Dëshmitar i dy epokave, ish-mesfushori Duka: Elbasani të mendojë për ngjitjen, jo titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 29, 2024 | 12:45

Dëshmitar i dy epokave, ish-mesfushori Duka: Elbasani të mendojë për ngjitjen, jo titullin

Elbasani duket në rrugën e duhur për tu rikthyer në Superiore, aty ku mungon fiks prej 10 vitesh. Një dekadë pritje, e cila shpresohet të marrë fund në maj të këtij viti. Endri Duka është dëshmitar i dy epokave të këtij Elbasani, situatës së vështirë me Elbasanin e vjetër dhe asaj pozitive me këtë aktualin.

duka endri

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, ish-mesfushori që vari “këpucët në gozhdë” këtë edicion, pohon se skuadra aktuale po kthen lavdinë që meriton qyteti. Sipas tij, mosarritja e vendit të parë nuk duhet të bëhet dramë dhe të mos mendohet për të, por të shihet përpara dhe të merren ndeshjet me radhë.

“Është një sezon që deri–diku besoj se ka shkuar ashtu siç pritej. Objektiv kanë pasur ngjitjen në Superiore dhe mes gjithë atyre skuadrave që kanë pretendime, Elbasani është në zonën që e siguron këtë pozicion. Për më tepër, fazën e tretë e nisin me një distancë sigurie, që jam i bindur se do ta menaxhojnë ashtu siç duhet”, u shpreh fillimisht 36-vjeçari.

VENDI I PARË – Fakti që Elbasani nuk mori dot vendin e parë pas barazimit në Ballsh, për Dukën nuk ka pse fryhet shumë, sepse ka ende kohë për ta arritur këtë synim, i cili mbi të gjitha ka një vlerë më shumë morale. “Mendoj se barazimi e mban plotësisht në lojë për vendin e parë. Nuk ka arsye pse të diskutohet më kjo çështje. Është edhe një fazë e plotë për t’u luajtur, plus edhe një tjetër ndeshje direkte.

Vendi i parë është aty dhe janë të gjitha mundësitë për tu arritur. Momentalisht nuk duhet ta mbajnë mendjen aty, por të shohin ndeshjet me radhë”, vijoi më tej Endri Duka, i cili ka besim se Elbasani ka potencialin për të përmbysur gjithçka në favor në pjesën e mbetur.

SITUATA – Duka është ndër ata lojtarë që provoi vitet e “vuajtjes” me Elbasanin e vjetër dhe ringritjen me ekipin aktualin. Për të, e rëndësishme është që qytetit po i kthehet lavdia që i takon në futbollin shqiptar. “Në 10 vitet e fundit kemi kaluar situata të vështira me Elbasanin (e vjetër), për problemet që dihen. Personalisht ndihem krenar dhe me fat që pata mundësinë të luaja me të dy skuadrat, pavarësisht situatave.

Më ekipin aktual ngjitëm shkallët një e nga një dhe menjëherë dhe ndoshta jo të gjithë besonin. E rëndësishme është që këtij qyteti dhe kësaj skuadre po i kthehet lavdia që i takon, në mënyrë që vitin tjetër të jetë në elitën e futbollit shqiptar”, mbylli prononcimin e tij për gazetën ish-mesfushori i Elbasanit.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"