Vora rigjen “tankun”, Ruzgis: E keqja kaloi, dua ta nis me gol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2025 | 20:49

Vora rigjen “tankun”, Ruzgis: E keqja kaloi, dua ta nis me gol

Vora e ka lënë pas gëzimin e fitores së fundit, një fitore që mori vlera të veçanta pasi erdhi pas një ndeshjeje ku skuadra ishte në disavantazh ndaj Elbasanit.

ruzgis

Si gjithmonë, pas çdo ndeshjeje, stafi teknik ka bërë analizën me pamjet filmike, ka evidentuar gabimet dhe tashmë ka hedhur sytë drejt sfidës së radhës, ndaj Dinamos, që do të luhet të premten në “Arena e Demave” në kryeqytet. Trajneri Arjan Bellaj po përgatit skuadrën për këtë takim të rëndësishëm, ndërsa një lajm i mirë vjen nga rikthimi i Manfredas Ruzgis, i cili u dëmtua në verë në një miqësore ndaj Laçit para nisjes së kampionatit. Sulmuesi gjermano-lituanez kërkon të bëjë debutimin e tij në Kategorinë Superiore.

Ruzgis, golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë sezonin e kaluar me 24 gola, ishte protagonist kryesor në ngjitjen historike të Vorës në elitën e futbollit shqiptar. Ai ka nisur stërvitjet me grupin, por ende nuk është në formën e tij më të mirë, për shkak të disa shqetësimeve që vazhdojnë ta shoqërojnë nga dëmtimi i kaluar. Dëmtimi në miqësoren ndaj Laçit, më 17 gusht, e mbajti jashtë fushave për plot 7 javë, duke e privuar Vorën nga lojtari i saj më i rrezikshëm në sulm.

Rikuperimi i “tankut” ka kërkuar shumë kohë dhe durim, por tashmë sulmuesi ka marrë “OK”-in nga stafi mjekësor për t’u rikthyer. Edhe pse ishte gati për t’u grumbulluar që në ndeshjen ndaj Elbasanit, Ruzgis ka preferuar të presë momentin e duhur për të debutuar, me synimin që kthimi të jetë i denjë për një golashënues të lindur.

Ai vetë e konfirmon për “Panorama Sport”: “Ka qenë një periudhë shumë e vështirë për mua, të qëndroja kaq gjatë jashtë fushës. Por fati kështu deshi. Kam kohë që kërkoj të jem në dispozicion të skuadrës, por stafi mjekësor më ka udhëzuar të jem i kujdesshëm. Tashmë që kam marrë ‘OK’-in, ndiej se jam gati. Dua të rikthehem pikërisht në Laç, aty ku u dëmtova, dhe pse jo, ta nis me një gol kundër një skuadre historike si Dinamo.” Kthimi i Ruzgisit është një lajm i madh për Vorën, që tashmë kërkon të vazhdojë momentin pozitiv dhe të gjejë golat e munguar në ndeshjet e fundit.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL