Tri ndeshje dhe tri padrejtësi, Bylisi e ka “luftën” me sistemin
Bylisi ka dalë në fushën e stërvitjes dhe është përqendruar te ndeshja e radhës, ajo në transfertë me Elbasanin. Por duket se mendja ka mbetur te sfida me Vllazninë, ku ballshiotët pësuan disfatën e dytë në shtëpi brenda kësaj faze. Disa mungesa si Përndreca i pezulluar dhe Kamara me probleme shëndetësore apo dhe Malomo jo në formën e tij më të mirë ndihmuan, por u bë e rrugës që ballshiotët ndëshkohen nga gabimet e gjyqtarëve.

Kështu ndodhi me Flamurtari në Ballsh, kur një penallti shumë e dyshimtë u akordua në favor të vlonjatëve duke ndikuar në rezultatin e sfidës, po ashtu edhe me Teutën në Durrës, ku goli i durrsakëve u shënua nga një aksion ku ishte faull për lojtarin e Bylisit dhe më e freskëta ndeshja e fundit. Madje nëpërmjet presidentit Besnik Kapllanaj ballshiotët hodhën akuza për një komplot i dirigjuar nga shefi i gjyqtarëve Sokol Jareci.
Ndeshja në Ballsh ka qenë jo e mirë menaxhuar nga gjyqtari që akordoi në një hark prej 10-minutash tri kartonë të verdhë kundër Bylisit, pa thënë se ka toleruar Pusin, Gurishtën, Kastratin apo Kubazi, që i shpëtoi të verdhës së dytë. Njëanshmëri e treguar irritoi mallakastriotët, ndërsa “komandën” e ndeshjes e mori VAR-i, çka solli edhe pakënaqësinë të theksuar te vendasit. Dy ndeshjet e mbetura ndaj Elbasanit në transfertë dhe me Vorën në shtëpi janë sfida me synime te qarta për mallakastriotët, aq më tepër që synimet janë për më shumë këtë sezon në kampionat por edhe Kupën e Shqipërisë.
SITUATA – Bylisi luan ndeshjen me verdheblutë të premten në mbrëmje. Ndeshje delikate dhe me koeficient të lartë vështirësie, aq më tepër që nuk ka ndodhur, që këtë sezon ballshiotët të pësojmë dy humbje radhazi.
Ndaj edhe po përgatiten që të bëjnë kthesën, aq më tepër që skuadra do të jetë e plotë, duke shpresuar që të kthehen në formën e tyre më të mirë edhe Malomo, Abazaj e Kamara. Lojtarë me “peshë” dhe që në sfida delikate mund të lënë gjurmë duke udhëhequr Bylisin. Gjashtë pikë në tetë javë nuk i shkojnë për shtat Bylisit, jo vetëm për investimet e kryera, por edhe për vetë lojërat që kanë zhvilluar brenda dhe jashtë fushës së tyre në këtë fazë të parë të sezonit.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













