Blerim Kotobelli: Teutës nuk i falet një gabim i tretë në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2024 | 12:44

Blerim Kotobelli: Teutës nuk i falet një gabim i tretë në Korçë

Në vigjilje të ndeshjes kundër Skënderbeut në Korçë ka folur kapiteni Blerim Kotobelli. Në një intervistë për “Panorma Sport” ai ka evidentuar rëndësinë e kësaj transferte për Teutën, së cilës, sipas tij, i bëjnë punë vetëm 3 pikët pas dy humbjeve radhazi. Mbrojtësi i durrsakëve thekson se nuk duhet parë renditja, por duhet sakrifikuar në çdo 90-minutësh radhe. Për Kotobellin, llogaritë duhen bërë në muajin maj.

kotobelli

Kotobelli, a është gati Teuta për duelin kundër Skënderbeut?

Nuk ka ndeshje të lehta në Superiore dhe veçanërisht në këtë kampionat, ku çdo kundërshtar është i rrezikshëm. Kemi nxjerrë mësime nga gabimet që bëmë me Laçin dhe tashmë jemi gati. Pas rezultateve jo të mira të dy ndeshjeve të fundit, besoj se në Korçë do të rikthehemi të marrim tri pikët. Nuk na falet të gabojmë përsëri.

Fitorja ju bën shumë punë, po barazimi sa vlen në këtë sfidë?

E dimë që është shumë e rëndësishme të fitojmë, sidomos pas ndalesës së javës së shkuar. Kemi humbur 2 ndeshjet e fundit dhe nuk duhet të gabojmë më. Duhet të rikthehemi te suksesi patjetër dhe sukses është fitorja.

Si është gjendja e skuadrës para kësaj ndeshjeje?

Gjendja është e mirë dhe nuk kemi mungesa. Jemi përgatitur me kujdes për aspektin mbrojtës, por edhe atë sulmues, sepse duhet të shënojmë. Për të fituar duhen bërë gjërat e duhura në ndeshje. Skënderbeu vjen në këtë ndeshje në një moment të mirë.

Sa ua vështirëson ky fakt lojën?

Sigurisht që për të dy ekipet është një situatë pak e shumë e njëjtë dhe nuk dua të flas për Skënderbeun. Pavarësisht rezultateve jo të mira, te Teuta ka besim dhe entuziazëm, çka na jep shpresë për ndeshjen e Korçës. Teutës i duhet të ngjitet në renditje, sepse rivalët janë afruar.

Si e shikoni këtë situatë?

Në këtë moment që ndodhemi nuk duhet të mendojmë për diferencën me ekipet e vendeve sipër nesh. Duhet të mendojmë të fitojmë ndeshjet tona, duke rritur paraqitjet në fushë.

Cilat janë objektivat tuaja për këtë fund sezoni?

Qëllimi kryesor është përmirësimi dhe deri tani ia kemi dalë me sukses. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë, të fitojmë sa më shumë prej tyre dhe llogarit i bëjmë në fund.

Asnjë mungesë sot në Korçë – “Djemtë e Detit” kanë mbyllur dje paradite përgatitjet për takimin ndaj Skënderbeut. Nën drejtimin e trajnerit Edi Martini, ekipi zhvilloi një seancë të karakterit taktik, ku stafi dha këshillat e fundit. Asnjë mungesë për bregdetarët në ndeshjen e sotme me Skënderbeun. Trajneri Martini pritet të luajë me të njëjtin formacion me atë të ndeshjeve të fundit

teu

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"