Formacioni i afrimeve, Tirana rindërton mbrojtjen me rini dhe eksperiencë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2026 | 13:25

Formacioni i afrimeve, Tirana rindërton mbrojtjen me rini dhe eksperiencë

Tirana ka nisur një kapitull të ri në merkaton e verës, duke ndërtuar një skuadër ndryshe nga ajo e sezonit të kaluar. Drejtuesit bardheblu kanë ndërhyrë në disa reparte, duke afruar futbollistë me eksperiencë, por edhe elementë të rinj që mund të jenë pjesë e një projekti afatgjatë.

tirana

Në total, kryeqytetasit kanë afruar 12 lojtarë(plus tre të rinjtë e akademisë) për sezonin e ri, duke krijuar një formacion tërësisht të ri në disa zona të fushës. Përveç Drilon Hazrollajt, i cili mbetet ende një emër jo i lidhur me projektin e ri, por jo zyrtarisht i konfirmuar, të gjithë lojtarët e tjerë të këtij njëmbëdhjetëshi janë afrime të merkatos së verës dhe kanë firmosur me klubin. Në letër, Tirana ka ndërtuar një formacion që kombinon forcën fizike, eksperiencën dhe cilësinë individuale, me synimin për të qenë më konkurruese në sezonin e ri. Ky është vetëm formacioni i afrimeve, pasi bardheblutë kanë edhe futbollistë të tjerë në organikë.

MBROJTJA – Në prapavijë, Tirana ka bërë ndërhyrjen më të madhe. Afrimi i Bojan Ilievskit nga Struga i jep skuadrës një lojtar që mund të mbulojë krahun e djathtë të mbrojtjes, duke sjellë siguri në fazën difensive, por edhe kontribut në ndërtimin e aksioneve. Në qendër të mbrojtjes, bardheblutë kanë shtuar tre alternativa me profile të ndryshme. Patrik Staniç është një nga afrimet më të rëndësishme, me mbrojtësin kroat që pritet të sjellë stabilitet, forcë fizike dhe lidership në repartin difensiv. Leonat Vitija është një tjetër element që njeh mirë futbollin e rajonit dhe mund t’i japë siguri linjës së fundit. Me afrimin e Hugo Fresnedës, Tirana shton edhe një tjetër alternativë në mbrojtje, duke rritur konkurrencën në repartin më të rëndësishëm të skuadrës. Ky konfigurim i ri i jep Tiranës një mbrojtje me më shumë centimetra, agresivitet dhe konkurrencë, pikërisht elementë që kanë munguar në disa momente gjatë sezoneve të fundit.

MESFUSHA – Në mesfushë, pika e ekuilibrit pritet të jetë Ardit Krymi. Ish-futbollisti i Vllaznisë është një lojtar me shumë eksperiencë në Kategorinë Superiore, i njohur për grintën, forcën në duele dhe aftësinë për të rikuperuar topa. Përkrah tij pritet të jetë një tjetër afrim, duke i dhënë skuadrës më shumë stabilitet në zonën qendrore. Kombinimi mes eksperiencës dhe energjisë së lojtarëve të rinj do të jetë një nga sfidat e stafit teknik. Përkrah tij, Zhozef Kollej sjell eksperiencë ndërkombëtare dhe prezencë fizike. Në rolin pas sulmuesve, Drilon Hazrollaj mbetet një nga emrat më interesantë për aspektin krijues. Nëse marrëveshja finalizohet, ai do të jetë lojtari që lidh mesfushën me repartin ofensiv, duke kërkuar hapësirat mes linjave dhe duke furnizuar sulmuesit me pasime.

SULMI – Në repartin ofensiv, Tirana ka zgjedhur një kombinim mes fuqisë dhe eksperiencës. Erdon Daci është një sulmues që mund të luajë në disa pozicione, duke ofruar lëvizshmëri dhe prezencë në zonën kundërshtare. Përkrah tij është Tomislav Kish, një sulmues me eksperiencë nga kampionatet e rajonit, i cili pritet të jetë një nga pikat kryesore të skuadrës në kërkim të golave. Ndërkohë, afrimi i Bernard Berishës është një nga lëvizjet më të bujshme të merkatos. Eksperienca e tij në kampionate të ndryshme dhe aftësia për të krijuar diferencën në duelet një kundër një mund t’i japin Tiranës një tjetër dimension në fazën sulmuese. Nëse këta futbollistë përshtaten shpejt me filozofinë e skuadrës, Tirana mund të ketë një bazë interesante për sezonin e ri. Bardheblutë kanë zgjedhur të ndërthurin lojtarë të afirmuar me elementë të rinj, duke krijuar një grup ku konkurrenca për një vend titullari pritet të jetë e fortë. Tashmë sfida kryesore për stafin teknik është kthimi i këtyre emrave në një skuadër të bashkuar, me identitet dhe konkurruese në fushë.

tirana

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL