Bylisi i karikuar, Arian Bellai: Dua 11 luftëtarë në fushë me Laçin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2022 | 10:01

Bylisi i karikuar, Arian Bellai: Dua 11 luftëtarë në fushë me Laçin!

Bylisi do të ketë mungesa kundër Laçit, një ndeshje që do të luhet të dielën në orën 13:00 në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit. Kapiteni Stivian Janku ia dalë të riaftësohet, por nuk mund të thuhet kështu për mesfushorët Xhoel Maçolli dhe Eskuerdinja, si dhe sulmuesin Antoni. Gjithsesi, trajneri Arian Bellai është i bindur se këtë herë skuadra do të tregojë potencialin e vërtetë, për t’i rikthyer te fitorja në kampionat pas rreth tre muajsh. Në bisedën për “Panorama Sport”, gjirokastrit që drejton Bylisin theksoi se pret 11 luftëtarë në fushë.

ARIAN BELLAI

“Në këtë periudhë pauze kemi punuar me një program special, të koordinuar me të gjithë komponentët e domosdoshëm për ta shfrytëzuar në maksimum ndërprerjen.

Gara ka të papriturat e veta, por shpresoj që oscilacionet t’i kemi lënë pas.

Janë rikuperuar disa lojtarë si Loran apo Lajthia, por kemi probleme me Maçollin dhe Eskuerdinjën. Antoni ka pësuar dëmtim të rëndë dhe realisht na shqetësojnë këto probleme, por do të bëjmë më të mirën me ata lojtarë që janë gati.

Të gjithë çunat e kanë të qartë rëndësinë e madhe të kësaj ndeshjeje, që ne duhet ta fitojmë. Kampionati është i gjatë dhe ka surprizat e veta, por ne kemi bërë lojë bindëse dhe kemi merituar më shumë pikë.

Kam besim se do të vijë kthesa dhe pas këtij pushimi do të jemi ndryshe. Bylisi është ndeshur me të gjithë dhe ju them me bindje, askush nuk e ka dominuar, asnjë ekip!

Kështu që me një kontingjent të tillë dhe me një grup djemsh të shkëlqyer, unë kam besim se Bylisi do të jetë njësoj si në startin e këtij kampionati.

Kam shumë besim të djemtë se do të na nderojnë që në ndeshjen me Laçin. Unë ua di kapacitetin atyre”, ka thënë Bellai. Në fund trajneri bëri një koment edhe për kundërshtarin.

“Laçin e vlerësojmë, por u kam thënë edhe djemve, që ne e kemi si finale dhe dua 11 luftëtarë në fushë. Është një ndeshje që ne duhet ta fitojmë për veten tonë dhe për të shtuar oksigjenin. Të nderojmë fanellën, veten dhe tifozët tanë”.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"