Të avantazhuar nga përballjet e mëparshme, Egnatia e bindur se ua ka marrë dorën “të kuqve”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2025 | 22:32

Të avantazhuar nga përballjet e mëparshme, Egnatia e bindur se ua ka marrë dorën “të kuqve”

Egnatia është duke vi juar intensivisht për gatitjet në kuadër të finales së Kupës që do të kenë me Dinamon ditën e nesërme në “Elbasan Arena”. Një stadium i cili në njëfarë mënyre ka një simbolikë të veçantë për ekipin e drejtuar nga Edlir Tetova, pasi trofeun e parë të Kupës, që përkon edhe me të parin në historinë e tyre, e kanë marrë pikërisht në këtë impiant.

Egnatia

Pikërisht atëherë kur më 1 qershor të vitit 2023 mundnin Tiranën në shifrat 1-0 me golin në shtesë të Xhekson. Ndaj, sa herë luhet një finale në këtë stadium dhe Egnatia do të jetë prezente, është një plus moral për rrogozhinasit, që kanë si synim ta fitojnë për herë të tretë radhazi trofeun e dytë më të rëndësishëm në futbollin shqiptar.

HISTORIA – Epoka moderne e Egnatias, nëse mund ta quajmë kështu që nga koha kur po pretendon trofetë, duket se njeh vetëm histori suksesi në Kupë. Thuhet kështu, pasi rrogozhinasit dinë se si mund t’ia dalin kur bëhet fjalë për ndeshje të kësaj natyre dhe me specifikën që kanë. Mjafton të thuhet se ata janë mundur vetëm në një rast në 20 ndeshjet e fundit. Për më tepër, kjo humbje nuk ka sjellë dëme, sepse ishte ajo e para pak ditëve me Partizanin në gjysmëfinalen e parë në Rrogozhinë, por që kampionët e përmbysën në kryeqytet.

Së bashku me Egnatian, e njëjta gjë vlen edhe për trajnerin Edlir Tetova që arrin t’i marrë maksimumin në këtë kompeticion. Jo vetëm kaq, por edhe në finale ia del që t’i marrë më të mirën e mundshme skuadrës së tij. Të paktën, kështu ka ndodhur deri më tani, me rrogozhinasit që kanë fituar katër finale të luajtura dhe humbur vetëm një. Më konkretisht, kanë fituar dy finalet e Kupës dhe nga një herë atë të Superkupës dhe Kampionatit. Kanë humbur vetëm përballë Partizanit në Superkupën e sezonit 2023-2024, me rezultatin 0-1.

INTERESIMI – Egnatia nuk do të jetë vetëm në këtë ndeshje, por pritet që të ketë edhe një mbështetje të konsiderueshme nga ana e tifozëve. Këta të fundit, të cilët nuk janë “ngopur” ende me trofe, kanë nisur organizimin për të qenë sa më të shumtë në numër në këtë ndeshje. Edhe në finalet e kaluar prezenca e tyre ka qenë e kënaqshme, ndaj gjasat janë që e tillë të jetë edhe ditën e nesërme. Për këtë arsye, Egnatia do të ketë një motiv më shumë për të marrë trofeun në “Elbasan Arena”.

PANORAMASPORT.AL