Tronditja nga Flamurtari, Brahja: Ky lojtar nuk ishte në ditë të mirë, patëm probleme! Tetova komunikoi me skuadrën…
Julian Brahja foli pas humbjes 0 me 2 të Egnatias përballë Flamurtarit. Krahu i djathtë i Edlir Tetovës nuk e fshehu zhgënjimin e tij pas disfatës në Rrogozhinë.

“Më vjen shumë keq për humbjen, djeg dhe nuk duhet të ndodhte. Futbolli i tillë është, ka humbje, fitore dhe barazim. Ishte fillim i pjesës së parë i mirë i joni, por pësojmë një autogol nga ana jonë. Nuk e di, kishim probleme në krahun e majtë të mbrojtjes sonë. Me Xhefersonin, që nuk ishte në ditë të mirë, patëm probleme disa herë.
Më vjen keq në mënyrën si pësojmë golat, i pësojmë shumë lehtë. Ndoshta nga vendosja jo e mirë e jona. Edhe Haime nuk kishte mundësi tjetër për ta larguar atë top, ishte përballë portierit. Ndoshta dhe jo shkallëzimi i mirë i mbrojtjes, në disa momente. Lëvizjet bazë nuk ishin aty ku duhet. Më vjen keq, janë gola shumë të lehtë që mund të evitohem, nuk e di si ta shpjegoj. Janë situata dhe momente të lojës që mund të ndodhin.
Unë siç e përmenda dhe pak më mirë, Xheferson ka disa ndeshje që nuk është aktivizuar rregullisht, ndoshta mund të jetë edhe kjo. Sot mungonin edhe Aleksi me Alijev, mungesa të rëndësishme, por nuk dua t’i mëshoj shumë kësaj pjese. Kur je një kundër një, çdo lojtar driblohet. Dhe Ememe është driblues i mirë. Por më vjen keq sepse u prishën ekuilibrat me daljen e Xhemajlit. Goli i dytë na bëri më nervoz, lojtarët humbin topin shumë thjesht. Mund të shënonin edhe golin e tretë te Flamurtari. Por edhe ne kishim rastet tona. Një gol i joni mund ta kthente, të krijonte besimin. Lojtarët kur shkon ndeshja 0 me 2, kalojnë në nervozizëm. Edhe mund të shënosh, edhe të pësosh golin e tretë.
Ndikimi nga largimi i Tetovës? Nuk ka ndikuar sepse profesor Tetova ka komunikuar me skuadrën. Në kampionatin shqiptar është risi që deklarohet kështu 1 muaj e gjysmë përpara. Ne kemi biseduar me lojtarët, janë të vetdijshëm për detyrat e veta. Kampionati është në fund. Neve nuk na falet të bëjmë gabime, na duhen pikë dhe kemi objektivat tona në Kupë dhe kampionat. Nuk është se kjo ka ndikim”, u shpreh Brahja për “RTSH”.
PANORAMASPORT.AL













