Vllaznia pret kthimin e Gurishtës, kampionët fatsjellës për Martinin
Përballjet mes Vllaznisë dhe Egnatias në sezonin 2025-26 të Kategoria Superiore kanë qenë ndër duelet më të forta dhe më të ndezura të këtij edicioni. Në katër sfidat e zhvilluara deri më tani, bilanci flet në favor të kuqebluve, të cilët kanë regjistruar dy fitore, ndërsa dy ndeshje të tjera janë mbyllur në barazim, duke e bërë këtë çift një nga përballjet më interesante të kampionatit.

Skuadra shkodrane ka arritur të triumfojë në dy raste, fillimisht me rezultatin 2-0 dhe më pas me një fitore minimale 1-0, duke treguar efikasitet dhe qëndrueshmëri në momentet vendimtare. Nga ana tjetër, Egnatia ka mundur të marrë vetëm dy barazime në këto përballje, fillimisht në një sfidë spektakolare që u mbyll 2-2 dhe më pas në një ndeshje më taktike që përfundoi pa gola, 0-0. Megjithatë, përtej rezultateve, ajo që bie më shumë në sy në këtë përballje është tensioni i lartë që ka shoqëruar çdo ndeshje mes dy skuadrave. Statistikat tregojnë se në katër ndeshjet e këtij sezoni janë dhënë plot tre kartona të kuq, një shifër që dëshmon qartë rivalitetin dhe ashpërsinë që karakterizon këtë duel.
Një tjetër detaj interesant është fakti se të tre kartonët e kuq kanë qenë në dëm të Egnatias. Në përballjen e fazës së parë ishte futbollisti Votlai që u ndëshkua me karton të kuq pas dy kartonëve të verdhë, duke e lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak në një moment delikat të ndeshjes. Në fazën e dytë, historia u përsërit sërish për ekipin nga Rrogozhina. Këtë herë ishte Fangaj ai që u detyrua të linte fushën para kohe, pasi u ndëshkua me dy kartonë të verdhë.
Ndërsa në përballjen më të fundit mes dy skuadrave, ishte Xhemajli ai që mori kartonin e tretë të kuq të këtij sezoni në këtë çift, sërish pas dy paralajmërimeve nga arbitri. Të gjitha këto episode tregojnë qartë se përballjet mes Vllaznisë dhe Egnatias janë shumë më tepër sesa thjesht ndeshje kampionati. Rivaliteti, presioni dhe rëndësia e pikëve kanë krijuar një duel të mbushur me emocione dhe tension, i cili pritet të mbetet i tillë deri në vërshëllimën e fundit të këtij edicioni të Superiores.
RIKTHIMI I MUNDSHËM Situata e dëmtimeve vijon të mbetet një nga shqetësimet kryesore në kampin e Vllaznisë në këtë fazë të sezonit në Kategorinë Superiore. Prej afro tre javësh tashmë pjesë e skuadrës në fushë nuk ka qenë një nga titullarët më të rëndësishëm të formacionit, mbrojtësi i krahut të djathtë Erdenis Gurishta, mungesa e të cilit është ndjerë jo pak në radhët e kuqebluve. 30- vjeçari është jashtë fushave që prej përballjes ndaj Bylis Ballsh, e zhvilluar më 21 shkurt 2026, një ndeshje që përfundoi me humbjen 2-1 të shkodranëve. Që nga ai moment, zëvendëskapiteni i Vllaznisë nuk ka qenë i disponueshëm për stafin teknik, duke bërë që skuadra të duhet të gjejë alternativa në krahun e djathtë të mbrojtjes. Fillimisht dëmtimi i Gurishtës u konsiderua si një problem i lehtë fizik, që pritej të kalohej brenda një kohe relativisht të shkurtër.
Megjithatë, rikuperimi ka zgjatur më shumë nga sa parashikohej, duke bërë që futbollisti të qëndrojë thuajse një muaj larg fushave të lojës, një periudhë jo e vogël në një moment delikat të sezonit. Pavarësisht kësaj, në kampin shkodran ka optimizëm për gjendjen e mbrojtësit. Stafi mjekësor dhe teknik besojnë se rikuperimi i tij është drejt fazës përfundimtare dhe se lojtari mund të jetë sërish gati për të ndihmuar skuadrën në sfidat vendimtare që e presin në vazhdim. Madje nuk përjashtohet mundësia që Erdenis Gurishta të rikthehet që në fundjavë, në përballjen ndaj Dinamos, e vlefshme për javën e 29-të të kampionatit. Një rikthim i tillë do të ishte një lajm shumë i mirë për skuadrën e drejtuar nga Edi Martini, pasi zëvendëskapiteni konsiderohet një nga pikat më të forta dhe më të qëndrueshme të formacionit kuqeblu.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













