Tagani “zbërthen” Tiranën: Do të bëjmë histori. Bala lihet i lirë, largohet në Çeki

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2012 | 14:05

Tagani “zbërthen” Tiranën: Do të bëjmë histori. Bala lihet i lirë, largohet në Çeki

Një ndeshje plot shpresë, kjo është ndjesia e vetme në kampin bardheblu në prag të ndeshjes me Ale sundin. Nëse kalohet ky tur, pa dyshim që do të cilësohet si një arritje historike. Tirana, duke qenë ekipi më i titulluar në vend, kërkon të befasojë sërish, këtë herë në Evropë. Kur na ndajnë vetëm dy ditë nga ky duel, administratori Salih Tagani pranon të rrëfejë gjithçka rreth synimeve të klubit të tij, por pse jo edhe të sqarojë problemet. Janë disa çështje që së fundmi kanë shtuar pikëpyetjet; si firma e trajnerit, e ardhmja e disa lojtarëve, merkatoja, konflikti i Duros me teknikun spanjoll, por edhe kartoni i Bekim Balës, i cili pritet të nënshkruajë sot në Çeki. Këto edhe të tjera, numri një i klubit i tregon në një intervistë për “Panorama Sport”.
Zoti Tagani, Tirana është në prag të një ndeshjeje, e cila mund ta fus në histori…
E vërtetë. Dhe ne pikërisht këtë po synojmë të bëjmë, të jemi ekipi i parë shqiptar që arrin të kalojë turin e dytë dhe të futet në të tretin. E vështirë është, por jo e pamundur.
Me çfarë morali shkon Tirana në Norvegji?
Me moral shumë të lartë dhe me një dëshirë tepër të madhe për të triumfuar dhe kualifikuar.
Pasi keni parë nga afër sfidën e parë, a besoni se skuadra bardheblu mund të thyejë norvegjezët në shtëpi?
Në ndeshjen e parë morëm një barazim 1-1, mirëpo meritonim shumë më shumë. Me atë që ekipi dëshmoi në fushë, duke shfaqur superioritet kundrejt rivalit, pse mos ta përsërisim edhe në Norvegji. Ata me fat shënuan këtu, pse mos të na ndjekë edhe ne fati atje? Ne besojmë se mund t’ia dalim.
Norvegjezët po e “sulmojnë” Tiranën, duke pretenduar se veç sendeve të hedhura, kishte edhe kore raciste…
Absurde. Nuk mund të gjej fjalë tjetër mbi çfarë është përfolur. Për mua gjithçka është pa argumente. Nuk ka pasur kore raciste, e vetmja gjë prej të cilës mund të gjobitemi është hedhje e sendeve në fushë. Ne jemi interesuar, duke u informuar edhe në FIFA dhe ata na kanë qetësuar, duke thënë se në relacionin e gjyqtarit ekziston vetëm shishja e hedhur në momentin që lojtari norvegjez barazoi. Asgjë tjetër.
A i ka mbyllur llogaritë Tirana me merkaton?
Absolutisht jo, mirëpo ajo do të rihapet vetëm pas kësaj ndeshjeje.
Emra a ka?
Jo, pasi për momentin mendja jonë rrotullohet vetëm te Evropa. Më pas do të jetë trajneri që do të vendosë. Do të përcaktojë se ku ka nevojë për ndërhyrje e ku jo. Me largimin e Balës, Tiranës i duhet me çdo kusht një sulmues.
Jeni në tratativa me ndonjë të tillë?
Me largimin e Balës sigurisht që do të afrojmë një tjetër, pasi një ekipi legjendar si Tirana i duhen minimalisht tre të tillë. Mirëpo, ndërhyrje do të ketë jo vetëm sulmi, por edhe mbrojtja me mesfushën.
Meqenëse përmendem emrin e Balës, si u zgjidh puna e kartonit të tij? Ai do ta lini të lirë?
Sigurisht, madje nuk mund ta pengonim në momentin që i erdhi një ofertë e tillë. I urojmë suksese dhe uroj të na nderojë.
Sa përfituat nga ky transferim, 70 mijë euro apo 90?
70 mijë euro, një shumë që sigurisht duhet ta përfitonim. Në futboll ekzistojnë gjëra të tilla.
Pasi u la jashtë 18-shes, konflikti mes trajnerit dhe Duros vazhdon. Çfarë po ndodh?
Nuk jam ndoshta personi i duhur që të flas për këtë temë, pasi vendime të tilla i takojnë trajnerit dhe ne si klub nuk ndërhyjmë. Nëse Rubio nuk e do në 18-she, ne s’mund t’ia kthejmë mendjen.
Si do t’i jepet një zgjidhje?
Pas debatit që patën në shkurt, teksa klubi mori vendimin për ta pezulluar 6 javë, situata sikur u qetësua. Mirëpo edhe pasi kanë kaluar muaj, trajneri vazhdon të ketë mendimin e tij në lidhje me këtë lojtar dhe na i ka pasqyruar. Sikundër ka bërë edhe futbollisti, i cili ka shfaqur pakënaqësitë e tij.
A varet e ardhmja e Duros nga ky konflikt?
Të ardhmen lojtari e ka vetë në dorë.
Mirëpo, ai është nën kontratë…
Po, e vërtetë.
Në rast se ai vendos të largohet diku gjetkë, do kërkojë parà klubi për kartonin e tij?
Varet nga klubi që do të bëjë ofertën.
Para ndeshjeve të Evropës, klubi u firmosi kontrata 40-ditore trajnerit dhe pesë lojtarëve. Pse vepruat kështu?
Këtu ka një shpjegim. Kur u firmosën këto kontrata, unë nuk kam qenë këtu. Mirëpo pata lënë të gatshme për trajnerin Rubio dy kontrata, atë 2-vjeçare dhe 40-ditoren. Kisha vendosur firmën time dhe e lashë në dorë të trajnerit të vendoste kë do të firmoste. Ai nënshkroi të dytën, pasi donte fillimisht të studionte të parën.
Domethënë, firma e shumëpritur do të vijë pas kësaj ndeshjeje…?
Kontrata vazhdon të jetë gati dhe nëse trajneri do, mund të vijë ta firmosë që në këto momente. E ardhmja e tij nuk varet nga Evropa, ndaj mos prisni surpriza.
Së fundmi, duam të dimë edhe fatin e lojtarëve që janë në të njëjtat kushte si trajneri, si do të veprohet?
Sa i përket Ilion Likës, me të firmoset një kontratë disavjeçare, pasi ne nuk duam ta lëmë të ikë. Sa u përket të tjerëve, do të vendosë trajneri. Ai do të shohë nevojat e ekipit dhe ndryshimet që do të bëhen dhe më pas do të veprohet.

Stërvitje dhe këshilla, ekipi vijon punën
Tirana pas së dielës pushim, dje i është rikthyer sërish stërvitjes. Atmosfera duket tepër pozitive në prag të kësaj përballje dhe të gjithë besojnë se do t’ia dalin. Në të tilla kushte, edhe vetë trajneri ka vijuar me intensitet të lartë punën, por pa harruar që t’u japë edhe këshilla të tijve. Në mënyrë të veçantë, ai ka kërkuar kujdes në fushë dhe synon që lojtarët e tij të mundohen të shfrytëzojnë më së miri defektet e rivalit. Bardhebluve u duhet punë për t’u përshtatur me terrenin, por edhe me klimën, e kësisoj këtu është përqendruar vëmendja më e madhe.

Rubio beson, por s’premton
Trajneri beson shumë te kualifikimin, mirëpo nuk premton, pasi sipas tij iluzioni nga realiteti janë larg. “Do isha i lumtur dhe do të bëjmë të pamundurën. Mirëpo, mos e ngatërroni iluzionet me realitetin, janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Këtu ishim superiorë, por luajmë në transfertë. Kthehet Pisha dhe jam i kënaqur, mirëpo do të ndjehet mungesa e Balës edhe të enjten. Gjithsesi, do të bëjmë një formacion që të përballojmë me sukses rivalin dhe të dëshmojmë vlerat tona.

Pikante në prag tëAlesundit
– Tirana, të mërkurën në mëngjes do t’i drejtohet Rinasit dhe do të marrë çarterin që do ta dërgojë në linjë direkte drejt Alesundit, atje ku do të ndeshen me vendësit.
– Ndeshja e kthimit për turin e dytë, Tirana-Alesund, do të luhet ditën e enjte, pra më 26 korrik, në orën 19:00, në stadiumin “Color Line” të qytetit norvegjez të Alesundit.
– Ka pak të ngjarë që ky takim të transmetohet. E vetmja mënyrë për ta ndjekur për tifozët e Tiranës mund të jetë me anë të ndonjë linku që do të nxirret nga mediat norvegjeze.
– Kjo përballje do të gjykohet nga një treshe nga Irlanda e Veriut. Kryesori i kësaj sfide do të jetë Arold Hunter, ndërsa asistentë do të jenë Riçard Storej dhe Xhejms Eakin.
– Kompanitë e basteve favorizojnë Alesundin në ndeshjen e kthimit. Konkretisht ata i kanë kuotuar me 1.36, ndërsa bardheblutë me 8.20, kurse barazimi ka koeficientin 4.10.

