Te Partizani i Kërnajës mungojnë dy lidera, ja kush do i zëvendësojë në derbin me Tiranën
Partizani zbret sot në fushë për një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës, që do të luhet në orën 19:00 në stadiumin kombëtar “Air Albania”. Për të kuqtë, kjo sfidë vjen në një moment delikat, ku çdo pikë ka peshë të madhe për objektivin sezonal. Skuadra e drejtuar nga Oltijon Kërnaja synon me çdo kusht vendin e katërt në renditje, që do t’i siguronte pjesëmarrjen në “Final Four”.

Aktualisht, Partizani ndodhet në një fazë jo pozitive, pasi nuk ka arritur asnjë fitore në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit. Bilanci i kësaj periudhe është tre barazime dhe dy humbje, një ecuri që ka komplikuar ndjeshëm rrugën drejt objektivit. Pikërisht për këtë arsye, derbi ndaj Tiranës shihet si ndeshja ideale për reagim dhe rikthim te rezultatet pozitive. Megjithatë, sa i takon formacionit, të kuqtë do të përballen me disa mungesa të rëndësishme në këtë sfidë. Dy titullarë si Bytyçi dhe Ismaili nuk do të jenë të gatshëm, pasi të dy janë të pezulluar me kartonë. Në repartin difensiv, vendin e Bytyçit pritet ta marrë një mes Janjevës dhe Prekës.
Ky i fundit është rikthyer me skuadrën, por mbetet për t’u parë nëse do të jetë gati nga ana fizike për të nisur si titullar në një sfidë me intensitet të lartë si derbi. Gjithsesi, nuk përjashtohet edhe ndonjë lëvizje tjetër surprizuese nga trajneri Oltijon Kërnaja, i cili mund të ndryshojë skemën apo pozicionet për të ruajtur ekuilibrat e skuadrës siç bëri ndaj Dinamos duke vendosur Atanaskoskin në qendër. Në mesfushë, mungesa e Ismailit pritet të zëvendësohet nga Kamer Qaka, i cili shihet si alternativa kryesore për të marrë rolin e regjisorit në qendër të fushës. Një tjetër opsion për këtë repart mbetet edhe Valentino Murataj, i cili gjithashtu është i gatshëm dhe mund të japë më shumë intensitet në mesfushë, në një ndeshje ku lufta për çdo top do të jetë vendimtare. Pritet që në 11-tëshen titullare të rikthehet Marjus Kola dhe sidomos ai që pritet më shumë Xhuliano Skuka, i cili ka qenë mungesa më e madhe e skuadrës në ndeshjet e fundit.
Sulmuesi shihet si një nga armët kryesore të repartit ofensiv dhe rikthimi i tij i jep më shumë peshë sulmit të të kuqve në një ndeshje ku episodet mund të vendosin gjithçka. Skuka ka treguar edhe më parë se di të jetë protagonist në ndeshje të mëdha dhe stafi teknik shpreson që ai të rikthehet menjëherë vendimtar pikërisht në derbin ndaj bardhebluve. Pjesa tjetër e formacionit nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha, me trajnerin që synon të ruajë stabilitetin dhe të mbështetet te lojtarët që kanë mbajtur peshën kryesore të skuadrës gjatë sezonit. Në një derbi ku presioni është maksimal dhe gabimet nuk falen, Partizani kërkon reagimin e madh dhe rikthimin te fitorja pikërisht në ndeshjen që vlen më shumë. Për të kuqtë, kjo përballje është shumë më tepër sesa një derbi, është një mundësi për të mbajtur gjallë objektivin sezonal.

PANORAMASPORT.AL













