EKSKLUZIVE/ Avancojnë bisedimet me mbrojtësin e majtë, Elbasani synon goditjet e fundit për ekipin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2026 | 14:34

EKSKLUZIVE/ Avancojnë bisedimet me mbrojtësin e majtë, Elbasani synon goditjet e fundit për ekipin

Elbasani vijon punën për të kompletuar organikën përpara nisjes së sezonit të ri, ndërsa një tjetër emër ka dalë në skenë për repartin e mbrojtjes. Bëhet fjalë për Filip Antovskin, mbrojtësin e majtë nga Maqedonia e Veriut, i cili është futur në radarët e verdhebluve.

3

Burime pranë klubit bëjnë me dije për “Panorama Sport” se palët ndodhen në bisedime të avancuara, ndërsa mbetet për t’u parë nëse negociatat do të mbyllen me një marrëveshje. 25-vjeçari shihet si zëvendësuesi ideal i Emiljano Mustës, i cili u largua gjatë kësaj merkatoje për t’iu bashkuar Vllaznisë, duke lënë të lirë krahun e majtë të mbrojtjes. Pikërisht ky repart mbetet një nga prioritetet e drejtuesve, të cilët kërkojnë një futbollist me eksperiencë dhe cilësi për të plotësuar boshllëkun e krijuar. Antovski është pjesë e Brera Strumicës në elitën e futbollit maqedonas, ndërsa gjatë karrierës së tij ka qenë edhe pjesë e klubeve me emër në rajon. Mbrojtësi ka luajtur për Dinamo Zagreb II, ndërsa ka pasur edhe një eksperiencë tek Austria e Vjenës. Po ashtu, ai ka qenë një element i rëndësishëm i ekipeve kombëtare të moshave të Maqedonisë së Veriut, duke përfaqësuar vendin e tij në të gjitha grupmoshat deri te Kombëtarja Shpresa.

MERKATO – Afrimi i një mbrojtësi të majtë është një nga objektivat kryesorë të Elbasanit në këtë fazë të merkatos. Pas eliminimit nga Conference League, drejtuesit nuk e kanë ndërprerë punën për ndërtimin e skuadrës dhe synojnë të plotësojnë edhe repartet ku trajneri Ivan Gvozdenoviç ka kërkuar ndërhyrje. Burime pranë klubit bëjnë me dije se verdheblutë kërkojnë të paktën edhe katër përforcime të tjera përpara nisjes së kampionatit, mes tyre dy mbrojtës dhe dy mesfushorë.

Deri tani Elbasani ka afruar disa futbollistë që pritet të kenë rol të rëndësishëm gjatë sezonit të ri. Igor Aleksovski ka marrë vendin e Martin Janaçek në portë, ndërsa Joan Epitauks ka forcuar qendrën e mbrojtjes. Në repartin ofensiv janë afruar Ardit Nikaj, Rubin Hebaj dhe Ledio Tresa, të cilët kanë dhënë sinjale pozitive edhe në ndeshjet europiane ndaj BATE Borisov. Drejtuesit nuk duan të nxitojnë me zgjedhjet e fundit, por synojnë të afrojnë futbollistë që mund të rrisin nivelin e skuadrës dhe jo thjesht të plotësojnë organikën. Pikërisht për këtë arsye, profi li i Antovskit shihet si një alternativë që i përshtatet projektit të klubit, si për moshën ashtu edhe për eksperiencën që ka krijuar në kampionatet jashtë vendit.

BISEDIMET – Për momentin nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare mes palëve, por negociatat kanë avancuar dhe optimizmi nuk mungon. Elbasani shpreson ta mbyllë sa më shpejt këtë operacion, në mënyrë që lojtari të bashkohet me skuadrën dhe të ketë kohën e nevojshme për t’u përshtatur me grupin përpara startit të Superiores. Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për këtë transferim. Nëse gjithçka shkon sipas planit, Filip Antovski mund të jetë afrimi i radhës i verdhebluve, ndërsa merkatoja e klubit pritet të mbetet aktive deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të stafit teknik.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL