Partizanit nuk i dolën ndërrimet, Egnatia gaboi në mesfushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2023 | 22:10

Partizanit nuk i dolën ndërrimet, Egnatia gaboi në mesfushë

NGA SULEJMAN STAROVA

Starova2

Egnatia-Partizani ishte një ndeshje shumë interesante në vigjilje, pavarësisht se ia hoqi disi bukurinë mungesa e publikut. Unë mendoj se gabuan rëndë të dyja skuadrat, sepse Egnatias nuk i funksionoi skema fillestare me 4-2-3-1.

Praktikisht trajneri kishte vendosur t’i përgjigjej me të njëjtën monedhë “rombit” të Partizanit, por nuk mendoj se ishin lojtarët e duhur për t’iu përshtatur këtij moduli. Majkëlli (Agpekpornu) është një numër 6 i mirëfilltë dhe i kishin lënë detyrë që të markonte Hotin që ishte maja e rombit të mesfushës së Partizanit.

PARTIZANI-EGNATIA

Mirëpo Partizani kishte Matondon dhe Rrapajn nga pas. Shumë herë Rrapaj dilte i lirë dhe detyrohej Duamena që të kthehej për të mbuluar hapësirat. Përmbledhja e pjesës së parë, sipas meje, ishte kjo: Egnatia nuk po funksiononte në mesfushë dhe po sakrifikohej Duamena duke u kthyer shumë mbrapa. Ai nuk është mesfushor i djathtë… Rrjedhimisht rrogozhinasit humbën forcë në sulm dhe nisën të ishin të pasigurt, çka Partizani e shfrytëzoi mirë duke shënuar gol dhe pati mundësi që të shënonte edhe të dytin, por shpërdoroi.

PROBLEMET E PARTIZANIT

Nuk më pëlqeu as Partizani për hir të së vërtetës. I pati mundësitë të mbyllte llogaritë me një gol tjetër, por nuk ia doli. Edhe të kuqtë e nisën me një 4-2-3-1, por më së shumti shndërrohej në një 4-3-3 klasik. Forca në mesfushë e Partizanit dhe vendosja jashtë rolit e disa lojtarëve të Egnatias, i ndihmoi të kuqtë të fitonin duelet në mesfushë dhe të krijonin më shumë. Mirëpo kur Egnatia futi në fushë Zejnullahin në vend të Paulauskas gjërat ndryshuan si me magji.

Ai rivendosi balancat dhe e bëri Egnatian të fitonte vetëbesim derisa pas minutës së 60-të nisi të luante me prepotencë kundër Partizanit. Mendoj se të kuqtë u spostuan shumë mbrapa dhe po mbronin në bllok shumë poshtë, pra shumë afër zonës së tyre. E rrezikshme kjo kur ke përballë një ekip si Egnatia që ka cilësi dhe është në formë. Egnatia për një periudhë e “humbi” Xheksonin sepse ai kishte detyra vetëm të neutralizonte Hadrojin që është shumë i rrezikshëm dhe ai e bëri mirë, por ama Xhekson nuk e ndihmoi ekipin të shtynte si duhet. Partizani nuk e shfrytëzoi këtë element.

partizani2

Partizanit nuk i funksionuan as ndërrimet, ndërsa Egnatia qëlloi në shenjë me Zejnullahin, duke e pikasur që Paulauskas ishte jashtë forme. Pashë që Partizani nuk e ka një Plan B kur kundërshtarët i bëjnë presing shumë lart dhe mendon vetëm se si të mbrohet. Kjo nuk është gjë e mirë. Por gjithsesi duhet të jenë të kënaqur, sepse një pikë është pozitive, meqenëse po luante ndaj një kundërshtari që është gjithashtu në garë për titull.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"