Sulmuesi pret një sinjal nga drejtuesit. Burreli në “heshtje”, Xhabrahimi: Me pak kujdes do të ishim më lart

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 21, 2026 | 14:25

Sulmuesi pret një sinjal nga drejtuesit. Burreli në “heshtje”, Xhabrahimi: Me pak kujdes do të ishim më lart

Pas përfundimit të sezonit, te Burreli mbizotëron qetësia. Futbollistët janë lënë të lirë, ndërsa pritet sinjali nga drejtuesit e klubit për nisjen e fazës përgatitore. Një pjesë e mirë e lojtarëve kanë vijuar stërvitjet individuale, si mënyra më e mirë për të ruajtur parametrat fizikë para nisjes së sezonit të ri.

XHABRAHIMI BURRELI

Sipas administratorit të klubit matjan, Marjan Lleshaj, Burreli pritet ta nisë sezonin e ardhshëm me disa ndryshime, edhe pse ende nuk është bërë e ditur se në cilët sektorë do të ndërhyhet. Renditja në vendin e shtatë në kampionatin e sapopërfunduar ishte larg pritshmërive të drejtuesve dhe tifozëve matjanë. Ecuria jo e mirë e skuadrës së drejtuar nga trajneri Samuel Nikaj, sidomos gjatë fazës së tretë të kampionatit, bëri që Burreli të rrezikonte zonën e “play out”-it. Për sulmuesin Albi Xhabrahimi, skuadra meritonte një pozicion shumë më të mirë në renditje, por disa hapa fals, sidomos në ndeshjet në shtëpi, ndikuan negativisht. “Për të qenë realistë, skuadra duhej ta kishte mbyllur kampionatin në një pozicion më të mirë. Në disa ndeshje, sidomos ato në fushën tonë, kemi bërë hapa fals dhe kjo ndikoi drejtpërdrejt në renditje”, u shpreh shkurtimisht sulmuesi nga kryeqyteti.

Me tetë gola të shënuar gjatë sezonit, Xhabrahimi jo vetëm që ishte golashënuesi më i mirë i Burrelit, por u rendit edhe mes golashënuesve më të spikatur të kampionatit. Aktivizimi i tij gjatë edicionit të kaluar ishte konstant, ndërsa disa prej golave të realizuar rezultuan vendimtarë për skuadrën matjane. Një tjetër statistikë që bie në sy është disiplina e tij në fushë. Në 30 ndeshje të zhvilluara sezonin e kaluar, 29-vjeçari u ndëshkua vetëm një herë me karton të verdhë, çka e bën një nga lojtarët më korrektë të skuadrës. Aktualisht, sulmuesi po zhvillon përgatitje individuale dhe pret të mësojë të ardhmen e tij. “Jam në pritje të një sinjali nga drejtuesit e klubit dhe më pas do të vendos për të ardhmen time. Ruajtja e grupit aktual do t’i shërbente konsolidimit të mëtejshëm të skuadrës”, përfundoi Xhabrahimi.

Nderim GOCI- PANORAMASPORT.AL