ZONA NORVEGJEZE…
Rekdal: Dua tjetër paraqitje me Tiranën
Humbja e pësuar me Branin 2-1 në transfertë i ka shokuar norvegjezët e Alesundit. Kjo kuptohet qartë nga deklaratat që kanë dhënë trajneri dhe portieri i këtij ekipi. Tekniku Kjetil Rekdal shpreson vetëm që kjo sfidë të mos ndikojë te Tirana. “Ne arrijmë ta kontrollojmë mjaft mirë topin. Ruajtëm rezultatin, por ja që u ndëshkuam dhe këto janë gjëra që ndodhin. Humbja është e rëndë, pasi ramë dy vende në renditje. Megjithatë duhet të tregohemi të zgjuar, që nga kjo disfatë të nxjerrim mësimet e duhura. Jemi të hutuar, por ndaj Tiranës do të jemi ndryshe. Nuk duhet ta reflektojmë stresin në Evropë, pasi janë dy takime të ndryshme”, – është shprehur tekniku në mediat norvegjeze.

“Gabuam, por të enjten s’zhgënjejmë”
Tek Alesundi nuk e kanë harruar humbjen e pësuar me Branin. Ai që e ka vuajtur ndoshta më shumë është pikërisht portieri Grytebust. Në një deklaratë të dhënë për mediat e vendit të tij, ai ka analizuar lojën, por ka folur edhe për sfidën e radhës, atë me Tiranën në stadiumin “Color Line”. “Jemi të mërzitur, sepse ishte një humbje e tmerrshme. Unë kam pjesën time të fajit në rastin e golit të parë. Nëse do të përsëritej rasti, nuk do të gaboja më, do ta kisha pritur atë top. Por do të kompensoj gjithçka me Tiranën. Duhet të fitojmë me çdo kusht, e rrjedhimisht të kualifikohemi. Personalisht do përpiqem që ta blindoj portën, duke mos lejuar asnjë top që të futet në rrjetë”, – ka thënë portieri.

Presidenti Topi dekoron Tiranën
Bamir Topi, në ditën e fundit të mandatit si president i Republikës së Shqipërisë, i ka kushtuar vëmendje të veçantë klubit të Tiranës dhe disa ish-futbollistëve të tij të shquar. “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ky është Urdhri me të cilin kreu i shtetit dekoroi skuadrën më të titulluar në vend, për kontributin e madh që ka dhënë, për titujt e shumtë të fituar, si dhe për pjesëmarrjen rekord në Kupat e Evropës, si asnjë ekip tjetër shqiptar. “Klubit më popullor në Shqipëri, me një numër të konsiderueshëm tifozësh dhe dashamirësish brenda e jashtë vendit; Për kontribut të shquar në zhvillimin e sportit shqiptar, si klubi që rriti dhe edukoi breza të tërë sportistësh që kanë bërë historinë e futbollit shqiptar; Për sukseset e arritura në arenën kombëtare dhe për rekordin e paraqitjeve të një klubi në Evropë”, – tha presidenti. Ndërkaq, ish-futbollistë dhe trajnerë të Tiranës, një pjesë e të cilëve nuk jetojnë më, u nderuan me titullin “Mjeshtër i Madh”. Topi e nisi me nderimin e figurave të tilla si Selman Stërmasi, Adem Karapici e Skënder Halili, që janë pionierët e kësaj skuadre dhe gjithë futbollit shqiptar. Një vëmendje të veçantë u kushtoi edhe emrave si Fatmir Frashëri, Ali Mema, Petrit Dibra dhe Agustin Kola, pa harruar të madhin Arben Minga, i ndarë nga jeta para pak vitesh. Presidenti Topi u shpreh se ndihej i privilegjuar që ka pasur rastin të nderojë një ekip të madh si Tirana, që mund të konsiderohet edhe si skuadra që ka bërë disidencë më futbollin shqiptar. Për Fatmir Frashërin, ish-futbollistin dhe trajnerin e shquar të Tiranës, titulli i marrë nga presidenti Topi është edhe për punëtorin e fushës dhe tifozët e zjarrtë bardheblu.

