E çojnë te të rinjtë, Hair Zeqiri lamtumirë Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 4, 2017 | 9:35

E çojnë te të rinjtë, Hair Zeqiri lamtumirë Flamurtarit

“Presidenti ka vendosur që të stërvitesh me të rinjtë deri në një vendim të dytë”. Kjo është ajo që drejtori i klubit, Ardi Behari, i ka komunikuar para stërvitjes së djeshme mesfushorit Hair Zeqiri. Debatet në mbledhjen e zhvilluar të enjten u zyrtarizuan gjatë së premtes me pezullimin pa afat të Zeqirit.

Lojtari ka qëndruar vetëm 5 minuta në mjediset stërvitore dhe më pas është larguar. Krisja është thelluar dhe palët duken të destinuara për t’u ndarë para kohe, edhe pse në mes është një kontratë.

zeqiri-idrizi-665x500

“Vendimin e dua me shkrim, nuk shkoj unë në stërvitje me të rinjtë me këtë rrugë komunikimi”. Kështu mësohet se i ka thënë dje Zeqiri drejtorit të klubit. “Panorama Sport” zbulon se mesfushori është i vendosur për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje dhe për vendimin e marrë kërkon një shkresë zyrtare. Vetëm nëse ndodh kështu, atëherë lojtari mund të dalë në stërvitje me të rinjtë.

Zyrtarisht klubi e ka pezulluar pa afat lojtarin. Vendimi Burime pranë Klubit të Futbollit Flamurtari kanë bërë me dije dje për “Panorama Sport” se ditën e hënë, klubi vlonjat do të dalë me një qëndrim zyrtar për çështjen “Zeqiri”. Por burimet konfirmojnë se me shumë gjasa, mesfushori vlonjat nuk është më në planet e drejtuesve vlonjatë dhe pritet largimi i tij.

Gazeta zbulon se për të mos u penalizuar drejtuesit, nuk do të prishin kontratën me Zeqirin, por do ta detyrojnë atë që të stërvitet me ekipin e të rinjve. I pyetur dje nga gazeta për këtë situatë, Zeqiri nuk ka pranuar të japë shumë komente, por është shprehur se pret komunikim me shkrim.

Idrizi I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, administratori Sinan Idrizi nuk ka pranuar që të komunikojë asgjë në lidhje me çështjen “Zeqiri”, por është mjaftuar duke thënë se te Flamurtari nuk ka komandantë, por vetëm ushtarë. Administratori i klubit ka theksuar se për këtë çështje do të dilet me qëndrim zyrtar në ditët në vijim.

“Nuk dua që të komentoj asgjë në lidhje me këtë çështje që ju më pyesni. Vetëm dua që të them se te Flamurtari nuk ka komandantë, por duhet të ketë vetëm ushtarë. Në ditët në vazhdim do të kemi një qëndrim zyrtar. Por mua presion nuk më bën dot njeri, ta harrojnë. Pas ndeshjes me Besëlidhjen, jam shumë i zhgënjyer. Asnjë nuk është më i sigurt pas atij turpi. Për mua aktualisht nuk ka te Flamurtari as kokë e as këmbë. Kanë edhe një shans të fundit”, u shpreh Idrizi.

ERMA SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"