“Armiqtë” e Vlorës dhe të Korçës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 4, 2023 | 23:44

“Armiqtë” e Vlorës dhe të Korçës

Nga BESNIK DIZDARI

Dizdari2

Pa spektatorë! Kështu, me tribuna të zbrazëta, u zh villua ndeshja e KATEGORISË SË DYTË, Flamurtari – Skënderbeu, e shkruar me germa kapitale, ngaqë nuk po ndalet emërtimi “falsifikues”, teksa vazhdojnë ta quajnë Kategori e Parë.

Më vjen keq, por më duhet ta them qartë për të njëmijtën herë, ngaqë të gjithë ata që janë nënshtruar dhe e komentojnë, e shkruajnë, e tingëllojnë, e shqiptojnë si Kategori e Parë këtë kampionat pastërtish Kategori e Dytë, rrezikojnë të bëhen edhe ata “armiq” të Vlorës e të Korçës. E edhe një herë po thërrasim në kupë të qiellit:

Për gati 70 vjet Kampionati Kombëtar i Shqipërisë është quajtur Kampionati i Kategorisë së Parë. Kështu që ju jeni ngatërruesit, “falsifikatorët” e historisë së Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, që sot u quaka Kategoria Superiore apo “Abissnet Superiore”. Dhe të Dytën, mirëfilli e emërtoni të Parë!… Dhe “armiqtë” e Vlorës e të Korçës që shkëlqejnë. Shtrohet pyetja: sa spektatorë janë sjellë keq që të dënohen me moslejim për të ardhur në stadium? Sigurisht ata numërohen me gishtat e njërës dorë. Atëherë, përse nuk dënohet kjo pakicë, por dënohet shumica e pafajshme?

skenderbeu flamurtari

Dhe Flamurtari i Vlorës e Skënderbeu i Korçës që po “lulëzojnë” në “të rrêjshmen” Kategori e Parë, e quajtur kësisoj, me sa duket, me qëllim. Më saktë, me synim që Vlora e Korça të kujtojnë se vërtet janë si gati 70 vjet me radhë, skuadra të Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, që quhej i Kategorisë së Parë. Emërtim historik ky, i vjedhur prej Kampionatit Kombëtar të Shqipërisë, për t’ia dhuruar po vjedhurazi Kategorisë së Dytë, kësaj të vërtetës.

Një mashtrim i tërë deri aty sa edhe Vlora e Korça vetë kanë harruar, e nuk e kuptojnë mbase, që janë thjesht skuadra të Kategorisë së Dytë. Dhe askush nuk bëzan. Është interesante vërtet! Asnjë zë tjetër, i ndryshëm, nuk mbërrin apo nuk shfaqet as brenda vetë Federatës Shqiptare të Futbollit. Nënshtrimi është vërtet fantastik, krejt i ngjashëm me nënshtrimin si ai brenda edhe te qeveria e sotme shqiptare ndaj problemeve të mëdha që ka vendi. Dhe Flamurtari ynë i famshëm i Vlorës, i cili tash tri sezone është skuadër e Kategorisë së Dytë.

Dhe Skënderbeu i Korçës, 7 herë kampion i Shqipërisë në dhjetëvjeçarin e fundit, por tash skuadër e Kategorisë së Dytë. Triumfojnë ndaj tyre “armiqtë” e tyre. Dhe Rrogozhina, Shijaku, Kukësi, Laçi, Ballshi, Kruja… Nuk janë këta “armiqtë”. Këta janë sundimtarët e sotëm të Kampionatit të Shqipërisë. Janë gjashtë qytete të vogla, ndonjëri madje edhe “qytezë”, të cilat përbëjnë shumicën e Kampionatit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Janë shumicë, pra: 6 midis të 10-ave! Ose 60 për qind e kampionatit! Nëse shumë vite më parë, dikush do të thoshte se mbas disa vjetëve do të kishim një kampionat ku shumica e skuadrave të tij do të ishin Rrogozhina, Shijaku, Kukësi, Laçi, Ballshi, Kruja, do ta quanin të çmendur.

E nëse para disa vitesh dikush do të thoshte se do të vijë një kohë që jashtë Kampionatit të Shqipërisë do të mungonin njëkohësisht skuadrat e Korçës, Elbasanit, Vlorës, Kavajës, Beratit, Gjirokastrës, pa harruar Dinamon e Tiranës 18 herë kampione e Shqipërisë, edhe këtë guximtar do ta quanin të çmendur. Mirëpo, nëse vërtet ky “dikush” do të kishte bërë këtë parashikim, sot atij do të duhej t’i jepnim medaljen e mençurisë. Sepse parashikimi i tij është realizuar. Nuk po shkojmë te qyteti i Fierit, skuadra e të cilit në 10 vitet e fundit vetëm 2 herë ka qenë në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë. Nuk po guxojmë të shkojmë as te qyteti i Lushnjës, skuadra e së cilit në 17 vjetët e fundit vetëm 3 herë ka qenë në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë.

