Dita historike, 4 mijë korçarë drejt Elbasanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2015 | 16:31

Dita historike, 4 mijë korçarë drejt Elbasanit

ujqerit-e-debores-02Numërimi i orëve mbrapsht tashmë ka nisur. Thuajse gjithçka është gati për Skënderbeu-Milsami. Një ndeshje që përkthehet me histori dhe realizimin e ëndrrës jo vetëm për korçarët, por edhe të të gjithë shqiptarëve. Pasditja e së mërkurës do të sjellë edhe “zbrazjen” e qytetit juglindor, pasi pjesa më e madhe e sportdashësve do të nisen drejt Elbasanit.

Ky qytet do të jetë “foleja” e bardhekuqve mbrëmjen e sotme, pasi në orën 20:45, kampionët e Shqipërisë do të zbresin në fushë për të siguruar kualifikimin, duke qenë se edhe rezultati 0-2 në Moldavi i bënë më shumë se favoritë. Në ditën më të rëndësishme të klubit bardhekuq, kur Skënderbeu është fare pranë kalimit për në fazën e grupeve të Europa Ligës, të gjithë janë me sy nga “Elbasan Arena”, atje ku do të jepet edhe verdikti final për këtë arritje historike. E gjithë Korça është në këmbë dhe, për një ditë, qyteti do të duket disi i boshatisur, pasi të gjithë do të zhvendosen në Elbasan. Duke iu referuar biletave të shitura, pritet që më shumë se 4000 korçarë të lënë sot qytetin juglindor për të shkuar në Elbasan, ku do të mbështesin beniaminët e tyre.

Organizimi është thuajse perfekt dhe me të gjitha është marrë vetë klubi, i cili, për t’ua bërë më të lehtë ultrasve, ka siguruar edhe transportin falas. Jo pak, por 24 autobusë do të nisen për të “pushtuar” Elbasanin. Megjithatë, ky është numri i konfirmuar deri mbrëmjen e djeshme, pasi në bazë të rritjes së interesit, do të shtohen edhe autobusët. Mjetet do të jenë të parkuara përpara stadiumit “Skënderbeu” dhe nisja do të bëhet e organizuar dhe në autokolonë. Klubi, së bashku me kryesinë e tifozëve, ka lajmëruar se autobusët do të nisen në orën 16:30, në mënyrë që të mos krijohet asnjë konfuzion dhe që bardhekuqtë të akomodohen lehtësisht në tribunën e tyre afro 2 orë para nisjes së ndeshjes me Milsamin. Por nuk do të jenë të pakët edhe ata që do të nisen me makina private drejt “Elbasan Arena”-s. Korça sot do të jetë e qetë, ndërkohë që Elbasani do të oshtijë dhe objektivi i të gjithë korçarëve është që festa më e madhe të nisë fill pas vërshëllimës së arbitrit. Ll.Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"