JA DEKORATAT E PRESIDENTIT
– AGUSTIN KOLA, “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Ka vlera të jashtëzakonshme dhe ka hyrë në histori në plejadën e futbollistëve më të shquar”.
– PETRIT DIBRA, “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Futbollist me cilësi të rralla, me një lojë që ka hyrë në fondin e artë të historisë së futbollit shqiptar”.
– ALI MEMA, “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontributin e shquar në futbollin shqiptar, si lojtar me cilësi të jashtëzakonshme”.
– FATMIR FRASHËRI, “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm, si lojtar dhe trajner, duke u shndërruar në pikë referimi në historinë e sportit shqiptar”.
– ARBEN MINGA (Pas vdekjes), “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Futbollist e sulmues me cilësi të rralla dhe që kanë bërë histori në futbollin shqiptar”.
– SKËNDER HALILI (Pas vdekjes), “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontribut të shquar në sportin shqiptar, duke bërë histori, megjithëse diktatura komuniste ia ndërpreu mizorisht karrierën në kulmin e tij”.
– ADEM KARAPICI (Pas vdekjes), “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontribut të shquar në sportin shqiptar, si specialist dhe pedagog i parë i arsimuar, pionier i futbollit, si lojtar dhe trajner”.
– SELMAN STËRMASI (Pas vdekjes) “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontribut të shquar në sportin shqiptar si një ndër pionierët e futbollit dhe organizatorët e klubit ‘Tirana’, futbollist dhe trajner i niveleve të larta”.

Bala lihet i lirë, në Çeki do të firmosë për 200 mijë euro
Mbi tri orë bisedime në zyrë, mirëpo në fund Bekim Bala mori atë që deshi. Tirana nuk ka në plan që t’i vendosë “shkopinj nën rrota”, e kësisoj dje i ka dhënë një shkresë, në të cilën ishte dhe leja e klubit kryeqytetas që të firmosë kontratën me Sparta Pragën. Orë të tejzgjatura tratativash dhe më në fund është gjetur gjuha e përbashkët. Lojtari do të niset sot drejt Çekisë dhe pasi të hedhë të zezën mbi të bardhë me Spartën e të hedhë në numrin e llogarisë së klubit bardheblu 70 mijë euro, atëherë mund të marrë edhe kartonin dhe të ketë të drejtë të luajë në Çeki. Kështu, në orën 8 të mëngjesit të sotëm, sulmuesi shkodran do të marrë avionin dhe do të mbërrijë në tokën çeke. Pasi të akomodohet, do mund të ulet me drejtuesit e Spartës së Pragës për të firmosur. Kontrata do të jetë 3- vjeçare dhe flitet se do të përfitojë 200 mijë euro, duke përfshirë këtu edhe bonuset. Megjithatë detajet do të diskutohen vetëm atje. Vetë lojtari, i kontaktuar nga gazeta, ka konfirmuar se sot në mëngjes do të niset në Çeki dhe se nga klubi ka marrë lejen. “Mund të them që u mbyll me sukses. Nesër (sot) nisem drejt Pragës dhe më pas do të firmos. Pas bisedimeve që pata me drejtuesit, ata më dhanë lejen që të shkoj e të firmos në Çeki. Kartonin do ta marr vetëm pasi të kem derdhur edhe paratë e transferimit në llogarinë e klubit”, – tha shkurtimisht sulmuesi shtatlartë.
Ndërlikimet – Pas ofertës tepër joshëse që mori nga Sparta e Pragës, lojtari nuk hezitoi të shkonte dhe të vihej në provë, të cilën e kaloi me shumë sukses. Tirana donte të përfitonte, dhe deri në këtë pikë s’ka asgjë të keqe, pasi lojtari është akoma nën kontratë deri në janar të vitit 2013. Mirëpo çështja është tjetër, klubi ka rritur pazarin dhe ka kërkuar më shumë nga sa ishte biseduar, 90 mijë euro. Lojtari, për të mbuluar këtë shifër, kishte hedhur si opsion që të japë 70 mijë euro në dorë dhe të tjerat të kompensoheshin me rrogat e prapambetura. Janë katër të tilla dhe nga 5 mijë në muaj (që është rroga e tij), plotësohet kjo shumë prej 20 mijë eurosh plus. Mirëpo në fund zgjidhja erdhi dhe klubi pranoi ta linte të lirë për 70 mijë euro.

KONTRATA
Bekim Bala është akoma nën kontratë me Tiranën, e cila skadon në janar të 2013-tës. Sulmuesi pasi mori leje nga klubi bardheblu tashmë mund të firmosë me Spartën, e më pas të kalojë në llogarinë e klubit 70 mijë euro. Pas këtyre procedurave mund edhe të marrë kartonin. Kontrata që do t’i ofrohet nga klubi çek është trevjeçare dhe bëhet fjalë për një shumë rreth 200 mijë euro, duke përfshirë këtu edhe bonuset.
ADELA MERKO