“Topin e ktheu mbrojtësi i Skënderbeut, penalltia e Tiranës nuk ka diskutim”, moviola e Klajdi Kolës: Mungon një tjetër 11-metërsh për bardheblutë
Të shumta ishin polemikat që shoqëruan duelin mes Tiranës dhe Skënderbeut, për sa i përket vendimeve të arbitrit. Skuadra bardheblu iu akordua një 11-metërsh në minutën e 82-të, e shndërruar në gol nga Bajroviç.

Sipas specialistit të moviolës, Klajdi Kola, vendimi i gjyqtarit Prengaj ka qenë i saktë për sa i përket penalltisë së akorduar, madje ai shtoi se në minutën e 32-të, kemi të bëjmë me një penallti të munguar për kryeqytetasit pas duelit Prengaj-Sabo.
“Një moment i çuditshëm ka ndodhur në minutën e 32-të. Unë gjykoj që në qoftë se nuk e ka kapur topin futbollisti i Skënderbeut është penallti. Mendoj se kemi të bëjmë për penallti të munguar.
Në rastin e minutës së 52-të, edhe në qoftë se do të ishte prekur topi me dorë, nuk kemi të bëjmë me penallti.
Në rastin e duelit Dembele-Nikaj, ndërhyrja ishte e pastër dhe nuk kemi të bëjmë me penallti.
Te rasti i penalltisë të akorduar për Tiranën, për t’u ndarë ka qenë në qoftë se topin e ka kthyer sulmuesi apo mbrojtësi. Për mua e ka kthyer mbrojtësi i Skënderbeu dhe prandaj nuk kemi të bëjmë me pozicion jashtë loje. Për penalltinë nuk besoj se ka diskutim sepse shkelja është evidente, arbitri e ka ndëshkuar edhe me karton të verdhë”, deklaroi Klajdi Kola.
PANORAMASPORT.AL













