë atë që i kanë kërkuar drejtuesit. Ai shprehet se nuk ka menduar kurrë se këto sjellje mund të ndodhin në shekullin e 21-të.

“Së pari, jam ende në tronditje të asaj që ndodhi të premten në ambientet e klubit. Mendova se një sjellje e tillë, siç kam përjetuar nga drejtuesi i klubit ku kam qenë pjesë, nuk i përket shekullit të 21-të.

Thjesht kërkova që të shlyheshin borxhet e mia. Në pesë muajt që kam kaluar në Tiranë kam marrë vetëm një rrogë dhe kam dhënë gjithmonë maksimumin në stërvitje dhe ndeshje dhe nuk kam sjellë asnjëherë probleme.

Kur më humbi durimi dhe kërkova borxhet, njerëzit e klubit më thirrën për t’i zgjidhur problemet dhe erdha me shpresën se gjithçka do ta zgjidhnim në mënyrë paqësore. Mirëpo, ata më kërcënuan dhe nuk mund të largohesha nga klubi derisa të pranoja kushtet e tyre, sepse thjesht nuk kisha zgjidhje”, rrëfehet fillimisht Zivkoviç, me tronditjen që nuk i ka kaluar ende, edhe pse aktualisht ndodhet në Kroaci, pasi mori menjëherë gjërat dhe u nis për në vendin e tij, për shkak se e ndiente veten të rrezikuar.

AKUZAT – Në vijim, Zivkoviç tregon edhe detaje tronditëse nga ajo përplasje me drejtuesit e klubit, ku akuzon administratorin dhe drejtorin sportiv të verilindorëve për goditje ndaj tij, ku kanë tentuar t’i rrëmbejnë dhe thyejnë telefonin.

“Në një moment Lavdrim Gjici ka tentuar të më rrëmbejë celularin nga duart dhe ta thyejë, ndërsa drejtori sportiv, Naim Halili, më ka goditur me grusht në kokë. Në atë moment isha në tronditje dhe stres total dhe thjesht doja të largohesha nga klubi dhe vendi dhe rashë dakord me kushtet e ofruara. Dua të përmend se i jam mirënjohës trajnerit Dobi dhe kapitenit Taipi, sepse ata më trajtuan si njerëz dhe më mbrojtën dhe se gjithçka përfundoi pa pasoja të rënda”, u shpreh Zivkoviç, i cili mesa duket në këtë situatë të vështirë ka gjetur mbështetje te trajneri dhe kapiteni i skuadrës.

HAPAT LIGJORË – Zivkoviç rrëfen se këtë çështje nuk do ta lërë me kaq, por do të kërkojë të drejtën e tij në FIFA. Ai ka një thirrje edhe për hetime në klubin e Kukësit dhe i vjen keq për lojtarët shqiptarë, të cilët në situatën ku ndodhen, e kanë të vështirë të kërkojnë të drejtat e tyre.

“Gjithashtu kam kontaktuar përfaqësuesin tim ligjor dhe kemi nisur një çështje në FIFA, kundër klubit dhe përfaqësuesve të klubit. Nuk dua të përjetoj më diçka të tillë në karrierën time. Është një turp dhe sjellje jashtëzakonisht e keqe e klubit ndaj lojtarëve.

Mendoj se të gjithë institucionet e përfshira në futbollin shqiptar duhet të fillojnë të hetojnë për klubin dhe të vendosin sanksione. Unë jam një lojtar i huaj, do t’i siguroj të drejtat e mia përmes organeve të FIFA-s, por lojtarët vendës nga Shqipëria janë të bllokuar dhe u uroj më të mirat në të ardhmen”, mbylli apelin e tij Ante Zivkoviç. Kroati u afrua në këtë merkato vere te Kukësi dhe arriti të shënojë dy gola në tetë takime.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

Skandali, sulmuesi akuzon Kukësin për pengmarrje, kërcënime dhe dhunë. Çështja drejt FIFA-s…

Akuzat për pengmarrje dhe dhunë nga sulmuesi, reagon Kukësi: Po na prish imazhin, jemi klub korrekt

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"