Cevoli, i zhgënjyer: Nuk mund të bëja mrekullinë për 15 ditë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2016 | 17:40

Cevoli, i zhgënjyer: Nuk mund të bëja mrekullinë për 15 ditë

Vetëm 15 ditë ka zgjatur aventura e trajnerit italian, Roberto Cevoli, në krye të Teutës. Ai është shkarkuar nga detyra pas ndeshjes së humbur me Vllazninë në Shkodër. Cevoli debutoi ndaj Skënderbeut në transfertë, ku durrsakët u mposhtën minimalisht në minutat shtesë, ndërsa më pas mori fitoren e parë në kampionat ndaj Luftëtarit.

Cevoli

Teuta duket se nuk gjen rehat me trajnerët, teksa që pas largimit të Gugash Maganit pas përfundimit të sezonit 2015- 2016, ka pasur plot katër ndryshime. Fillimisht ekipin e drejtoi Julian Ahmataj, më pas Gentjan Begeja dhe për të vazhduar me italianët Bexhi dhe Cevoli. Ky i fundit, dje, në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, u shpreh i zhgënjyer për aventurën e shkurtër në Durrës. Ai ndihet keq për faktin që u largua shpejt dhe se me lojtarët kishte nisur të kuptohej mirë.

Reagimi

“Ndihem keq për largimin nga Teuta, pasi këtu po ambientohesha. Djemtë po mësoheshin me mua dhe loja e ekipit po rritej. Ndiej keqardhje për skuadrën dhe Ardian Bardhin, pasi projekti u ndërpre këtu. Në fillim m’u propozua një projekt dyvjeçar, por u mbyll për dy javë. Askush nuk mund të bëjë mrekullinë në kaq pak kohë, aq më tepër duke parë situatën e Teutës.

Në ndeshjen e parë humbëm në kohën shtesë dhe ndaj ekipit kampion në fuqi. Në të dytën fituam, duke marrë tri pikët e para, ndërsa humbja në Shkodër erdhi si rezultat i një goditjeje standarde. Mirëpo, ndaj Vllaznisë ekipi zhvilloi një pjesë të parë të mrekullueshme. Pra, nuk mund të pretendohej që në tri ndeshje të merrja tri fitore në kushtet e Teutës, edhe pse e përsëris që ekipi po rritej dhe po zhvillonte lojëra të bukura.

roberto cevoli

Gjërat që i kemi në dorë i bëjmë dhe kemi punuar më shumë se 12 orë në ditë për ekipin. Disa gjëra të tjera nuk varen nga ne dhe kjo është arsyeja e largimit nga skuadra. Unë i besova një projekti dhe për këtë arsye e pranova ofertën. Ky largim i shpejtë nuk është aspak i mirë për reputacionin tim.

Gjithsesi, unë i uroj suksese klubit dhe lojtarëve me trajnerin e ardhshëm dhe të kalojnë këtë situatë jo të këndshme për ta”, deklaroi për “Panorama Sport” trajneri italian pas largimit nga ekipi durrsak. Ndërkohë, së bashku me Cevolin, është larguar nga Teuta edhe përgatitësi atletik, Marko Torelli.

Jeton Rexhmati

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"