Edhe këto për vite të tëra kanë qenë skuadra me role të dorës së parë. Kjo kohë erdhi! Nuk ka skuadra të Kampionatit Kombëtar për gjithë Jugun e Shqipërisë. Këtu kemi mbërritur. Siç e kemi thënë, ky është një kampionat i Shqipërisë së Mesme apo Qendrore. Sigurisht, askush nuk ka të drejtë të përçmojë arritje e 6 qyteteve të vogla të lartpërmendura – sot sundimtare të vërteta të Kampionatit të Shqipërisë. E, ne, që vazhdojmë të këmbëngulim. Na e thotë mendja: nëse së bashku me këto 10 skuadra të sotme, pjesë e kampionatit, do të ishin edhe skuadrat e Korçës, Elbasanit, Vlorës, Kavajës, Beratit, Gjirokastrës, pa harruar Dinamon – çfarë dëmi do të kishte futbolli shqiptar? Asnjë dëm!

Skenderbeu-Flamurtari

E nëse vërtet do të kishte ndonjë dëm, i ftojmë këtu argumentuesit të shpalosin faktet e këtij argumenti. Kështu pra, nëse do të ishin edhe këto skuadra, do të kishim një kampionat jo me 10, por me 16 skuadra qytetesh. Çka do të thoshte që çdo javë, Shqipëria e futbollit me këtë Kampionat Kombëtar të saj me 16 skuadra, do të vërshonte në stadiumet e qyteteve të saj me ngjarje të pasura, të bukura, të një intensiteti të vërtetë të futbollit, të një kulture sportive qytetare po aq të vërtetë. Duke mënjanuar ndërkohë, kalendarin e tipit dështak që detyron të njëjtat skuadra deri në mërzi e monotoni të skajshme të ndeshen katër herë me njëra-tjetrën.

Duke mënjanuar po aq dramat artificiale, “të frikshme”, të rënieve të pamëshirshme, që çuan në Kategorinë e Dytë qytetet më futbollistike të Shqipërisë. Lexuesi ynë i mençur, e di fort mirë, se kjo për ne po bëhet një temë “e vjetër”. Po ne nuk heqim dorë megjithatë, e do të vazhdojmë kritikat tona. Dijeni mirë: nuk janë kritikat tona, por të një mbarë populli shqiptar tejet futbolldashës. Shkoni e bëni sondazhe, takime, përimtime apo hetime të ndershme, ndërkohë që e dimë se për referendume as që ju shkon mendja. Mu për këto, gjithnjë do të mbetemi te kritika të vazhdueshme e të forta përballë një vendimi apo mendimi që, pa pyetur askënd, po këmbëngul për një kampionat me 10 skuadra.

Një kampionat që ka përjashtuar më shumë se gjysmën e qyteteve më të mëdha të Shqipërisë, më futbollistike, më historike, më tradicionale, më të populluara. Dhe shumicën i ka përjashtuar për një “faj” të vetëm: thjesht sepse janë renditur në vendin e 9-të të Kampionatit Kombëtar. “Po çka keni që po mërziteni”? – dëgjojmë një refren që na ndjek mbas. “Nuk e shihni që këto qytete janë të gjitha në Kategorinë e Parë, madje në një kampionat tradicional të Shqipërisë jo me 10, por me plot 14 skuadra, siç është organizuar përmbi 70 vjet Kampionati Kombëtar i Shqipërisë?”

Më shumë se retorikë, kjo është thjesht një rrenë vërtet “e bukur”. Që buçet tash e parë prej sirenave të “armiqve” të Vlorës e të Korçës, madje të Elbasanit e të Beratit, të Gjirokastrës e të Kavajës. Dhe dalim te filozofia, më saktë, te dukuria e bujshme sa e futbollit po aq edhe e këtij kampionati: është fakti kryefortë që na thotë se asnjë prej skuadrave të Rrogozhinës, Shijakut, Kukësit, Laçit, Ballshit e Krujës, emrat e të cilave janë fort të nderuara dhe simbole kësisoj të qyteteve të tyre, pra: Egnatia, Erzeni, KF Kukësi, KF Laçi, Bylisi e Kastrioti – për fat, kryesisht nuk i kanë formuar skuadrat e tyre me lojtarë, të cilët vijnë prej farishteve të tyre të futbollit.

Kjo do të thotë se këto skuadra nuk janë mirëfilli fryte të zhvillimit të futbollit brenda qytetit të tyre, por janë fryte të asaj që na u quajtka “ekonomia e tregut”, siç ta përsërisin pa ia nda, kryefortët e këtij organizimi të dështuar të Kampionatit të Shqipërisë, tash bukur 9 sezone (vite) rresht. A ka studime për këtë gjeopolitikë të markës shqiptare – në të vërtetë kundërkombëtare të futbollit po shqiptar? Dhe në parantezë: sa janë skuadrat të cilat as nuk stërviten e as nuk luajnë në qytetet e tyre? Po thonë se për shembull, Besën e Kavajës, nuk e njohin më as në Kavajën e saj, teksa ajo luan diku tjetër, s’di se ku. Qarkullojnë dy foto vërtet mesjetare të stadiumeve të Krujës e të Kavajës ku kullosin lopë e dele, që kërkojnë të zbulojnë ndonjë copë bar “futbolli”, sado pak që ai mund të ketë mbetur.

Janë pamje që të duket se i përkasin një lloj futbolli zoologjik, edhe ky i markës shqiptare. Futbolli i Kampionatit Kombëtar në Shqipëri drejtohet me një papërgjegjshmëri shembullore (emblematike) për sa i përket politikës së zhvillimit historik tradicional qytetar. Është një drejtim që ka humbur edhe atë që quhet Liga Kombëtare e Futbollit – i vetmi rast në Europë ky – çka e bën Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë pa Ligë Kombëtare.

Kësisoj, e bën këtë kampionat pronë të Federatës së Futbollit ose të një varësie të një shkalle të paarsyeshme prej saj, që na ka çuar deri te sundimi i “armiqve” të Vlorës e të Korçës. Merret me mend se ky drejtim çon jetë edhe ngaqë Shteti, Qeveria, Ministria, KOKSH, që fillojnë me germa kapitale, janë gjithashtu të papërgjegjshëm për zhvillimin, jo vetëm sportiv, por edhe social, “etnik” apo “autokton” e të një shpirti të vërtetë kulturor e qytetar madje, teksa kanë lejuar mbipavarësinë e paluajtshme të federatës përkatëse.

Madje, të jo pak federatave kombëtare sportive. Temë për më vonë kjo, kur sheh se edhe basketbolli e volejbolli i kanë ngushtuar kampionatet deri me vetëm 6 a 7 skuadra pjesëmarrëse. Po ashtu edhe këto me emërtime si të futbollit, Superligë e Kategori e Parë për të Dytën. Asisoj, deri me legjendarin e basketbollit kombëtar, Partizanin e Agim Fagut me shokë, të flakur tej në Kategorinë e Dytë, ku luajnë vetëm 4 skuadra! E kujt? Partizanit – Europian i tillë qysh shtatë dekada më parë: Partizani – Oransoda e Italisë 73-73! Jemi në vitin jubilar të këtij 55-vjetori, çka mbase do t’ia përkujtojmë për së mbari, më e pakta në faqet e kësaj gazete.

Dhe as për këto askush nuk bëzan. Por qëndrojmë te futbolli i kampionatit “të rrejshëm” të Kategorisë së Parë, që është e Dytë, për çka ndokund dëgjojmë të thonë se ky është një nga kampionatet më të forta në Europë!? Deri këtu mbërrin nënshtrimi. Çka do të thotë se gjithnjë e më fort vijnë duke u shtuar “armiqtë” e Vlorës e të Korçës. Ndaluni te rezultatet e skuadrave shqiptare në Kupat e Europës stinën që shkoi me vetëm një kualifikim pa peshë.

E, papritmas, mu kujtua Kombëtarja e sotme e Shqipërisë që paska vetëm 2 futbollistë, të cilët i ka lindur e formuar toka shqiptare e futbollit të këtij Kampionati “Superior” të Republikës së Shqipërisë. Këmbëngulet për futbollistë “jo të Shqipërisë”, duke flakur pa mëshirë talentet e saj, talentet e këtushme të tokës shqiptare, të cilat kurrë nuk kanë munguar. Ndërkaq, kampionati i “10”- shes në fjalë, që siç thuhet me guxim, sa vjen e “zbukurohet”.

Sidomos në garën për të mos rënë 30 për qind e skuadrave, ngaqë prej 10 skuadrave, 3 prej tyre mund të bien në Kategorinë e Parë. A vërtet moj Vlorë e moj Korçë kujtoni se jeni në Kategorinë e Parë? Kaq fort ju kanë hutuar “armiqtë” tuaj?… Deri aty sa as ju vetë nuk guxoni të bëzani?…

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"