Demollari, idhulli i rumunëve që e bëri presidentin me zemër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2015 | 17:17

Demollari, idhulli i rumunëve që e bëri presidentin me zemër

demollari

Nga UVIL ZAJMI

Takimi me një mik të vjetër italian, gaze tarin e njohur të “Guerin Sportivo”-s, tashmë në pension, Rosano Donnini, më ngjalli interesin për t’u marrë me një temë pak të informuar dhe treguar. Njohës i mirë i sportit të vendeve lindore, në veçanti të Ballkanit, i ardhur në Shqipëri për pushime, më kërkoi të bisedonte me Sulejman Demollarin. Por, ky takim nuk u realizua, për faktin se Demo ndodhej me pushime larg Tiranës. “Kam qenë në Bukuresht në muajin shkurt, i ftuar nga Steaua në 50-vjetorin e George Hagit, – më tha Donnini. – Në ceremoninë e organizuar, në një video-projektor, i pari ndërmjet 39 të intervistuarve nga e gjithë bota ishte Sulejman Demollari. Foli rumanisht. Demollari vlerësohet si mbret në Bukuresht. Në një sondazh të bërë atje, rezulton si lojtari i huaj më i mirë në Rumani”. Ishte kjo bisedë që më provokoi të interesohem se cila është “pjesa e dytë” e karrierës dhe sportistëve, në veçanti futbollistëve të njohur, protagonistë të kampionateve shqiptare, ndër të parët që u larguan për të luajtur me klubet e huaja menjëherë pas ’90-ës… Janë disa, por nga më spektakolaret, janë ato të Rudi Vatës te Sëlltiku, apo Lekbellos tek Arisi, e Bledar Kolës tek AEK-u. Por ajo e Demollarit është e veçantë: është i pari futbollist shqiptar që ka mundur të firmosë një kontratë profesioniste me një klub të njohur europian. I kërkova Donninit që të më ndihmonte me arkivin e tij dhe, pa hezitim, ai më dërgoi ato çfarë kishte.

demoKushti i Luçeskut: “Dua vetëm Demollarin”

Ai priste të luante në Greqi, në një klub perëndimor siç ishte Panathinakosi. Ky ishte premtimi i një menaxheri grek të quajtur Tasos, i cili erdhi në Shqipëri në fillim të viteve ’90, në qershorin e 1991-it, në “Qemal Stafa”, pas takimit Shqipëri-Islandë 1-0. Ndërkohë, një person, Vasil Toci, me profesion inxhinier, ish-student në vitet ’60 në Rumani, po e priste, e takon dhe i thotë: “Sule, kam një ofertë për ju nga Dinamo e Bukureshtit. Trajneri Luçesku ka kërkuar që nga Shqipëria të sillni vetëm Demollarin…”. Ishin disa ndeshje ku kishte tërhequr vëmendjen e tij: Dinamo T.-Çernomore 1-3 dhe 4-0, si dhe dy sfidat midis dy Dinamove një vit më parë. “Të gjitha janë të paguara”, i pat thënë Vasil Toci, i cili kishte realizuar pak muaj më parë transferimin e Agalliut tek Universitatea. Duke shfrytëzuar periudhën e pushimit, me linjën e famshme ajrore “Tarom”, që bënte një herë në javë BukureshtTiranë-Romë, Toci me Demollarin udhëtuan drejt Rumanisë. Një mjet i klubit i mori dhe direkt në zyrën e presidentit, ku ishte edhe trajneri Luçesku. Më pas, Demollari u largua për t’u sistemuar në hotel “Bukureshti”, ku në mbrëmje shkoi Vasili dhe i dha lajmin: “Demo, kontratë trevjeçare me 250 mijë dollarë. Ik merr familjen, javën tjetër të presin këtu”. Lajm i pabesueshëm, surprizë, aq sa të gjithë natën e kaloi si në ëndërr dhe qëndroi pa gjumë.

