Trajneri i Shtërmenit, Toska: Kupa është test për Kofshën, së shpejti mes më të mirëve të botës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2025 | 14:31

Trajneri i Shtërmenit, Toska: Kupa është test për Kofshën, së shpejti mes më të mirëve të botës

Peshëngritja po bëhet gati për Kupën e Shqipërisë 2025, kompeticion që do të mbahet në Tiranë më datë 6 shtator, një event që pritet të jetë shumë i nxehtë, sidomos në peshën e re, 79 kg, ku do të matin forcat Briken Calja, Erkand Qerimaj dhe Kristi Ramadani. Ndërkohë në palestrën e Shtërmenit është një tjetër talent i madh i shtangës, i stërvitet pa fjalë dhe që vjen me pritshmëri të mëdha, jo vetëm në Kupë, por në të gjitha garat e mbetura të sezonit.

Screenshot 2025-09-02 143052

Bëhet fjalë për Ertjan Kofshën, kampion bote me moshat, që pret të shkruajë më germa të arta emrin e tij edhe me të rriturit. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, trajneri Leonard Toska ka folur për gjendjen e peshëngritësit të tij dhe për pritshmëritë:

“Vazhdojmë stërvitjen me dy seanca në ditë, të cilat nuk i kemi ndërprerë. Gjithçka po shkon ashtu siç duhet për talentin e kombëtares Ertjan Kofsha. Sportisti po ecën mjaft mirë dhe gëzon një formë të shkëlqyer. Kemi punuar shumë dhe po vijojmë me programin tonë, për të qenë sa më gati për eventet e mëdha që na presin. Të parin kemi Kupën e Shqipërisë më 6 shtatorë në kryeqytet, ku do të jetë një test i rëndësishëm për ne, për garat e forta pasardhëse.

Them kështu pasi do të shohim gjëndjen ku ndodhemi deri tani dhe do testohemi, duke e vlerësuar dhe duke dhënë më të mirën tonë në këtë kompeticion kombëtar. Rëndësi të madhe për ne janë katër garat e vështira pas Kupës, të cilat janë kryesore për kampionin tonë. Kofsha do të garojë në peshën 94 kg dhe do të kërkojë të thyejë sa më shumë rekorde. Jam i bindur që do të marrë gjithashtu në këto gara shumë medalje. Do të jetë viti i tij, jam i sigurt. Ertjan Kofsha shumë shpejtë do të bëhet një sportist i madh i rangut botëror”, deklaron trajneri Toska.

M.MIRAKA-PANORAMASPORT.AL