Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ Partizani, asnjëherë më keq pas rikthimit në elitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2025 | 8:46

Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ Partizani, asnjëherë më keq pas rikthimit në elitë

Partizani po përjeton kampionatin më dramatik, që mund të kishte menduar. Vetëm 8 pikë në nëntë ndeshje të luajtura, rezulton të jetë shifra më e ulët e regjistruar që pas rikthimit në Superiore.

partizani

“Panorama Sport” ka vëzhguar 15 sezone, për të parë si ka qenë renditja pas nëntë javësh të luajtura. Ky është edicioni i 13-të, që pas rikthimit në elitë. Pjesë e vëzhgimit janë edhe dy edicionet më të errëta për Partizanin në elitë, pikërisht 1999/2000 dhe 2008/09, që sjellin në fund rënien nga kategoria.

EPOKA- Partizani si asnjëherë tjetër që pas rikthimit në Superiore ka një golavarazh -9. Kjo për shkak se numëron vetëm 4 gola të shënuar, ndërsa ka pësuar 13 të tjerë. Aktualisht mban edhe vendin e tetë, që i përkon “play-out”-it dhe mbyll zonën e ftohtë. Që pas rikthimit në Superiore, Partizani nuk ka numëruar asnjëherë tjetër më pak se 8 pikë. Edicion i vështirë ishte edhe 2021/22 nën drejtimin e Ilir Dajës ku regjistroheshin 9 pikë. Partizani kishte vetëm një fitore, ndërsa gjashtë sfida u mbyllën në barazim. Golavarazhi megjithatë duke qenë 0, si edhe vetëm dy humbje, jepni shpresa për të ardhmen. Partizani reflektoi në vazhdim, ndërsa e mbylli kampionatin si vend i tretë dhe u përfshi në Europë.

Njëjtë s tani, ekipi pas nëntë javësh ndodhej në vendin e tetë. 1999/00- Partizani në vitin 2000 përjetoi për herë të parë në historinë e klubit, që të rrëzohej nga kategoria. Një tronditje e madhe, erdhi pas 26 javësh të luajtura ku të kuqtë kishin 24 pikë. Askush nuk do ta mendonte në fillim se Partizani do ta mbyllte si vend i fundit në përfundim të kampionatit. Në të njëjtën javë si tani, duke qenë 14 skuadra në total, Partizani kishte 10 pikë të grumbulluara që e rendisnin në vendin e tetë. Në total ishin shënuar 11 gola, shifër kjo që regjistrohej edhe te golat e pësuar. 2008/09- I vetmi sezon ku Partizani i dha sinjalet që do të provonte Kategorinë e Parë sërish ishte 2008/09.

Të kuqtë në përfundim të nëntë javëve kishin vetëm 5 pikë dhe mbanin vendin e fundit, që rezulton të jetë fillimi më i dobët në historinë e klubit. Njëjtë si tani dhe asnjëherë tjetër, ishin vetëm 4 gola të shënuar, ndërkohë që në prapavijë pas nëntë javësh rezulton 11 gola të pësuar. Asokohe klubi dallonte për problemet e shumta financiare, ndërsa kampionatin me 12 skuadra e mbylli në vendin e 10-të që e dërgoi në “play-out”. Grumbulloheshin pikërisht 36 pikë në 33 javë, që gjithsesi nuk ishin të mjaftueshme. Nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro, skuadra luajti në “play-out” përballë Kastriotit dhe u mposht në stadiumin “Niko Dovana”. Pikërisht ai edicion kujtohet për sakrificën e madhe në mungesë të financave, ndërsa Partizani nuk ia doli të mbijetonte.

80 VJETORI- Është një jubile ky sezon, ndërsa Partizani nuk do e kishte menduar asnjëherë një fazë të parë me këto shifra. Zona e ftohtë, sipas statistikave, nuk shfaqet si rastësi dhe pse te Partizani qëndrojnë pretendime për gjykimin në disa javë.DSH

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL