Zgjedhjet surprizë të Kërnajës në Vlorë, “xhevahiri” i Partizanit mbahet në pritje. Bashkë me të edhe…
Partizani fitoi me rezultatin 0-1 ndaj Flamurtarit. Mjaftoi autogoli i Lorenc Trashit për 3 pikë të arta në Vlorë. Oltijon Kërnaja ndodhej në stol për sfidën e javës së shtatë.
Për Kërnajën ishte njëkohësisht debutim në Superiore si trajner. Sfida e parë do mbahet mend gjatë për të, pasi nxori Partizanin nga kriza e rezultateve. Partizani ndodhej në vendin e parafundit me 4 pikë, teksa mjaftuan 3 pikë për të dalë jashtë zonës së ftohtë. Fitore me shumë peshë dhe 21 lojtarë të gatshëm te Partizani. “Panorama Sport” iu sjell situatën me futbollistët e tjerë, që nuk ishin në dispozicion të “demave”.
MUNGESAT- Në Vlorë ishin disa mungesa si ajo e Alban Hoxhës, Gjergji Kotes, Tedi Malajt, Besar Gudjufit, Marçelino Prekës, Kazim Ogunlejes dhe Babukar Jatës. Disa qëndruan jashtë si zgjedhje teknike të trajnerit dhe të tjerët për shkak se e kishin të pamundur të luanin. Kontingjenti i Partizanit ka bërë që stoli të jetë gjithsesi i mbushur.
DËMTIMET- Hoxha, Malaj, Preka nuk ishin të gatshëm në javën e fundit, por jo si zgjedhje. Preka kishte një infeksion në dorë, që e ndaloi të luante. Malaj qëndronte i dëmtuar, që nga ndeshjet e Kombëtares U-19 këtë muaj. Po ashtu edhe Alban Hoxha, i cili u dëmtua që në derbin me Tiranën. Kështu Kërnaja ishte i kufizuar për të mos i pasur shërbimet e tyre.
SURPRIZA- Ogunleje dhe Jata mund të konsiderohen zgjedhje të pritshme nga Kërnaja, për shkak se akoma nuk kanë fituar minuta këtë sezon. Dy “dema” të tjerë ishin jashtë listës së zgjedhur me 21 lojtarë për në Vlorë, ndërsa ata mund të konsiderohen surpriza. Kërnaja la jashtë dy 21-vjeçarët e Kombëtares U-21. Bëhet fjalë për Koten dhe Gudjufin. Vendimet ishin të papritura, duke konsideruar pritshmëritë që klubi ka nga dy lojtarët në fjalë. Një ditë pas sfidës me Flamurtarin, Kërnaja drejtoi ekipin B në stadiumin “Arena e Demave”. Nëse Ogunleje dhe Jata morën minuta ndaj Devollit, Kote dhe Gudjufi nuk qëndruan të gatshëm as për ekipin B. Kjo për të treguar në njëfarë mënyrë se llogaritë me ta bëhen vetëm për ekipin e parë.
PROBLEMI– Partizani ka krijuar një kontingjent me mbi 30 lojtarë të gatshëm për të kontribuar tek ekipi i parë. Situata si ajo në Vlorë janë të pashmangshme duke qenë se mund të konsiderohen vetëm 21 futbollistë për ndeshjen. Vendimi i trajnerit mund të ndryshojë çdo javë, sipas llogarive për rivalin. Ndaj Flamurtarit u pa e përshtatshme që Kote dhe Gudjufi të mungonin. Fakt është që Kërnaja i falenderoi pas ndeshjes në Vlorë, duke i konsideruar lojtarë të rëndësishëm ata që mbetën jashtë. Mbetet për t’u parë cilat do jenë zgjedhjet përballë Egnatias. Takimi me kampionët do të zhvillohet të shtunën, pikërisht prej orës 17:00 në stadiumin “Arena e Demave”.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













