EKSKLUZIVE/ Ish-sulmuesi i kombëtares pranë stolit të Kukësit, pritet nesër bashkë me ish-kapitenin e verilindorëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2022 | 23:56

EKSKLUZIVE/ Ish-sulmuesi i kombëtares pranë stolit të Kukësit, pritet nesër bashkë me ish-kapitenin e verilindorëve

Klubi i Kukësit duket se ka gjetur shumë shpejt emrin e trajnerit që do të drejtojë skuadrën në vijimin e sezonit pas dorëheqjes së Skënder Gegës. Ky i fundit u tërhoq nga drejtimi i ekipit gjatë ditës  së sotme për shkak të rezultateve të skuadrës, ndërsa verilindorët kanë nisur shpejt kontaktet me disa emra për të plotësuar vendin e lënë bosh. 

dobi-2

“Panorama Sport” ka mësuar emrin i cili është më pranë firmës me verilindorët dhe të cilin e presin nesër për të finalizuar marrëveshjen.

Emri i përzgjedhur është ai i ish-sulmuesit durrsak Enkelejd Dobi. Ky i fundit, pasi pat shkëlqyer me Teutën në fillimin e viteve ‘90, bëri më pas karrierë në Poloni duke luajtur për shumë skuadra atje. Dobi më pas filloi karrierën si trajner dhe ka drejtuar në vitet e fundit skuadrat e Gornik dhe Vidzev Lodz.

Ai jeton në Poloni dhe pritet të mbërrijë nesër në vendin tonë për të diskutuar me hollësisht me Kukësin për kontratën që e lidh me klubin, ndërsa për momentin është përcaktuar edhe emri i atij që pritet të jetë ndihmës-trajner i tij. Në stafin e Dobit do të jetë në këtë post ish-kapiteni i verilindorëve, Ylli Shameti.

Gjatë ditës së sotme, emrat që kanë qarkulluar pranë klubit verilindor si kandidatë të mundshëm për pankinën kanë qenë edhe të Gentian Mezanit, Amarildo Zelës dhe një rikthim i Shpëtim Duros.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"