EKSKLUZIVE/ “Ika nga Vlora se pronari do të më nxirrte nga shtëpia”, Nebihi: Kam dhënë tri qira nga xhepi, nuk shtyhej më

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 10, 2019 | 21:44

EKSKLUZIVE/ “Ika nga Vlora se pronari do të më nxirrte nga shtëpia”, Nebihi: Kam dhënë tri qira nga xhepi, nuk shtyhej më

Bajram Nebihi zbulon arsyet që e detyruan të largohej nga Flamurtari një ditë para ndeshjes me Laçin. Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht nga Gjermania për “Panorama Sport”, kosovari shpjegon se ka ikur pasi pronari i shtëpisë ku jetonte në Vlorë, i kishte dhënë ultimatum për qiranë. 

bajram nebihii

Tre muaj i kishte dhënë nga xhepi, por sulmuesi i ka thënë “stop” kësaj situate. Premtimet e vazhdueshme të drejtuesve e kanë lodhur, ndaj edhe e mori këtë vendim.

Bajram, pse u larguat nga Flamurtari dhe ku gjendeni tani? 

Mund të them se e kam mbyllur me marrëveshje bashkëpunimin. Nuk jam më pjesë e Flamurtarit, edhe pse kisha firmosur një kontratë për një vit. U largova pasi nuk u morëm vesh për pagesat. Nuk mund të qëndroja më shumë, kur nuk po paguheshim. Për momentin jam në Gjermani, pranë familjes sime.

Çfarë ju thanë drejtuesit? 

Premtime na jepnin plot, madje çdo ditë. Na thoshin që do të paguheshim nesër… Çdo ditë e njëjta histori, por ditët iknin dhe asgjë konkrete. Nuk mund të rrija dot më. Përfundoi edhe qiraja e banesës. Pronari i shtëpisë donte lekët, në të kundërt do të më nxirrte jashtë. Duhet që të dilja dhe ta liroja shtëpinë. Për tre muaj më është dashur që ta jap nga xhepi edhe qiranë.

bajram nebihi

Nuk mund të prisnit edhe pak dhe a ishte në dijeni klubi për këtë problematikë? 

Ishte kohë e humbur që të qëndroja më. Unë kam familjen në Gjermani. Kam bashkëshorten dhe një vajzë të vogël. Kam detyrime ndaj familjes. Jam profesionist dhe punoj për t’u paguar. Nuk mund të qëndroja më me këto kushte, ndaj vendosa që të largohesha. Ne luajmë në fushë dhe japim gjithçka për tifozët, por edhe për familjet tona. Nuk kishte më logjikë që unë të vazhdoja më me këto kushte. Me presidentin Sinan Idrizi jam përshëndetur gjithmonë dhe kam pasur marrëdhënie shumë të mira. Ditën që do të ikja, vendosa në dijeni drejtuesit e tjerë të klubit, u takova edhe me shokët e skuadrës. Ditët e fundit Idrizin nuk e kam parë dhe në këto kushte, drejtuesve të tjerë të klubit u thashë se do të ikja, pasi nuk mund të vazhdoja më pa u paguar.

Mendoni se do të përfundoni në gjyq me Flamurtarin? 

Ishallah nuk ndodh kështu! Nuk dua që të përfundojmë në gjyq, pasi nuk kam pasur probleme fare as me drejtuesit e klubit dhe as me stafin teknik. Besoj dhe shpresoj që gjërat t’i zgjidhim me konsensus.

Keni komunikuar me Kreshnikun (djali i xhaxhait), do të qëndrojë ai? 

Kreshniku është akoma aty. Nuk e di çfarë do të bëjë.

Flamurtari humbi me Laçin. Si e shikoni situatën, a mund të mbijetojë? 

E ndoqa ndeshjen nga televizori. Më vjen keq kur Flamurtari humbet. Nuk e meriton këtë gjendje ai qytet, njerëzit aty, që janë shumë të dashur dhe më kanë respektuar. Jam ndier shumë mirë. Por, pagat janë shumë problem. Unë në karrierën time nuk kam parë kurrë si aty. Ishallah bëhet mirë, do të më vinte shumë keq nëse do të binin nga kategoria. E kemi pasur situatën të vështirë, ndaj edhe nuk jemi fokusuar mirë. Është shumë vështirë të luash kur nuk paguhesh. Megjithatë, them se kam bërë maksimumin. Do të dëshiroja të qëndroja më gjatë në Vlorë, por kështu erdhën punët, pa lekë jetesa aty u bë shumë më e vështirë.

Mendoni të ktheheni sërish në Shqipëri? 

Nëse rregullohen gjërat, pse jo. Me Flamurtarin nuk jam ndarë keq.

Ku mendoni ta vazhdoni karrierën tani? 

Kam disa oferta. Mund të kthehem në Azi ose mund të qëndroj këtu në Gjermani.

ERMAL SIKA