Trajneri e mbylli si kampion aventurën me kurbinasit. Shensoj largohet si hero, Laçi ndryshon për elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2026 | 11:47

Trajneri e mbylli si kampion aventurën me kurbinasit. Shensoj largohet si hero, Laçi ndryshon për elitën

Laçi e realizoi me sukses misionin në Kategorinë e Parë, duke siguruar rikthimin e menjëhershëm në elitën e futbollit shqiptar. Madje, kurbinasit arritën të surprizonin në fundin e sezonit, teksa parakaluan Skënderbeun në momentet e fundit të transfertës së Korçës.

SHENSOJ

Goli i Kurtit në minutën e 96-të vulosi një fitore dramatike dhe i dha Laçit vendin e parë në kampionat. Kthesa e madhe e bardhezinjve erdhi pas emërimit të trajnerit Naxhi Shensoj në pankinë, në fillim të muajit nëntor. Nën drejtimin e teknikut nga Prizreni, Laçi nuk njohu asnjë humbje në kampionat, duke regjistruar 19 fitore dhe 5 barazime, ecuri që bëri të mundur shpalljen kampion të skuadrës kurbinase. Pas disa muajsh bashkëpunimi dhe emocionesh të forta, Laçi dhe Naxhi Shensoj kanë vendosur të ndajnë rrugët. Një vendim që duket se kishte qenë i paralajmëruar nga vetë trajneri, i cili para përfundimit të sezonit kishte deklaruar se kishte ardhur vetëm për t’i dhënë një dorë klubit në realizimin e objektivit të rikthimit në Superiore.

Largimi i Shensojt mbyll një kapitull të rëndësishëm në historinë e klubit kurbinas, pasi ai do të mbahet mend si trajneri që riktheu Laçin te trofetë dhe krenaria. Nën drejtimin e tij, bardhezinjtë u kthyen në një skuadër solide dhe shumë konkurruese, duke dominuar Kategorinë e Parë dhe duke treguar mentalitet fitues. Me organizim, disiplinë dhe shpirt gare, Laçi ndërtoi një identitet të fortë, që u duartrokit jo vetëm nga tifozët kurbinas, por edhe nga opinionistët e futbollit shqiptar. Përveç triumfit në kampionat, skuadra pati paraqitje dinjitoze edhe në Kupën e Shqipërisë.

Fillimisht eliminoi Luftëtarin me rezultatin 2-0, ndërsa më pas u ndal nga Bylisi pas një përballjeje spektakolare që përfundoi 3-2 në favor të ballshiotëve. Gjatë sezonit, te Laçi spikatën disa futbollistë të rëndësishëm, ndërsa Shensoj arriti të krijojë një grup që karakterizohej nga solidariteti dhe lufta deri në fund në çdo ndeshje. Tashmë drejtuesit e klubit pritet të nisin kërkimet për trajnerin e ri, ndërsa tifozët janë në pritje të zhvillimeve edhe në merkato, ku përfliten largime të disa prej lojtarëve që spikatën gjatë këtij sezoni fantastik.

FATOS LAMAJ-PANORAMASPORT.AL