Bregu rikthim emocionues në Gjirokastër: Skuadrën e kishte marrë mallin, ja si më pritën

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Qershor 23, 2018 | 20:40

Bregu rikthim emocionues në Gjirokastër: Skuadrën e kishte marrë mallin, ja si më pritën

Dejvi Bregu rikthehet në shtëpi, pikërisht te Luftëtari, por këtë herë për të luajtur në Ligën e Europës me fanellën bluzi. Praktikisht, nuk ishte larguar për asnjë moment. “Kam bërë vetëm disa ditë pushime më shumë se ekipi. Është ndjesi e njëjtë, sepse këtu jam në shtëpinë time. Europa është vitrina më e mirë për mua, që më pas të realizoj ëndrrën të luaj në një skuadër jashtë vendit”, thotë fillimisht vlonjati në një bisedë për “SuperSport”.

Bregu

22-vjeçari zbuloi emocionet dhe pritjen e rezervuar nga shokët e ekipit. Arena ndërkombëtare është një trampolinë, me sulmuesin që kërkon të japë prova të kualitetit të tij, ndërsa ëndërron edhe ftesën e Kombëtares. “Prej momentit kur hyra në derën e stadiumit, më pritën me duartrokitje. I kishte marrë malli si duket. Nëse nuk do të luaja në Europë, do të isha shitur diku, por kështu shfrytëzoj Europën dhe njëkohësisht ndihmoj ekipin. Interesi është i përbashkët. Kombëtarja mbetet një ëndërr për mua, që do ta realizoj me punë”, shton sulmuesi i krahut. Për sfidën me letonezët e Ventspils, Bregu kërkon përqendrim maksimal për të synuar kalimin në turin e dytë të Ligës së Europës dhe përballjen në duelin me francezët e Bordo. Besimi dhe optimizmi nuk mungojnë në Gjirokastër. “Kundërshtari mund të duket i lehtë në letër, por ashtu mund të na shohin edhe ata ne. Gjithsesi, duhet të përgatitemi maksimalisht që të arrijmë ndeshjen me Bordonë. Asgjë nuk është e paarritshme. Ky grup ka bërë gjëra të mrekullueshme dhe pse jo të bëjë gjëra të jashtëzakonshme edhe në Europë”, deklaron Bregu, i cili në janar u shit te Skënderbeu, por nuk luajti asnjë minutë për korçarët.

TRESHJA A-B-RR

Në dy sezonet e fundit, Luftëtari mahniti mbi të gjitha prej treshes Bregu, Rroca, Abazaj, me këtë të fundit që u transferua tek Anderlehti në Belgjikë. Mungesa e Kristalit rrit përgjegjësinë te dy yjet e mbetur në ekip në pjesëmarrjen historike të bluzinjve në Europë. “Kemi më shumë përgjegjësi sepse njerëzit na kanë parë të tre bashkë. Kemi qenë familje, si në fushë ashtu edhe jashtë. Jam krenar që kam qenë pjesë e këtij grupi në dy vjet e gjysmë. Premtoj maksimumin, siç kam dhënë deri më tani, e ndoshta edhe më tepër, sepse pjesëmarrja në Europë është diçka speciale për ne”, përfundoi ylli i Luftëtarit.






www.minuta90.com