Vora vetëm për kualifikim në kupë, Bellaj merr vendimin për të rinjtë
Vora do të startojë sot në Ahmetaq për kupën e Shqipërisë, ku do të ndeshet me skuadrën e kategorisë së dytë, Maliqi, në një ndeshje, që kërkohet kualifikimi brenda kohës së këtij takimi, duke qenë se luhet vetëm me një ndeshje dhe çdo gjë kualifikuese do të përcaktohet gjatë këtyre 90-minutave.

Duke qenë se Vora ka një skuadër me kualitete të larta duket se kualifikimi i saj do të jetë i thjeshtë në letër dhe mendohet që të aktivizohen gjatë kësaj përballje edhe disa lojtarë të rinj, që janë afruar pranë klubit Vora, gjatë merkatos së sivjetme. Një nga afrimet, ku klubi i Vorës vlerëson shumë brezin e të rinjve, dhe ka besimin tek ta, për të ardhmen e klubit, ka qenë dhe talenti 19-vjeçar, Klaus Kashami, i lindur në Elbasan, një mesfushor i talentuar që ka veshur fanellën kuq e zi në të gjitha hapat e grupmoshave, duke nisur që nga U-15, U-17, U-19. ai deri tani ka zhvilluar plot 21 ndeshje me ekipin tonë Kombëtar të këtyre moshave.
Klausi hapat e para për formimin e tij si futbollist i ka hedhur tek Akademia “Pepa” dhe ka vijuar më tej rrugëtimin e tij për t’u bërë një profesionist tek Akademia italiane e Feralpisalo, një klub ky italian që njihet për seriozitetin dhe përkushtimin e zhvillimit të talenteve të reja në këtë vend. Vora gjithmonë ka pasur e ka vizionin e qartë dhe besimin tek këta të rinj, duke qenë e bindur se e ardhmja e këtij klubi po ndërtohet mbi bazën e këtyre talenteve që me përkushtim dhe dëshirë do të arrijë synimet e mëtejshme për të pretenduar trofe e pjesëmarrje në kupat europiane.
Kështu që pritet nga trajneri Bellai, që në ndeshjen kundër Maliqit të mund të aktivizohen disa lojtarë, që nuk kanë pasur minutazhin dhe hapësirat e nevojshme. Dhe besimi i tij shtrihet edhe tek ky talent që pritet të shpërthejë e të japë maksimumin në këtë përballje.
Djaloshi elbasanlli, që ka dhe dy veteranë pranë ekipit të Vorës nga origjina e tij, siç portieri Shkëlzen Ruçi apo qendërmbrojtësi Dajan Shehi, të cilët i sjellin frymëzim dhe dëshirë për të përparuar edhe më shumë në karrierën e tij. Po kështu një tjetër alternativë mbeten 16-vjeçari Lorik Caka apo 17-vjeçari Samuel Zito, apo Dario Daka etj. Janë pikërisht këto alternativa që mund të aktivizohen ndoshta jo në formacionin titullar, por për disa minuta që dhe ata të ndjehen si lojtarë të ekipit të parë të Vorës.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