Ndarja me Dinamon dhe nënshkrimi historik

Me Dinamon u organizua një drekë lamtumire dhe, pas një jave, bashkë me babanë e ndjerë, të fejuarën, Vasilin dhe Mehdi Bushatin si përfaqësues të klubit u nisën për në Rumani. Rrugës për në Rinas, automjeti “Fiat” i një miku pëson një defekt në Kashar. U detyruan që ta shtynin dhe, për fatin e tyre të mirë, makina u ndez dhe vijuan rrugën për në aeroport. Ka qenë 12 qershor i vitit 1991, ora 14:00, kur poshtë shkallëve të avionit, në aeroportin “Otopen”, ndodheshin dy vetura luksoze. E çuan në hotel dhe të nesërmen në zyrat e klubit u krye nënshkrimi i kontratës në tri kopje: 250 mijë dollarë dhe tre vjet te Dinamo Bukureshtit. Më pas u zhvillua konferenca për shtyp, ku i kujtuan se një vit më parë kishte humbur një gol të sigurt kualifikues në minutën e 87-të (rezultati ishte 2-0 për Dinamon e Bukureshtit ndërsa me 2-1 kualifikohej Dinamo e Tiranës, pasi kishte fituar 1- 0 në Tiranë). Pak muaj qëndroi në hotel, bashkë me të fejuarën dhe, më vonë, erdhi martesa më 31 dhjetor në Tiranë. Më pas, një apartament dhe lindja e vajzës.

Shpërthen shtypi: “Un fotbalist de 24 de karate” (“Një futbollist 24 karat”)

Qershor, sapo mbërriti u nis për një turne miqësor në Holandë. Ndërkohë Luçeksu ikën te Breshia në Itali dhe trajner është Halagan, ndërsa drejtor sportiv Rinus Izrael, ish-lojtar i Fejnordit. Në triangolaren e zhvilluar midis Meshelen, Dinamo B. e Gallatasaraji, Demollari shënon dy gola ndaj Prodhom dhe një ndaj turqve, duke u shpallur goleadori dhe lojtari më i mirë i turneut. Pastaj ndeshja e parë në kampionat, Dinamo-Petrolul 6-0 me dy gola të tij (njëri me penallti). Debutimi është surprizë dhe gazetat e rubrikat sportive kanë shpërthyer me vlerësime superlative: “Futbollisti 24 karat që merr Dinamo’… ‘Demollari jep asist, shënon dhe jep leksion katedre’… ‘Dinamo gjen një lider’… ‘Zotëron një teknikë individuale për t’u pasur zili”. Shumë shpejt fitoi simpatinë e të gjithëve, duke u shndërruar një sportist mjaft popullor.

deMe çarterin e Causheskut, Demo frikë nga avioni

E ka pasur dhe e ka ende shumë frikë avionin. Mundësisht preferon të udhëtojë me automjet, por gjatë karrierës së tij diçka e tillë ka qenë e pamundur, pasi gjithmonë është nevojitur avioni. Megjithatë, në Rumani ai ka pasur fatin të udhëtojë me avionin e ish-presidentit të vrarë, Caushesku. Klubi i Dinamos, në çdo transfertë të largët, sidomos jashtë Rumanisë, e merrte me qira. Ai ishte një avion i madh Boing, me krevat brenda, shumë komod, i cili ruhej dhe shfrytëzohej për të tilla lëvizje. Ndërsa për familjarët, fëmijët dhe persona të tjerë, klubi merrte njëkohësisht një avion të dytë. Bashkëshorten e ka pasur gjithmonë në stadium. Ajo e ka ndjekur në çdo sfidë, si brenda edhe jashtë Bukureshtit në aktivitetet europiane.

Transferimi i Mingës në Rumani

Është realizuar në ajër. Pas një turneu në Athinë dhe fitores në miqësore 2-0 ndaj Panathinaikosit, të nesërmen në një lokal në sheshin Omonia, bashkë me tre lojtarë rumunë u takua me Arben Mingën që aktivizohej aty. Rumunët e kanë njohur, pasi ai dhe Josa i kishin ndëshkuar në Bukuresht pak kohë më parë. Lindi ideja për ta marrë Mingën te Dinamo. Në udhëtimin e kthimit, në avion ishin Demollari dhe kapiteni Mihaesku. Ata i kanë propozuar presidentit Janolu për Mingën. Përgjigja ishte aprovuese, madje ai shfaqi interes edhe për Josën e Muçën. Në pak ditë u bë gati viza dhe Minga zbriti në Bukuresht bashkë me gruan Nora dhe të birin. Kontrata dhe kalimi në formë borxhi te Brahila, skuadër në Kategorinë e Parë, satelit i Dinamos së Bukureshtit. Pastaj, erdhën Musta, Canaj, Bozhiqi, të gjithë të mbështetur dhe me garancinë e Demollarit.

Fanella me numër 11, e pandarë

“Demo”, kështu e kanë thirrur. Gjatë tre viteve në Rumani, në fanellën me ngjyra vertikale bardhëkuqe, me simbol një qen të kuq, ka luajtur me numrin 11. Kur mbërriti te Dinamo të gjithë ishin lojtarë të skuadrave kombëtare e të asaj Shpresa dhe kishin privilegjin të zgjidhnin numrat nga 1-11. Demo ishte më i riu në atë mjedis dhe, pasi futbollistët e tjerë morën numrat e preferuar, atij i mbeti fanella me numër 11 e lirë. “Atëherë më takon mua kjo fanellë”, u pat thënë Demollari zyrtarëve. Interesante, në fakt, sepse që nga Dinamo e Tiranës, tek ajo e Bukureshtit, por edhe në Kombëtare ka luajtur gjithnjë me numrin 11.

Goli në derbi

Pas tri javësh derbi me Steauan. Ndeshja luhej në stadiumin “Dinamo”. Për Demollarin ishte i pari jashtë kufijve shqiptarë, por i njëjtë në shumë drejtime me ato kundër 17 Nëntorit e Partizanit (Dinamo skuadër e Ministrisë së Brendshme, Steaua e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Rapidi i Klasës Punëtore). Si në çdo vend derbi nuk luhet, por duhet të fitohet. Kjo ishte e vlefshme edhe në Bukuresht. Shumë spektatorë, tension, ndeshje e vështirë. Pjesa e parë u mbyll 0-0. Të gjithë ishin kureshtarë dhe prisnin të shihnin me pa durim performancën e Demollarit. Dhe nuk i ka zhgënjyer. Fiton Dinamo me një gol spektakolar të tij në minutën e 63-të. “Demolari, Demolari e muore militari!” (“Demollari, Demollari dhe vdekje ushtarakëve”), – thërriste stadiumi.

Vetëm një karton i verdhë

Kampionat, Piatra Nems-Dinamo Bukuresht, 1-0 për vendësit. Brenda zonës, Demollari pretendon për një 11-metrësh, por Kracinesku, një ndër arbitrat më autoritarë të Rumanisë, i FIFA-s dhe i finales Milan-Benfika në Vjenë, vazhdon lojën. I nervozuar e ka ndjekur dhe, në protestë e sipër, e tërheq nga fanella. Ai ka ndaluar lojën duke e ndëshkuar me karton të verdhë kur dihej që një veprim i tillë ishte direkt i kuq. Pas ndeshjes, janë takuar në hollin e stadiumit dhe ai i ka thënë: “Ç’pate Demo? Të dhashë karton të verdhë se ishe ti!”. Në Bukuresht e kujtojnë si futbollisti që në tri sezone ka marrë vetëm atë karton, pasi ka qenë shumë korrekt.

Minuta e fundit, “pushon” zemra e Janolu

Kjo është një tjetër perlë e tij… Ngjarja ndodhi në derbin ndaj Rapidit, që njihet për tifozërinë problematike, pasi janë shumë të zjarrtë. Pjesa e parë 3-1 për Dinamon, me dopietë të Demos. Në minutën 94-t, gjithçka ka ndryshuar dhe 4-3 për Rapidin. Është korne në favor të Dinamos dhe mbrojtësit e largojnë me kokë topin që përfundon te shqiptari. I ndodhur te harku i 16 metrave, me një goditje perfekte, shënon dhe barazim 4-4. “Kur shifrat ishin 4-3, presidenti Janolu u largua nga stadiumi, pasi e konsideroi të humbur ndeshjen. Minutat e fundit, ai e ka ndjekur në radio”. Këtë e ka zbuluar të nesërmen shoferi i tij, ndërsa kur Demollari shënoi golin e barazimit, presidenti pat pë- suar goditje në zemër dhe përfundoi në urgjencë. Atë ditë mbushej një vit e gjysmë pa asnjë humbje. Kampionati u fitua me 30 fitore dhe 4 barazime…

Në provim, “hakmarrja” e pedagogut

Të hënën pas 4-4 dhe golit në sekondat e fundit në derbi me Rapidin, gruaja e Demollarit, e cila vazhdonte Fakultetin e Filologjisë, dega Frëngjisht, kishte provimin e gjuhës frënge. Pedagogu, një tifoz i çmendur i Rapidit, sapo i pa mbiemrin, e ka njohur duke i thënë: “Atë që më ka bërë burri yt dje, po të ishe midis 4 dhe 5 do të të kisha vënë 4, por duke qenë se je në mes 9 dhe 10, do të vlerësoj me 9. Këtë e ke nga burri”. Megjithatë, pasi mori librezën e notave, ajo pa që pedagogu e kishte vlerësuar me notën 10…

Shumë i njohur për qeveritarët

Në Bukuresht, në një vizitë zyrtare të ftuar nga presidenti i Republikës Iljesku, ishin Sali Berisha dhe Azem Hajdari. Në darkën e organizuar në ambasadën shqiptare midis të pranishmëve ishte edhe Demollari. “Ju keni një sportist të famshëm që luan këtu në Bukuresht”, i pat thënë kreu i shtetit Sali Berishës. Ky i fundit kishte kërkuar ta takonte, pasi nuk e njihte më parë. Ndërsa Azem Hajdari po, pasi ishte miku dhe tifozi i tij e i Dinamos. Fama e tij në Rumani është ndier edhe nga drejtues të tjerë të shtetit shqiptar, kur kanë udhëtuar apo qëndruar atje për motive pune.

Kur shtypi italian dyshonte…

“Dyshime për Demollarin, është me të vërtetë i dëmtuar?”. Kështu shkruante Guerin Sportivo në prag të takimit Xhenoa-Dinamo Bukuresht për Kupën UEFA, duke e interpretuar si një taktikë mungesën e tij në stërvitje një ditë para ndeshjes. “Pas një orë stërvitjeje në Luigji Ferraris, trajneri i skuadrës së Dinamos, Halagian, deklaron se Demollari me 99% nuk do të jetë në fushë, për shkak të një tërheqjeje”. Ndërkohë ka ndërhyrë presidenti i Dinamos, Ianulu, i cili në italisht shprehet: “Për fat të keq duhet të luajmë pa golashënuesin dhe kapitenin e Kombëtares shqiptare, Demollari. Por, ai do të jetë në takimin e kthimit. Një barazim do të ishte ideal. Jemi të sigurt se kualifikimi do të vendoset në Bukuresht, në stadiumin tonë”. Ndërsa me Alegrin, trajnerin aktual të Juventusit, janë përballur dhe kanë qenë në fushë në takimin Kaljari-Dinamo Bukuresht, sërish në Kupën UEFA. Por, fitoret pas kualifikimeve me Lahtin, Sportingun e Figos dhe ndeshjet me Olimpik Marsejën që drejtohej nga dyshja TapiBekenbauer mbeten të paharruara. Ka qenë ndër lojtarët më të mirë të atyre sfidave.

Lotët e presidentit pas hekurave

Vasile Janul (nuk jeton) ka qenë dhe mbetet njeriu unik për Dinamon, për Demollarin dhe për shqiptarët. Me profesion jurist, ish-futbollist, në Tiranë kishte qenë në vitet ’70 në Kupën Ballkanike. I akuzuar për evazion fiskal, lidhur me transferimet e lojtarëve, kur ishte president i klubit, e patën arrestuar dhe ndodhej në burg në hetim e sipër. Ishte viti 2000 dhe Demollari ndodhej në Rumani. Ish-mesfushori shkoi ta takonte dhe ai u prek tej mase: “Demo, ke marrë rrugën nga Shqipëria dhe vjen që të më takosh mua në burg?!”, i pat thënë duke shpërthyer në lot…

Pak muaj te Steaua, takimi me Dukadan

Ishte viti 1994, muaji korrik dhe i kishte mbaruar kontrata me Dinamon. I vjen një ftesë nga drejtuesit e Steauas. Oferta është njëvjeçare, trajneri Emerik Jenei, ishtrajneri i kampiones së Europës ’86, e pëlqen, dhe në mjediset e klubit të parin që takon ka qenë Dukadan, President Nderi, portieri që priti penalltitë në fitoren e famshme ndaj Barcelonës. Ishte krejt normal dhe pa dëmtime në duar siç flitej. Pa e zgjatur, u nis me skuadrën për në Brashovë, në kompleksin e klubit për fazën përgatitore ku gjeti Lakatushin, kapitenin e njohur të Steauas. Por, qëndrimi te Steaua nuk u realizua, pasi tifozët e Dinamos protestuan duke i detyruar drejtuesit të mos e linin të largohej te një ekip rival. Në nëntor të ’94-ës ndahet miqësisht me Dinamon dhe niset në Greqi, pasi kishte një ofertë nga Panioniosi (24 ndeshje-1 gol). 1 vit atje dhe sfidat në derbin athinas (i vetmi lojtar që mund të ketë luajtur tre derbi të shteteve të ndryshme), pastaj një transferim i shkurtër në Hungari me Rabat Gyor (5 ndeshje-1 gol), skuadër modeste dhe në 1997 tërheqja nga futbolli profesionist. Ishte 33 vjeç, karriera është mbyllur, ndonëse vazhdoi edhe për pak kohë në Kieti të Italisë.

Kronika rozë dhe “Benzi” nga Musta

Asnjëherë nuk ka rënë viktimë e aparateve të paparacëve rumunë. E kanë ruajtur, ndjekur, kudo dhe në çdo kohë e moment, siç veprohet me futbollistët apo njerëzit publikë. Por jeta e Demollarit në Bukuresht ka qenë shumë e kufizuar, pa abuzime: shtëpi, stërvitje, familje. Asnjëherë në “night club”, një regjim tejet profesionist. Në plazh preferonte të shkonte në Kostanca dhe në Rumani ka lëvizur me një veturë “Renault” që ia kishte dhënë klubi. Ndërsa për udhëtime jashtë shtetit bleu një “Benz Mercedez” që e mbante në oborrin e ambasadës. Ishte Perlat Musta, miku, shoku i skuadrës te Dinamo e në Kombëtare, që e shtynte: “Merre, blije një ‘Benz’, janë të pavdekshëm…”.

Kthimi në Bukuresht

Pas largimit është rikthyer disa herë. Ishte viti 2000, kur ndodhej në Itali dhe i erdhi një ftesë për një përvjetor të klubit, duke luajtur në një miqësore me veteranët, Dinamo-Steaua 4-4. Ishte Demollari autori i golit të fundit. Pastaj me Dinamon e Tiranës në sfidën kundër Dinamo Bukureshtit, për Champions League, në vitin 2002. Dhe e fundit kur ndërmjetësoi për transferimin e Bakajt te Dinamo Bukuresht në janarin e 2011-s. Kanë nostalgji për të.

Çfarë dha e mori nga Dinamo…?

Kur u transferua në Bukuresht kishte një karrierë të gjatë, të vlerë- suar dhe plot me evenimente. 17 vjeç kishte debutuar me Dinamon e Tiranës dhe nga 1981- 1991 (rreth 250 ndeshje- 100 gola), për 10 vjet ka qenë protagonist absolut, kapiten i saj dhe i Kombëtareve Shpresa e asaj “A”, deri në vitin 1996 (45 ndeshje-1 gol). Një lojtar i gjithanshëm dhe i kudondodhur, një ndër talentet e mëdha të futbollit shqiptar. Pastaj tri sezone te Dinamo e Bukureshtit kur ishte 28 vjeç, madje në disa ndeshje edhe kapiten i saj (100 ndeshje-36 gola). Te klubi i famshëm rumun, nga ndeshja e parë deri tek e fundit, ka qenë lojtar stabël dhe ka një kontribut të madh në fitimin e një kampionati, dy herë nënkampion, si dhe shënues me 18 gola në sezonin e parë. Nga Rumania është larguar duke lënë pas famën, që e ndjek edhe sot kur zbret atje, apo kur rumunët vijnë në Shqipëri. “Demo, sikur të ishe tre vjet më ri…”, thoshin gjithmonë. Ruan fanellën, një kopje të kontratës dhe miqësinë me Vasil Tocin, ndonëse inxhinieri jeton më shumë në Bukuresht, por gjithsesi i është mirënjohës. Ishte ai që do t’i ofronte atë transferim të bujshëm, pas atij takimi në qershorin e largët të 91-shit!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"