Tirana, test gjeneral me Burrelin para startit të kampionatit
Tirana do të zbresë në fushë të shtunën për të zhvilluar një miqësore me Burrelin, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik.

Takimi do të luhet në orën 17:30 në kompleksin “Skënder Halili” dhe do të shërbejë si testi i fundit për bardheblutë përpara sfidës së javës së parë të kampionatit ndaj Bylisit. Ky do të jetë momenti ku trajneri Mile pritet të provojë formacionin titullar, duke testuar harmoninë e grupit dhe gjendjen fizike të lojtarëve pas fazës përgatitore. Ndeshja ndaj Burrelit shihet si një mundësi e mirë për të korrigjuar detajet e fundit, si në aspektin taktik ashtu edhe në koordinimin mes reparteve. Përballja me matjanët pritet të sjellë minuta edhe për afrimet e fundit të merkatos, ndërkohë që tifozët bardheblu do të kenë mundësi të shohin nga afër gjendjen e skuadrës së tyre para sfidës zyrtare të 23 gushtit.
BILANCI I PËRGATITJEVE – Tirana ka zhvilluar gjashtë ndeshje miqësore, duke arritur një fitore, tre barazime dhe dy humbje. Mesatarja e golave për ndeshje është 1.8 të shënuar dhe 1.8 të pësuar, shifër që tregon se ekipi ende nuk ka gjetur ekuilibrin e duhur, sidomos në mbrojtje. Faza nisi më 19 korrik me disfatën 2-3 ndaj FC Lirisë në “Skënder Halili”. Ekipi i Klodian Duros shfrytëzoi dobësitë e prapavijës bardheblu, ndërsa Patsatsia dhe Tabaku ishin autorët e golave të Tiranës. Ndeshja u karakterizua nga shumë rotacione dhe mungesë stabiliteti në lojë. Në testin e dytë, Tirana barazoi 1-1 në transfertë ndaj Ilirisë.
Goli i Tolës nga distanca ishte momenti më i bukur i takimit, por vendasit barazuan pas pushimit, duke konfirmuar problemet e ekipit në mbylljen e ndeshjeve. Në Greqi, bardheblutë barazuan 2-2 me Panserraikosin pas një loje dinamike. Sulmi prodhoi raste, por mungesa e komunikimit dhe e qartësisë në mbrojtje u duk sërish, pavarësisht rotacioneve të shumta. Më 3 gusht, Tirana u përball me Elbasanin në Greqi dhe kaloi në avantazh që në minutën e 3-të me Patsatsian.
Por verdheblutë përmbysën gjithçka në pjesën e dytë, ndërsa Tabaku humbi penalltinë e barazimit, duke nënvizuar problemet në momentet vendimtare. Fitorja 3-1 ndaj Eordaikosit ishte pika më e ndritshme e kësaj faze. Bastari, Doka dhe Haxhiu shënuan golat e suksesit, ndërsa mbrojtja u shfaq më e kujdesshme dhe faza ofensive më efikase.
PANORAMASPORT.AL













