“Ukraina si Gjermania”, trajneri Alban Bushi: Lojtarët që nuk luajtën duhet ta kuptojnë se e duam fitoren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2025 | 10:23

“Ukraina si Gjermania”, trajneri Alban Bushi: Lojtarët që nuk luajtën duhet ta kuptojnë se e duam fitoren

Shqipëria U-21 i fitoi të dyja sfidat miqësore gjatë këtij muaji. Fillimisht mposhti Moldavinë U-21 me rezultat minimal, ndërsa dje ia doli duke triumfuar 2 me 0 ndaj Ukrainës.

Screenshot 2025-11-18 102234

Alban Bushi, trajner i Kombëtares U-21, tha fjalën e tij pas ndeshjes.

“Patjetër që jemi të kënaqur. Dy ndeshje, dy fitore, nuk është se nuk i kishim menduar. Gjithmonë futemi për t’i fituar ndeshjet. Po mënyra se si erdhi kjo e dyta, jam shumë i lumtur sepse luanim me një kundërshtar shumë të fortë. Ukraina është një nivel shumë i lartë, mund të them i rangut të Gjermanisë, i këtyre ekipeve që janë goxha më mirë se ne.

Jam shumë i kënaqur nga ekipi, dua t’i falënderoj sepse vrapuan dhe luftuan shumë jashtëzakonisht. Por dua të falënderoj edhe lojtarët e tjerë që nuk pata mundësi t’i fusja në lojë. Ne pavarësisht se e kemi miqësore, përqasjen e bëjmë sikur është kualifikuese sepse këto janë si kualifikuese për ne. Dhe dua që ta kuptojnë edhe ata që e duam fitoren dhe 3 pikëshin. Intensiteti i lojës ishte shumë i lartë dhe në pjesën e dytë nuk pata mundësi të bëja shumë ndërrime.

Jam shumë i lumtur sepse kur e sheh që ekipi lufton, sakrifikon dhe kanë qëllim që të mbrojnë rezultatin, ne ndihemi mirë. Ukraina na vuri në vështirësi sidomos pjesën e dytë, bënë 3-4 ndërrime, ishin më të freskët se ne. Fiziku i tyre ishte jashtëzakonisht shumë i madh. Bëmë një përqasje shumë të mirë, do të vazhdojmë kështu sepse jemi rritur goxha në çdo aspekt”, tha trajneri Bushi pas ndeshjes.

PANORAMASPORT.AL