Debutim fantastik në Superiore, Gresild Lika tregon kontratën me Luftëtarin dhe… Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Mars 23, 2020 | 17:30


Debutim fantastik në Superiore, Gresild Lika tregon kontratën me Luftëtarin dhe… Partizanin

Gresild Lika tentoi të debutonte në Kategorinë Superiore me Partizanin, por klubi i kuq, aty ku dhe u formua si futbollist, nuk i besoi kur mesfushori me tipare sulmuese mbushi moshën për t’u larguar nga ekipi U-19. Pas “stazhit” në Kategorinë e Parë me Dinamon dhe Korabin, Lika u transferua te Luftëtari në verën e vitit 2019. Ky sezon është debutues për 22-vjeçarin në elitë. Në Gjirokastër kanë shpërthyer në katër vitet e fundit lojtarë që sot janë ndër më të mirët në rolin e tyre në kampionatin shqiptar, pikërisht Dejvi Bregu, Kristal Abazaj, Eduard Rroca dhe Vasil Shkurtaj.Griseld Lika

Edhe i riu kryeqytetas kërkon të ndjekë rrugën e tyre. Ai është aktivizuar me Luftëtarin në 20 ndeshje, ndërsa ka shënuar 4 gola, duke qenë golashënuesi më i mirë i ekipit. Në këtë periudhë pause, Lika është ngujuar në shtëpi pas përhapjes së koronavirusit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai tregon për ditët pa futboll, stërvitjen individuale dhe vazhdimësinë me Luftëtarin.

Gresild, si po e shtyn ditën dhe a i ke respektuar rregullat pas përhapjes së koronavirusit?

Si të gjithë, edhe unë po qëndroj në shtëpi dhe zbatoj me fanatizëm çdo gjë që na është këshilluar. Izolimi në shtëpi na bën më shumë se mirë. Është e vetmja mënyrë për të shmangur prekjen nga koronavirusi që po merr jetë njerëzish. Personalisht kam qëndruar gjithë ditën në shtëpi, pasi vetëm kështu ruaj veten, familjen, të afërmit e mi dhe të tjerët. Respektoj me përpikëri ligjet e higjenës. Gjithashtu bëj stërvitje në shtëpi me aq sa mundësi kam.

Thatë që bëni edhe stërvitje në kushte shtëpie…

Po, bëj ushtrime rregullisht për të mos shtuar peshë. Bëhet fjalë për ushtrime të programuara, si izometri, pompa, muskuj  barku dhe shpine. Natyrisht, të gjitha këto në kushte shtëpie.

Ke folur me shokët e skuadrës?

Po, kam folur me çunat. Ata kanë kujdes, por jo frikë, siç thotë edhe kryeministri i vendit. Të gjithë po bëjnë stërvitje me aq mundësi sa kanë, disa në terren dhe të tjerë në kushte shtëpie. Ne jemi shokë të mirë me njëri-tjetërin. Flas rregullisht me pjesën më të madhe dhe i urojmë njëri-tjetërit kalim sa më të shpejtë të pandemisë.Lika

Të erdhi keq që kampionati u ndërpre në momentin tënd më të mire, teksa arrite në kuotën e katër golave?

Sigurisht më erdhi keq dhe u mërzita, sepse isha në formën time maksimale. Po besoja më shumë te vetja dhe shokët e skuadrës për mundësitë që kishim. Fakti që kam shënuar katër gola, më bën optimist për vazhdimësinë. Ndihem mirë edhe falë punës së mrekullueshme që po bëjmë me profesor Novin. Kemi arritur të kuptojmë nga trajneri lojën që na përshtatet dhe dimë të bëjmë më mirë. Çdo skuadër do ketë probleme me ne dhe këtë e ka treguar fusha. Fryma që ka përçuar trajneri në grup do e bëj dhe më të fortë Luftëtarin në të ardhmen.

Kur besoni se mund të rinisë kampionati?

Askush s’mund të thotë se kur do nisë kampionati. Megjithatë, deri atëherë gjithsecili nga ne duhet të bëj mire me aq mundësi sa ka për stërvitjen. Shpresoj që gjithçka të kalojë me sa më pak dhimbje. Shëndeti në radhë të parë, pastaj futbolli.

“Panorama Sport” ka zbuluar se jeni në planet e Partizanit për sezonin tjetër. Keni biseduar me klubin e kuq?

Të ardhmen time e di klubi i Luftëtarit. Edhe sikur të mbaroja kontratën, do merrja në konsideratë vendimin e Luftëtarit, pasi ishte ky klub që besoj tek unë në Superiore. Kam një kontratë 3-vjeçare dhe do e respektoj. Nuk e kam për turp që të luaj edhe në Kategorinë e Parë me Luftëtarin. Nga Partizani konkretisht nuk më ka ardhur ofertë. Jam i vendosur për të dhënë më të mirën për Luftëtarin.

Tomor Shehu




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com