Transferta e fundit për Teutën, Maçolli: Me Tiranën nuk na lejohet asnjë gabim
Teuta është gati të fitojë ndaj Tiranës. Ajo kërkon me çdo kusht të ruajë ecurinë e mirë të javëve të fundit.

Mesfushori i Teutës, Xhoele Maçolli, në intervistën për “Panorama Sport” para ndeshjes së javës së 35-të ndaj Tiranës, u shfaq optimist, teksa theksoi se është momenti për të dhënë maksimumin në këtë ndeshje.
Pas asaj fitoreje me Laçin, si e shihni tashmë Teutën? Pas asaj fitoreje, normal që morali është më i lartë dhe besoj se është kështu. Ekipi është gati dhe jemi më të motivuar. Sigurisht që këtë javë është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Kjo, për vetë faktin se duhet të bëjmë maksimumin dhe të jemi brenda objektivave.
A është e motivuar skuadra për të ruajtur ecurinë pozitive? Skuadra ka qenë gjithmonë shumë e motivuar, por patjetër rezultatet e mira sjellin dhe një gjendje më të mirë psikologjike, por nuk na mbetet gjë tjetër, duhet të vijomë me këtë lojë të mirë dhe rezultate të mira, në ndeshjen e radhës përballë Tiranës.
Çfarë ndeshjeje prisni ndaj Tiranës? Normale që është një sfidë e vështirë, por për ne është ndeshja e radhës. Pa humbur respektin për kundërshtarin, ne jemi Teuta dhe duhet t’i fitojmë ndeshjet, sepse ne kemi si synim për të fituar këtë duel dhe shpresoj që t’ia dalim mbanë.
Si e shihni Tiranën, pasi vjen në një momentet delikat? Jemi të vetëdijshëm që është një skuadër që ka bërë mirë. Skuadër e fortë që ka në përbërjen e saj elementë të rëndësishëm. Ne kemi objektivat tanë dhe do të synojmë më të mirën.
Deri ku mund të shkojë skuadra këtë fundsezoni? Jemi në momentin vendimtar. Duhet të marrim pikët për të dhënë verdikte se ku mund të arrijmë. Kemi dy ndeshje shumë të vështira, por unë mendoj se do t’i arrijmë objektivat që kemi, pasi s’kemi më kohë për gabime me Tiranën dhe shpresojmë ta kalojmë me sukses.
ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL













