Derbi Apolonia-Lushnja, dy mjeshtër përjashtojnë barazimin: Asist për Pogradecin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2020 | 10:24

Derbi Apolonia-Lushnja, dy mjeshtër përjashtojnë barazimin: Asist për Pogradecin

Sa herë luhet derbi Apolonia-Lushnja kthehet në epiqendër të debatit sportiv, para dhe pas ballafaqimit. Përplasja reale luhet në fushë, por kataliza vjen nga përballja mediatike mes faktorëve të dyanshëm dhe nis shumë javë përpara. Edhe këtë herë nuk kanë munguar “thumbimet” nga secila palë, duke synuar karikimin e ekipit të zemrës në derbin “postpandemi”. Ndryshe nga “fanatikët”, ka edhe zëra objektivë. “Panorama Sport” ka marrë opinionin e dy figurave të njohura, dy “Mjeshtër Sporti”, nga Lushnja Xhavit Sefën dhe nga Fieri Romeo Haxhiajn, të cilët japin një mesazh domethënës sportiv, tej ngarkesave emocionale, edhe pse secili do fitoren e ekipit të vet.Lushnja-Apolonia

SEFA – “Është sfidë interesante kurdo që të luhet, sepse të tilla janë këto dy skuadra, aktualisht pretendente kryesore. E kam thënë se këto dy ekipe do ndajnë dy vendet e para. Pogradecin, pavarësisht ecurisë së deritanishme dhe respektit që kam, nuk e shoh në krye. Ja pse Apolonia-Lushnja është garë e fortë dhe e bukur. Futbolli luhet për publikun, ndaj një ndeshje pa tifozë duket si ‘jetime’. Megjithatë, besoj se skuadrat do japin maksimumin. Kur bëhet fjalë për dy ekipe me traditë dhe histori, nuk ka vend për deklarata të ekzagjeruara, as për kthim pas, sepse do luajnë të tjerë futbollistë dhe në tjetër kohë. Deklaratat janë të bukura për t’u lexuar dhe shërbejnë deri diku për të motivuar skuadrat, gjithmonë pa kaluar caqet. Ndërprerja ka bërë të vetën dhe nuk është e lehtë të bësh një parashikim. Di me siguri se do të jetë ndeshje e bukur dhe e fortë. Çdo skuadër ka “armët” e veta, Apolonia anën fizike, Lushnja përvojën. Fiton skuadra që gabon më pak. Ky derbi mund të ndikojë në fatin e sezonit, por nuk besoj se do jetë vendimtar, pasi janë edhe 5 javë të tjera. Barazimi do ishte një ‘asist’ për Pogradecin, ndaj them se nuk do jetë ky rezultat në këtë ndeshje. Apolonia dhe Lushnja e meritojnë të dyja të jenë në Superiore”, u shpreh Xhavit Sefa për “Panorama Sport”.

HAXHIAJ – “Do ishte mirë që derbi të luhej para 3 muajsh, pasi skuadrat ishin më në formë. Gjithsesi, mbeten në nivel të lartë interesi, grinta dhe konkurrenca, kur bëhet fjalë për dy rivalë tradicionalë. Pa tifozë humb pjesa dërrmuese e spektaklit, humb nuanca esenciale, por skuadrat do të jenë aty dhe besoj se do luajnë edhe për kënaqësinë e publikut të munguar. Një stadium bosh ia zbeh bukurinë një derbi të fortë, sidomos me diferencën e ngushtë që kanë momentalisht këto ekipe. Thumbimet? Vlejnë dhe nuk vlejnë, jo gjithmonë kanë kahe pozitive. Futbolli nuk është ‘histori’, por luhet sot për sot. ‘Thumbimet’ mund t’i motivojnë lojtarët, por ndeshja nuk luhet me statistika e deklarata, as me dëshirë të faktorëve të jashtëm, por me atë që japin skuadrat në fushë. Është luftë psikologjike, si puna e boksierëve para betejës në ring.

Haxhiaj

Edhe kjo pjesë ka rëndësinë e vet. Derbet gjithmonë kanë qenë ndeshje të forta, të hapura e me rivalitet deri në fund, të paparashikueshme. Një parashikim? Ndeshje e vështirë, skuadrat vijnë pas një periudhe ‘izolimi’ dhe luhet pa tifozë. Lushnja ka përvojën, Apolonia ka freskinë fizike, dy skuadrat ia njohin vlerat njëra-tjetrës dhe kanë trajnerë që i drejtojnë që nga fillimi i sezonit. Të 3 rezultatet janë të mundshme. Fatin e kësaj ndeshjeje do ta vendosin skemat dhe strategjitë e trajnerëve. Barazimi nuk i intereson askujt, sidomos Lushnjës. Fitorja ka vlerë të dyfishtë, sidomos për Apoloninë, që është më afër kreut dhe shpreson te ndonjë gabim i Pogradecit. Askush nuk e do vendin e dytë, sepse me formulën e paracaktuar, shpresat për t’u ngjitur janë thuajse zero”, ka thënë Romeo Haxhiaj.

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"