Te Bylisi janë gati për sfidën e javës së parë, Marku: Tirana tregon si kemi punuar këto 2 muaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2025 | 19:07

Te Bylisi janë gati për sfidën e javës së parë, Marku: Tirana tregon si kemi punuar këto 2 muaj

Nëse skuadra e parë zhvilloi një test me Apoloninë në Ballsh, që përfundoi 0-0, dhe ekipi “B” luajti në Lushnjë, duket se mallakastriotët janë fokusuar totalisht te sfida me Tiranën, të cilën do ta luajnë në Ballsh të shtunën, më 23 gusht.markuBylisi ka një duel delikat në shtëpi, ndaj edhe trajneri Mirel Josa, së bashku me stafin e tij, po bëjnë maksimumin, së pari për harmonizimin e grupit dhe së dyti për të krijuar një ide mbi lojtarët që do të jenë të gatshëm përpara duelit me bardheblutë. Afrimet e realizuara janë përshtatur mirë me pjesën tjetër të skuadrës, dhe kjo u vu re në testet e fundit, ndërsa titullarët e Bylisit janë ata që japin garanci.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, në prag të duelit me skuadrën më të fortë në vend, Tiranën, foli mbrojtësi i djathtë i Bylisit, Aurel Marku, i cili falë aktivizimit si titullar te Bylisi dhe shënimit të golave, u bë pjesë e Shpresave U-21 të Shqipërisë.

“Kemi punuar për afro dy muaj në një fazë intensive dhe mendoj se do të na shërbejë shumë për të dhënë më të mirën në kampionat. E kemi ruajtur grupin dhe kjo do të jetë shumë pozitive, madje e konsideroj si armën tonë më të fortë në sezonin e ri që nis pas pak, sepse grupi po konsolidohet dhe do të jemi edhe më mirë se një vit më parë. Natyrisht ka pasur lëvizje, si në dalje ashtu edhe në afrime, por kam besim se do të na bëjnë punë, duke rritur cilësinë dhe konkurrencën në grupin tonë. Kemi fatin e madh të punojmë me një trajner ekspert, që për ne lojtarët e rinj është shumë pozitiv, sepse përmirësohemi goxha. Eksperienca e trajnerit Josa na ndihmon shumë që edhe ne të përmirësohemi. Për momentin jemi fokusuar te Tirana, një ndeshje që dihet se çfarë rëndësie ka, aq më tepër që është java e parë dhe e luajmë në stadiumin tonë, kështu që duhet ta përgatisim sa më mirë. Personalisht jam i kënaqur me sezonin e shkuar, sepse luajta titullar dhe shënova gola, por dua të luaj edhe më shumë dhe të jem stabël edhe te Shpresat U-21. Kështu do të rritem dhe e shoh këtë si një vit trampolinë për të luajtur jashtë vendit”, tha Marku.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL