Bakaj prezantohet te Vllaznia dhe nis stërvitjen me kuqeblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2017 | 16:27

Bakaj prezantohet te Vllaznia dhe nis stërvitjen me kuqeblutë

Elis Bakaj është prezantuar sot si blerja më e re e skuadrës së Vllaznisë, me të cilën arriti një akord financiar vetëm një ditë pasi dështoi kthimi i tij te Tirana për shkak të problemeve të skuadrës bardheblu.

bakaj

Për kalimin te Vllaznia

“Sot u mbyll zyrtarisht transferta ime tek Vllaznia. Është një ekip që ka bërë emër në futbollin shqiptar dhe të them të drejtën jam i kënaqur që do të jemi pjesë e tij. Kam ardhur të jap maksimumin tim për ta ndihmoj për të arritur objektivat që ka për këtë sezon. Jam i kënaqur që do jem pjesë e Vllaznisë sepse nga gjiri i saj në vite kanë dalë emra shumë të mëdhenj të futbollit shqiptar dhe po ashtu, ka tifozë të mrekullueshëm që e mbështesin fuqishëm atë dhe për të gjitha këto, e pranova me kënaqësi ftesën që më bënë drejtuesit e klubit.”

Për gjendjen dhe potencialin e skuadrës

“Nuk është se e njoh qind për qind gjendjen e ekipit por fakti që në gjirin e saj janë disa lojtarë me përvojë me të cilët unë kam luajtur edhe më përpara, është një plus. Përpos kësaj, pjesë e tij janë edhe disa lojtarë të rinj që kanë kualitet por u duhet më shumë besim sepse në kampionatin shqiptar diferencat janë shumë të vogla. Nëse hyn në fushë me mendimin për të fituar, mund t’ia dalësh ndaj çdo kundërshtari. Besoj se me pak më shumë besim, ekipi do të arrijë të dalë aty ku e duan njerëzit që e rrethojnë, tifozët dhe gjithë shkodranët.”

Për gjendjen e tij

“Nuk jam në formën time më të mirë sepse kam dy muaj që nuk luaj në ndeshje zyrtare megjithatë jam profesionist dhe prandaj jam stërvitur rregullisht, jam stërvitur edhe me ekipin e Tiranës dhe prandaj besoj se shumë shpejt do të arrij formën time maksimale. Dëshira ime është të debutoj që të mërkurën me Teutën por kjo është në dorën e trajnerit. E vendos ai se kur do të luajë apo jo.”

Për të ardhmen

“Nuk dua të flas për të ardhmen sepse është shumë herët. Kam firmosur që të luaj deri në fund të këtij sezoni me Vllazninë dhe ta ndihmoj atë për të arritur objektivat që ka, pastaj t’ia lëmë kohës se çfarë do të ndodhë për vazhdimësinë.”

Për tifozët

“Tifozëria shkodrane është ndër më të veçantat në Shqipëri. Ajo e dashuron futbollin dhe e mbështet fuqishëm skuadrën e saj të zemrës por unë do u kërkoja diçka ndonëse jam i ri tek kjo skuadër: Të mbështesin futbollistët sepse ata kanë nevojë për ta, për më tepër në momente të vështira dhe sëbashku ta çojmë Vllazninë aty ku të gjithë e dëshirojnë. Ju premtoj se këtu nuk kam ardhur sa për të kaluar rradhën por ta ndihmoj në maksimum ekipin.”

Ndërkaq, drejtori sportiv i kuqebluve, Eugent Zekaj, deklaroi për mediat e pranishme se po punohej për të bërë edhe një përforcim tjetër në dy ditët e fundit të merkatos së janarit.

Më pas, Bakaj iu bashkua në stërvitje Vllaznisë, duke u vënë menjëherë nën urdhrat e trajnerit Armando Cungu, i cili mund ta aktivizojë që në ndeshjen e mesjavës në Kupën e Shqipërisë kundër Teutës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"