Tirana për sprintin final, pesë lojtarë rrezikojnë në takimin me Flamurtarin
Fitorja e fundit ndaj Vorës, ka kthyer besimin te Tirana se këtë sezon mund të shpëtohet, edhe nëse kjo bëhet duke luajtur në “play out” ashtu si vitin e kaluar.

Bardheblutë kanë ndryshuar pas janarit dhe kanë marrë pikë të konsiderueshme që i kanë rikthyer në garë për të mbijetuar, megjithëse deri para janarit dukej se rënia ishte çështje kohe. Kryeqytetasit kanë arritur të fitojnë dy ndeshje të rëndësishme duke mundur rivalë direktë si Bylisi dhe Vora në dy javët e fundit dhe pas pushimit të Kombëtareve, të besuarit e Shehit do të përballen me Flamurtarin e vendit të fundit.
Për Tiranën, kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për objektivin që skuadra ka, sidomos nëse edhe rivalët e drejtpërdrejtë nuk arrijnë të fitojnë. Vora që ka 27 pikë, aq sa edhe bardheblutë, do të përballet me Teutën në shtëpi, ndërkohë që Bylisi që është më lart në klasifikim, do të luajë në transfertë me kampionët e Egnatias, ndeshje kjo shumë e vështirë në letër që e bën Tiranën të shpresojë. Nëse bardheblutë dalin me pikë të plota nga ky takim me Flamurtarin dhe dy rivalët direktë nuk fitojnë ndeshjet e tyre, atëherë bardheblutë do t’i ikin zonës së rrezikut pas shumë kohësh edhe pse në kalendar ka edhe shumë javë të mbetura.
KARTONËT – Tirana duhet të bëjë kujdes edhe me kartonët e verdhë, duke qenë se një numër i konsiderueshëm i lojtarëve janë në kuotën e 3 të verdhëve dhe rrezikojnë seriozisht shumë. Rimal Haxhiu, Ermal Meta, Luçiano Vera, Basilio Ndong dhe portieri Angelo Tafas janë në kuotën e 3 kartonëve, dhe një i verdhë i mundshëm në takimin me Flamurtarin, do të jetë mungesë për Tiranën në përballjen e radhës ndaj kampionëve të Egnatias javën pas vlonjatëve. Në 7 ndeshjet e radhës, Tirana do të luajë 4 herë në transfertë dhe 3 herë në shtëpi, ndërkohë që nga ndeshjet e konsideruara jashtë, mes tyre është edhe derbi ndaj Dinamos. Kundër “nëndetëses”, Tirana do të luajë në “Air Albania” dhe mbështetja e tifozerisë nuk mungon, teksa në kalendar është edhe derbi tjetër me Partizanin, këtë herë më Tiranën si pritëse.
PANORAMASPORT.AL













