Astrit Ziu, ai që “çmendi” Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2012 | 10:49

Astrit Ziu, ai që “çmendi” Partizanin

Astrit Ziu ka lindur në Berat më 8 korrik 1946. Natyrisht, si shumë të rinj të talentuar, edhe ai do të ishte “pre” e rekrutimit nga ana e klubit Partizani, i cili në atë periudhë kohore arrinte të merrte më të mirët nga e gjithë Shqipëria. Mirëpo, ajo çka e bën të veçantë Astrit Ziun është fakti se si futbollist ka luajtur thuajse në të gjitha pozicionet, përveç portës.
Fillesat
Si futbollist u rrit si shumica e lojtarëve, nëpër rrugica me topa lecke. Ai kishte privilegjin që topat prej lecke t’i kishte disi më të bukur dhe me ngjyra. “Babai im ishte një rrobaqepës i shkëlqyer, ndaj edhe topat i bënte për merak”. Më tej djaloshi tërhoqi vëmendjen e trajnerëve të asaj kohe në Berat, sidomos kur organizoheshin ndeshje në fushat e vogla e të sajuara në rërën e lumit Osum. Më pas u regjistrua në grupin e sportistëve që do të merrnin pjesë në spartakiadën e pionierëve në Durrës, në vitin 1960. Në këtë veprimtari të parë zyrtare Ziu përfaqësoi Beratin, jo vetëm në futboll, por edhe në basketboll, volejboll, not dhe atletikë. “Në dhjetor 1960, 14 vjeç, u inkuadrova në ekipin e të rinjve të Tomorit. Aty vesha të parat këpucë me taka futbolli dhe luajta në këtë ekip deri në vitin 1963. Më pas trajneri Thanas Jançe, i ardhur nga studimet në Hungari dhe pasi pati qenë për një periudhë edhe trajner i Kombëtares shqiptare, më tërhoqi në ekipin e të rriturve. Në këtë ekip luajta në Kategorinë e Parë deri në vitin 1967”, – tregon Ziu.
Partizani
Gjatë kësaj periudhe, djaloshi me talent të spikatur luajti në sulm, por trajneri, në mungesë të një mbrojtësi tipik dhe me cilësi në krahun e majtë, e spostoi në këtë pozicion, nisur edhe nga fakti se Astriti luante me të dyja këmbët. “Luajta mbrojtës i majtë, pikërisht kundër Partizanit në Tiranë, ekip që në atë vit do të kthehej në qendrën e realizimit të ëndrrave të mia. Në vitin 1968 isha titullar i Partizanit deri në fitoren e Kupës së Shqipërisë kundër Vllaznisë. Me këtë skuadër luajta deri në tetor të 1978-ës, pra 11 sezone. Është një periudhë e mbushur me shumë kujtime dhe mbresa të paharruara”, – tregon Ziu. Me fanellën e Partizanit, Astrit Ziu arriti të ishte jo vetëm titullar i kësaj skuadre, por edhe i ekipeve përfaqësuese Shpresa, Olimpik dhe Kombëtares. Me ekipin Shpresa mora pjesë në 2 kompeticione ballkanike, në atë të Sibiut (Rumani) dhe të Sofjes (Bullgari), ku u renditëm të tretët. Nën drejtimin e të madhit Loro Boriçi, në sezonin 1970-1971 me Partizanin fituam tri aktivitetet më të rëndësishme të asaj kohe: titullin kampion të vendit, Kupën e Shqipërisë dhe Kupën e Ballkanit. Ky është një rekord, i cili nuk është përsëritur nga asnjë ekip tjetër shqiptar. Sakaq, si fitues të Kupës së Shqipërisë morëm pjesë në Kupën e Kupave të Europës, ku eliminuam Advidaberg të Suedisë (1-1, 1-0) dhe në raundin tjetër u eliminuam nga Vaker Insbruk i Austri (3-2, 1-2)”, – vazhdon të tregojë Ziu.
Karriera
Fitorja e Kupës së Ballkanit mbetet një nga më të spikaturat e Partizanit dhe futbollit shqiptar. Një faqe tjetër e rëndësishme në karrierën futbollistike të Ziut është aktivizimi me ekipin kombëtar dhe atë olimpik të Shqipërisë. Megjithëse ishte një periudhë kur futbolli ynë ndërkombëtar u dënua për disa vjet, përsëri Ziu ruan goxha kujtime nga grumbullimet me kuqezinjtë. “Në ndeshjen e zhvilluar në Stamboll (dhjetor 1970) 2-1, unë shënova golin e barazimit pas një pasimi preciz të të madhit Panajot Pano, duke qenë kështu i pari mbrojtës shqiptar që shënon gol me Kombëtaren. Në ndeshjen e kthimit në Tiranë fituam bindshëm 3-0. Ndeshje plot emocion dhe mbresëlënëse ishin ato me Gjermaninë e Bekenbaurit, Mylerit, Vogstit etj., (0-1 në Tiranë, 2-0 Karlsruhe). Më duhet të veçoj, ndër të tjera, lëvizjen tepër të zgjuar taktike të trajnerit Boriçi, duke më vendosur mua në ndeshjen e Tiranës si sulmues i majtë, i maskuar për të mbrojtur daljet e shpeshta dhe të fuqishme të mbrojtësit Vogst, më i miri i botës në atë periudhë. Kjo e befasoi trajnerin Helmut Shën, duke e quajtur Loro Boriçin një trajner të madh të një vendi të vogël. Për mua, besoj se edhe për shumë futbollistë të brezit tim, Loro Boriçi mbetet një universitet më vete. Me njohuritë e gjithanshme që kishte, në prezantimin deri në detaje të detyrave individuale dhe kolektive, me stërvitje të larmishme e të konceptuara shumë mirë në funksion të çdo lojtari, grupi dhe ekipi, një psikolog dhe njeri i shkëlqyer, një person poliglot që fliste disa gjuhë të huaja, i cili respektohej shumë nga të gjithë”, – vazhdon Ziu. Fat mund të konsiderohet edhe fakti se Ziu ka luajtur në një periudhë me emra të mëdhenj të futbollit, si Panajot Pano, për të cilin flet me po aq superlativa.
Trajningu
Ndërkohë, duhet thënë se si lojtar Astrit Ziu nuk u provua vetëm në portë, pasi të gjitha rolet e tjera i ka bërë në fushën e lojës. Pas largimit nga futbolli, në tetor 1978, me takimin Partizani-Vllaznia dhe ceremonisë emocionuese që i organizuan, filloi një periudhë tjetër: ajo e ndjekjes së futbollit nga distanca. Derisa në vitin 1984 i ofruan postin e instruktorit të sporteve në ushtri dhe të klubit Partizani. “Gjatë 6 viteve që punova në këtë post, bashkëpunova edhe si korrespondent i jashtëm i shtypit ushtarak, duke shkruar mjaft artikuj analitikë sportivë, ndërsa bashkëpunimi me gazetën ‘Sporti popullor’ ka qenë më i kufizuar. Në vitet 1990- 1992, më emëruan shef i klubit sportiv Partizani ku, ndër të tjera, punova intensivisht për ristrukturimin e përgjithshëm të tij, duke e thjeshtëzuar dhe duke evituar ndjeshëm tendencën e gjigantomanisë. Në këtë drejtim bashkëpunova edhe me drejtuesit e atëhershëm të KS Tirana për një shkëmbim sportesh e sportistësh. Që nga sezoni 2003-2004 e deri më sot punoj pranë ‘UD Vista Alegre Castelldefels’, një qytet i vogël në rrethinat e Barcelonës, shumë pranë rezidencës së Leo Mesit”, – pohon Ziu. Në Spanjë ai ka stërvitur dhe drejtuar ekipe të ndryshme, që nga ato të moshave të vogla, të rinjtë dhe si koordinues i disa ekipeve të futbollit. “Kam fituar kampionate dhe trofe në disa turne. Në sezonin 2010-2011 kalova si trajner i dytë në ekipin e parë, në përfundim të të cilit u ngjitëm nga kategoria inferiore në kategorinë e parë të Katalonjës. Ne sezonin 2011-2012 u klasifikuam të tretët. Edhe për sezonin 2012-2013 do të vazhdoj si trajner në ekipin e parë, duke synuar përsëri për t’u ngjitur në kategori, edhe pse niveli është i lartë dhe rivaliteti gjithashtu”, – përfundon Astrit Ziu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"