Te Bylisi janë të karikuar për Vllazninë, Emini: Lëmë gjurmë në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2026 | 19:46

Te Bylisi janë të karikuar për Vllazninë, Emini: Lëmë gjurmë në Superiore

Bylisi po angazhohet maksimalisht për sfidën e radhës ndaj Vllaznisë, një duel që në Ballsh konsiderohet si një finale e vërtetë. Skuadra e Josës synon maksimumin e pikëve, edhe pse edhe një barazim do të ishte i pranueshëm.

Emini

Duke parë rezultatet e rivalëve dhe ecurinë javë pas jave, lufta për mbijetesë është bërë sa interesante, aq edhe e pasigurt. Te Bylisi priten lajme të mira edhe nga stafi mjekësor, pasi shpresohet që Stoilov dhe Përndreca ta kenë kaluar dëmtimin dhe të jenë gati për këtë sfidë vendimtare. Në Ballsh ndihet një interesim i madh nga të gjithë faktorët për këtë ndeshje.

Fitorja e fundit ndaj Dinamos ka rikthyer harmoninë dhe optimizmin në ekip, duke rritur besimin se Bylisi mund t’ia dalë të sigurojë mbijetesën. Një nga lojtarët që po kalon një moment pozitiv është Serxhio Emini. Sulmuesi shtatlartë zhvilloi ndeshjen e dytë si titullar me Bylisin dhe, pas asistit ndaj Partizanit në golin e Buranelit, arriti të gjejë edhe golin e parë në elitë ndaj Teutës.

SERXHIO EMINI- Në një prononcim për “Panorama Sport”, 22- vjeçari u shpreh: “Jam vërtet shumë i lumtur, sepse me Bylisin kam shënuar gola në Kategorinë e Parë, madje kam qenë edhe ndër golashënuesit më të mirë. Kam shënuar edhe me ekipin B në Kategorinë e Dytë, si dhe me ekipet U-21 dhe U-19. Por ky gol në Superiore, i pari për mua me Bylisin në kampionat, ka një vlerë shumë të madhe. Në karrierën time më kanë ndjekur dëmtimet dhe shpresoj shumë të shënoj edhe në ndeshjet e tjera.

Madje, ëndrra ime si sulmues është të shënoj në të tri ndeshjet e mbetura, ndaj Vllaznisë, Elbasanit dhe Vorës. Do të ishte diçka e paharrueshme për karrierën time. Jam në formën time më të mirë dhe dua të lë gjurmë në Ballsh. Falënderoj shumë trajnerin Josa, që më ka mbështetur dhe më ka dhënë kurajë në momentet pas dëmtimeve, duke më afruar te ekipi i parë, por edhe presidentin që prej vitesh beson tek unë. Bylisi e meriton të jetë në Superiore dhe unë mendoj se duhet të qëndrojë skuadra që e meriton në fushë, pa u bërë dallime nga emri. Për cilësi dhe investime jemi më lart se disa ekipe të elitës dhe kam bindjen se ky Bylis di të qëndrojë dhe do të mbijetojë në Superiore”.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL