EKSKLUZIVE/ Enkeleid Dobi firmosi me Kukësin, zbulohen cilët ishin kandidatët për pankinën e verilindorëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2022 | 14:41

EKSKLUZIVE/ Enkeleid Dobi firmosi me Kukësin, zbulohen cilët ishin kandidatët për pankinën e verilindorëve

Skënder Gega nuk është më trajner i Kukësit. Aventura e tij ka zgjatur vetëm katër javë në krye të verilindorëve dhe barazimi i fundit ndaj Teutës i ka vënë vulën largimit.

ENKELEID DOBI

Duke marrë parasysh nisjen e dobët të kampionatit, me vetëm dy pikë në katër ndeshje, por edhe krisjet e javëve të fundit në klubin verilindor, kanë detyruar trajnerin që të japë dorëheqjen, duke e menduar si gjënë më të mirë në këto momente.

Gjithçka ka ndodhur pak orë pas mbledhjes, që është bërë në praninë e presidentit Safet Gjici, me stafin teknik dhe skuadrën në paraditen e së shtunës.

Në fund është pranuar vendimi i Gegës, edhe pse gjatë mbledhjes, vetë kreu i klubit i shprehu besim për vazhdimësinë.

Gazeta “Panorama Sport”, përmes faqes zyrtare në internet “panoramasport.al”, zbuloi gjatë së shtunës, jo vetëm dorëheqjen e Gegës, por edhe se kush do të jetë trajneri i ri i Kukësit.

Bëhet fjalë për 47-vjeçarin durrsak, Enkeleid Dobi, i cili vjen pas eksperiencës në dy klube polake gjatë pesë viteve të fundit dhe do të prezantohet sot nga Kukësi

Ish-sulmuesi kampion i Teutës në vitin 1994 ka pasur bisedime të avancuara prej ditësh me drejtuesit e Kukësit.

Megjithatë, çdo gjë nga palët është mbajtur e fshehtë, derisa “panoramasport.al” zbuloi se Enkeleid Dobit i ishte prerë bileta për të ardhur nga Polonia në Shqipëri të dielën dhe të firmoste zyrtarisht kontratën me Kukësin.

Në tavolinën e presidentit Gjici kishin ardhur disa propozime, duke filluar nga Gentian Mezani, Bledar Devolli, Amarildo Zela dhe deri të një rikthim i mundshëm i Shpëtim Duros.

Madje u përfol edhe ish-kapiteni Igli Allmuça, por në klub pati edhe një ide për të drejtuar dyshja Rrahman Hallaçi-Ylli Shameti.

Gjithsesi, drejtuesit kanë qenë të vendosur për durrsakun që prej vitesh punon në Poloni, ndërsa si ndihmës të tij kanë menduar ish-kapitenin Shameti, i cili në fakt ka nisur që dje punën me ekipin.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ Ish-sulmuesi i kombëtares pranë stolit të Kukësit, pritet nesër bashkë me ish-kapitenin e verilindorëve

Konfirmohet lajmi ekskluziv i “Panorama Sport”, Kukësi zyrtarizon trajnerin e ri

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"