Tirana merr një fantazist brazilian, bardheblutë presin të forcohen edhe me një sulmues
Tirana ka prezantuar afrimin e tretë në këtë merkato pas Emanuel Ernest dhe Erisildo Smaçit.

Bëhet fjalë për mesfushorin Rafael De Freitas Silva, brazilian që vjen nga kampionati portugez. Po kështu, 24-vjeçari ka dalë në seancën stërvitore për t’u prezantuar me skuadrën dhe stafin teknik.
“Klubi i Futbollit Tirana njofton afrimin e lojtarit Rafael De Freitas Silva. 24 vjeçari ka firmosur sot(dje) me klubin dhe do të jetë pjesë e kampit bardheblu. Mesfushori do të dalë në seancën stërvitore për t’u prezantuar me skuadrën dhe stafin teknik. I urojmë suksese me fanellë”, shkruante klubi bardheblu në njoftimin për afrimin e ri. Edhe këtë herë nuk është bërë e ditur sesa është kohëzgjatja e kontratës së brazilianit me bardheblutë.
KARRIERA – Braziliani vjen nga Kategoria e Dytë portugeze. Kampionatin e fundit ka luajtur me Leixoes. Në fushë mbulon si mesfushën dhe pjesën pas sulmuesit kryesor si dhe mund të luajë anësor i majtë. Kampionatin e fundit portugezi është aktivizuar 7 ndeshje si zëvendësues, duke qenë në fushë, 202 minuta. Prej vitit 2020, ka 83 ndeshje të luajtura, tre gola dhe 4658 minuta në fushën e lojës.

MERKATO – Te Tirana afrimet nuk janë mbyllur akoma. Kjo pasi pritet edhe një apo dy goditje të tjera. Me ardhjen e Emanuel Ernest, Erisildo Smaçit dhe Rafael De Freitas Silva skuadra plotësohet disi në organikë. Nga ekipi janë larguar katër futbollistë. Bëhet fjalë për Jordi Jakun, i cili u shit te Bolonja. Fjoart Jonuzi dhe Aran Isuf u larguan me konsensus nga bardheblutë, ndërsa Silvio Vokrri kaloi te Pogradeci. Pak a shumë skuadra është e kompletuar në çdo repart, duke filluar nga porta deri në sulm. Për Tiranën, Rafa është lojtari i 16-të që afrohet nga vera e në vazhdim te Tirana. Bardheblutë kanë larguar 16 futbollistë prej verës së shkuar.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













