Bind Flamurtari, start i frikshëm kundër Teutës. Lika: Paguam gabimet në mbrojtje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 24, 2014 | 15:00

Bind Flamurtari, start i frikshëm kundër Teutës. Lika: Paguam gabimet në mbrojtje

Flamurtari-TeutaFLAMURTARI-TEUTA 2-1
GOLAT: Abilaliaj 3′, Gilberto 30’/ Xh.Shabani 51′
FLAMURTARI: I.Lika, Arbri, Mendez, Veliu, Mici, Muzaka, Telushi, Lena (Vucaj 59′), G.Lika, Gilberto (Kuqi 85′), Abilaliaj (Gelashvili 59′). (në stol: Xhelilaj, Sakaj, H.Idrizi, Meto). Trajner: Ernest Gjoka T
EUTA: Rizvani, Magani, Prençi (E.Hoxha 32′), R.Hoxha, Kotobelli, Xh.Shabani, A.Hoxha, Deliallisi, Nika, Bardulla (Dita 57′), Magalahes (Pepa 64′). (në stol: A.Osmani, Stafa, Hyseni, Ulluri, Ahmataj). Trajner: Hasan Lika
KARTONË TË VERDHË: Telushi 55’/ Deliallisi 62′, E.Hoxha 74′
DELEGAT: Astrit Maçi (Tiranë)
VËZHGUES: Arjan Mali (Patos)
GJYQTARET: B.Pashaji, E.Barushi, N.Bregasi (Tiranë)

Flamurtari e nis kampionatin me një fitore bindëse, edhe pse në shifrat 2-1 ndaj Teutës. Vlonjatët kanë dominuar totalisht në lojë, veçanërisht gjatë pjesës së parë, ndërsa durrsakët kanë rezistuar vetëm tre minuta. Trajneri Ernest Gjoka kishte hedhur në fushë një formacion me pak ndryshime nga ndeshja e Superkupës kundër Skënderbeut. Kuqezinjtë luajtën me skemën 4-4-2, ku në sulm Abilaliaj mbështetej nga braziliani Gilberto Fortunat, që fitoi shpejt zemrat e tifozëve. Të dy lojtarët arritën të shënonin, ndërsa në një ditë të shkëlqyer ishte mesfushori Muzaka. Loja pati shumë rritëm, ndërsa në 45 minutat e dyta u “zgjua” edhe Teuta, por pa forcën e duhur për të pretenduar të paktën një pikë në Vlorë. Gilberto dhuroi spektakël me veprimet e tij, ndërsa ajo që kënaqi tifozët e pranishëm ishte grinta që tregoi skuadra kuqezi për të fituar takimin. Kualitetet e Flamurtarit bënë diferencën kundër një Teute krejtësisht të rinovuar. Mesfusha kuqezi ishte në ditën më të mirë ku, përveç daljeve të Muzakës dhe Gilman Likës nga krahët, spikati Telushi. Ky i fundit shërbeu pambarimisht për lojtarët e krahut dhe sulmuesit.
Pjesa e parë Loja nis e vrullshme për vlonjatët, që menjëherë janë te porta e Bledian Rizvanit. Nuk kalojnë as tre minuta dhe një tulatje e mbrojtjes durrsake, bën që Muzaka të përfitojë dhe pas asistit për Abilaliaj, ky i fundit shënon me portën e boshatisur. Goli shokon Teutën, që e ka shumë të vështirë ta marrë veten. Minutat në vijim flasin për Flamurtarin, që dominon totalisht. Muzaka është i pafat, teksa godet shtyllën. Gjithsesi, goli i dytë i vlonjatëve nuk vonon dhe vjen përmes brazilianit Gilberto, i cili e bën sefte me kuqezinjtë. Një goditje me të majtën nga jashtë zone dhe një devijim i topit nga mbrojtësi Prençi, mjafton që “sfera” të shkojë në rrjetë. Trajneri i Teutës, Hasan Lika, bën ndryshimin e parë, duke larguar qendërmbrojtësin Prençi dhe aktivizuar Erand Hoxhën. Loja ekuilibrohet disi, ndërsa durrsakët bëhen të rrezikshëm nga goditjet standarde. Mbrojtësi Rustem Hoxha për pak shënon, por është Ilion Lika që shpëton portën. Me këtë rast mbyllet pjesa e parë, që u dominua nga vlonjatët.
Pjesa e dytë Me avantazhin e dy golave, kuqezinjtë nisin pjesën e dytë me një tjetër fytyrë. Skuadra e Gjokës lë hapësira dhe Teuta arrin të shikojë më shumë drejt sulmit. Kur nuk kishin kaluar 5 minuta, mesfushori kosovar Xhevdet Shabani shkurton diferencën në 2-1, pas një insistimi në hyrje të zonës dhe gjuajtjes së fuqishme me të majtën. Loja rihapet dhe Flamurtari “zgjohet”. Mirëpo, rastin më të mirë e ka Teuta, kur braziliani Magalhaes bën më të vështirën para portës, duke shpërdoruar përballë Ilion Likës. Pas minutës së 60-të kuqezinjtë rimarrin veten dhe tregojnë freski fizike. Aktivizimi i Vucajt dhe Gelashvilit e bën Flamurtarin më të rrezikshëm. Rastet nuk mungojnë, por këtë herë finalizimi mungon. Gjithsesi, një meritë të madhe ka portieri kapiten i Teutës, Rizvani, i cili me pritjet e tij shpëtoi skuadrën në disa raste. Në fund Gilman Lika dhe Gilberto i patën të gjitha mundësitë për të shënuar, por ishte portieri durrsak që i tha “jo” golit. Tre minutat shtesë nuk sollën ndryshime dhe gjithçka u mbyll me fitoren e merituar të Flamurtarit. Tashmë kuqezinjtë do të mendojnë për takimin e radhës në transfertë ndaj Tiranës.

MË I MIRI
Gjergji Muzaka dhe Gilberto Fortunato ishin lojtarët më të mirë në fushë në ndeshjen e djeshme. Mesfushori dhe sulmuesi i Flamurtarit bënë gjithçka, teksa merituan edhe duartrokitjet e tifozëve vlonjatë. Braziliani shënoi edhe golin e parë si kuqezi.

MË PAK AKTIVI
Qendërmbrojtësi Elvis Prençi dhe sulmuesi Rafael Magalhaes zhvilluan një ndeshje të dobët në debutimin e tyre me fanellën e Teutës. I pari nuk arriti të dilte në lojën e tij, teksa u zëvendësua shpejt, ndërsa braziliani ishte hije e vetvetes.

hasan lika“U ndëshkuam nga gabimet individuale në mbrojtje”
Për Hasan Likën nuk ishte një ndeshje pozitive, ndonëse evidenton se skuadra dha sinjale, sidomos në pjesën e dytë. Trajneri i Teutës, në fund të takimit, gjatë deklaratës së dhënë për mediat analizoi me detaje 90-minutëshin në Vlorë, ku theksoi se dy golat e pësuar erdhën si pasojë e gabimeve individuale në mbrojtje. “Nuk ishte fillim i mbarë, gabimet individuale në mbrojtje u shoqëruan me dy gola të shpejtë të Flamurtari, që na vështirësuan jo pak punën. Reaguam në pjesën e dytë, mund të kishim barazuar, pasi krijuam disa raste, siç ishte edhe ai i Rafaelit. Por nga ana tjetër më vjen mirë që nuk pësuam golin e tertë, kjo për meritë të portierit tonë dhe për paaftësi të kundërshtarët në finalizim. Në pjesën e dytë kundërshtari u tërhoq, pasi ndoshta mendoi se ishte më i qetë. Mirëpo ekipi, përtej përpjekjeve, nuk arriti që të shfaqej rrezikshëm, pra të bënte atë që ne presim prej tyre. Kjo ishte një provë jo pozitive, pavarësisht sinjaleve të mira që mora nga lojtarët. Ne jo vetëm nga Flamurtari, por ndaj çdo kundërshtari synojmë maksimumin. Por duhet të përmirësojmë shumë nga loja individuale dhe dihet që ekipi ynë është i rindërtuar, pasi janë afruar shumë lojtarë të rinj. Megjithatë dihet që edhe prurjet duan kohën e tyre për t’u kolauduar”, – tha fillimisht tekniku. Më tej ai komenton gjendjen e lojtarëve dhe në veçanti të sulmuesit të ardhur nga Partizani. “Ne kemi pretendimet tona, por ato do t’i arrijmë vetëm nëse lojtarët të bëjnë në fushë atë që japin edhe në stërvitje. Kanë treguar rritje, por kemi ende vend për përmirësim. Magalhaes? Nuk ishte në ditën e tij më të mirë, por duhet theksuar që as nuk u shërbye. Por nuk kemi më kohë për të pritur, pasi në kampionat na duhen pikët. Megjithatë, që të shkojmë deri aty, duhet që të ndreqim menjëherë gabimet”, – përfundoi kreu i pankinës durrsake.

Ardi-BehariAmatorizmi i Beharit, i bën bllokadë medias
Ardi Behari vazhdon të bëhet protagonist negativ te Flamurtari, pavarësisht investimit kolosal të bërë nga administratorët, apo nga spektakli që dhurojnë tifozët në stadium. Mbase për shkak të amatorizmit në detyrën që mban, dje ai nuk lejoi gazetarin e “Panorama Sport” që të hynte në stadiumin, për të raportuar ndeshjen e Flamurtarit kundër Teutës. Ndonëse është një figurë e respektuar e fushës së gazetarisë, korrespondenti nuk është lejuar, madje shoqëruar me fjalor banal prej drejtorit teknik të klubit, pa asnjë shkak të arsyeshëm. Tentativa e tij për të penguar të drejtën e informimit për sportdashësit e nderuar vlonjatë, pa diskutim që është një mision i dështuar që në fillim. Gjithsesi, sulmet ndaj medias, me shpresën se do arrijnë të kontrollojnë zërin e lirë, janë një dëshirë që nuk do realizohet kurrë, nga një drejtues banal, i cili nuk përfaqëson denjësisht as postin që mban dhe mbi të gjitha as tifozët apo figurat e njohura e të respektuara që ka pasur historikisht qyteti i Vlorës dhe klubi i Flamurtarit. Banaliteti në fjalor dhe sulmet e tij vulgare tregojnë edhe një herë tjetër paaftësinë e një drejtuesi.
ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"