Vora me sytë nga mbijetesa, Bellai piketon dy formacione për fillimvitin
Vora ka një synim të qartë për këtë sezon, kampionatin. Mbijetesa në Superiore mbetet e vetmja alternativë reale për vorakët, ndërsa Kupa e Shqipërisë shihet më tepër si një mundësi për të ecur sa më gjatë, por jo si një objektiv madhor.

Në këtë frymë, skuadra po vijon përgatitjet në stadiumin e saj, me qëllimin për ta nisur vitin 2026 në formën më të mirë fizike të mundshme. Vorakët janë rikthyer në stërvitje që më 2 janar dhe fokusi kryesor është përqendruar menjëherë te dy përballjet e radhës në kampionat, ndaj Partizanit dhe Tiranës, të dyja ndeshje që do të luhen në shtëpi. Pikërisht këto sfida pritet të çelin “luftën” e Vorës për mbijetesë në elitë, pasi rezultatet ndaj kryeqytetasve do të kenë një peshë të madhe në fatet e sezonit. Skuadra sapo ka përfunduar javën e parë stërvitore, ndërsa trajneri Bellaj po punon paralelisht në ndërtimin e dy formacioneve.
Vora do ta nisë zyrtarisht 2026-ën këtë të shtunë, ora 16:00, në stadiumin “Niko Dovana”, ku do të përballet me Teutën për turin e tretë të Kupës së Shqipërisë. Në këtë ndeshje, vorakët pritet të paraqiten me një formacion ku do të mbizotërojnë lojtarët e rinj dhe elementët rezervë. Ndryshe do të jetë situata për ndeshjen e së enjtes ndaj Partizanit, e vlefshme për fazën e tretë të kampionatit, që do të luhet në shtëpi. Për këtë përballje, Vora pritet të paraqitet me një formacion krejtësisht tjetër, ku rolin kryesor do ta kenë lojtarët me përvojë dhe eksperiencë.
BELLAJ DHE BESIMI TE GRUPI – Trajneri Bellaj po përgatit formacionin më të mirë të mundshëm për dy “miniderbet” e kampionatit, por njëkohësisht ka gati edhe një skuadër alternative, e cila do t’i shërbejë për angazhimin në Kupën e Shqipërisë. Vetë tekniku e ka pranuar shpesh se mungesa e fitoreve e kishte vendosur “me shpatulla për muri”, por suksesi i fundvitit i ka rikthyer optimizmin dhe besimin për mbijetesën, një objektiv që tashmë shihet si plotësisht i realizueshëm. Bellaj ndihet më i qetë edhe për shkak të përforcimeve të realizuara.
Mesfusha është ndërtuar mbi një bosht të fortë, me Kasallën dhe Barjamajn në qendër, si dhe me dy afrimet e merkatos së fundit, Orgito Ruçi dhe Renaldo Torraj, që veprojnë në krahë. Një tjetër lajm i mirë për Vorën është “zhbllokimi” i sulmuesit kryesor, Manfredas Ruzgis. Goli i shënuar në ndeshjen e fundit të vitit ndaj ballshiotëve ka ndezur shpresat se vorakët tashmë kanë njeriun e golit pothuajse në çdo ndeshje. Ruzgis ishte protagonisti kryesor i ngjitjes së Vorës në Superiore, duke mbyllur sezonin e Kategorisë së Parë si golashënuesi më i mirë me 24 gola. Pas këtij zhbllokimi, ai po tregon formë të mirë edhe në ditët e para të vitit gjatë seancave stërvitore, një sinjal premtues për ta bërë Vorën më agresive dhe më të rrezikshme në vazhdim.
ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL













