VËZHGIMI/ Elbasani, e diela është kthyer në ditën e “tersit”. Verdheblutë shpresojnë të thyejnë disa “tabu”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2025 | 9:23

VËZHGIMI/ Elbasani, e diela është kthyer në ditën e “tersit”. Verdheblutë shpresojnë të thyejnë disa “tabu”

Elbasani do të presë këtë të diel Dinamon në “Elbasan Arena”, me shpresën për të thyer tersin e humbjeve përballë bluve.elbasaniKryeqytetasit e Ilir Dajës mund të cilësohen pa frikë si makthi i verdhebluve këtë edicion, që i kanë shkaktuar tri humbje në po kaq takime. Me pak fjalë, ndaj tyre skuadra e Elbasanit nuk ka marrë ende asnjë pikë këtë sezon, ndryshe nga sa ka ndodhur me ekipet e tjera. Për këtë arsye, në kampin elbasanas kanë edhe një arsye më shumë për të tentuar rezultatin pozitiv, përpos faktit që pikët i duhen për të arritur në fund të edicionit për të arritur edhe objektivat që i kanë vënë vetes.

DITA E “TERSIT” – Elbasani – Dinamo është programuar të luhet ditën e diel, në orën 18:00, në “Elbasan Arena”. Nëse në pamje të parë dita se kur do të luhet nuk ka asnjë rëndësi, nuk është e tillë për elbasanasit. Sipas një vëzhgimi të bërë nga “Panorama Sport”, e diela mund të konsiderohet ndryshe edhe si dita e “tersit”. Thuhet kështu, pasi nga 11 takime të luajtura ditën e diel, verdheblutë kanë fituar në vetëm një rast, në fitoren ndaj Bylisit. Kanë barazuar dhe humbur nga pesë të tilla, duke treguar se kanë vërtet problem për të gjetur rezultatin në këtë ditë.

Praktikisht, nga 33 pikë të mundshme kanë marrë vetëm tetë, shumë pak për një ekip që ka pretendime. Jo vetëm kaq, por në katër ndeshjet e fundit që janë luajtur të dielën, verdheblutë kanë dalë të mundur nga fusha e lojës. Nga ana tjetër, sa u përket përballjeve me Dinamon, janë luajtur dy ndeshje të dielën dhe janë fituar nga dinamovitët. Me pak fjalë, shifrat nuk janë në favor të të besuarve të Ivan Gvozdenoviç kur skuadra luan të dielën dhe për më tepër përballë Dinamos. Për këtë arsye, verdheblutë kanë më shumë se një arsye për të tentuar fitoren kësaj here, ku shpresojnë që të thyejnë disa “tabu” njëkohësisht.

DITËT E TJERA – Nga 29 javë në total, 11 ishin luajtur të dielën, ndërsa 18 ndeshje e mbetura në ditët e tjera të javës. Bie në sy se e shtuna është më produktivja, ku nga shtatë sfida kanë fituar dy, barazuar katër dhe humbur një. Sakaq, të hënën, nga katër takime kanë fituar një, barazuar dy dhe humbur një, pikërisht me Dinamon. Sa u përket sfidave të mesjavës, bie në sy që Elbasani nuk humbet asnjëherë duke rezultuar në njëfarë mënyre më produktiv sesa ndeshjet e fundjavës. Nga shtatë takime të luajtura gjatë mesjavës, bilanci është tri fitore dhe katër barazime. Me pak fjalë, në ndeshjet e mbetura elbasanasit shpresojnë që pjesën më të madhe të tyre t’i luajnë gjatë mesjavës, duke evituar sidomos të dielën e “tersit”.40VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL