Akuza e Selimit: Albpetroli favorizohet nga gjyqtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2013 | 10:39

Akuza e Selimit: Albpetroli favorizohet nga gjyqtarët

Kur kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i kampionatit të Kategorisë së Dytë, lufta për vendin e parë në Grupin B ndërmjet Albpetrolit të vendit të parë dhe Tepelenës së vendit të dytë mbetet e hapur. Diferenca mes këtyre skuadrave është tri pikë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, trajneri i Tepelenës, Ilir Selimi, hedh akuza ndaj gjyqtarëve dhe dizenjatorëve të tyre në FSHF.
Akuzat “Arritja e objektivit bëhet i vështirë. Për të dytin vit radhazi financimet dhe djersa jonë na shkon dëm, pasi skuadra që do të ngjitet një kategori më lart është e vendosur që pa filluar gara. Persona të veçantë në FSHF kanë favorizuar Albpetrolin. Në mbi 50% të rasteve, sfidat e Albpetrolit janë drejtuar nga gjyqtarë të kolegjiumeve të Gjirokastrës dhe të Vlorës. Gjyqtarët e kolegjiumit të Gjirokastrës janë djem tezesh me teknikun patosarak, Arben Ymeri”, – flet jo pak i revoltuar trajneri i Tepelenës, Selimi, i cili më tej thotë: “Rasti më flagrant i ndihmës së skuadrës patosarake është ndeshja e kaluar në Bilisht, ku gjyqtari ndëshkoi me karton të kuq dy futbollistë bilishtarë dhe gjykoi me tendencë për të ndihmuar Albpetrolin”. Tekniku i Tepelenës më pas hedh idenë e një bojkoti: “Do t’u kërkoj ekipeve pjesëmarrëse të Grupit B që, në shenjë proteste për padrejtësitë e bëra, që në ndeshjet e kësaj jave të bojkotojnë me gjysmë ore sfidat në shenjë sensibilizimi për një kampionat fals”, – përfundon Selimi.
Oltion Dogani

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"